Mesatarja dhe Drejtësia-2

Salih bin Abdulaziz bin Muhamed al Shejh

Shkaqet që mundësojnë vazhdimin në mesatare

Së pari: Njohja e menhexhit (metodologjisë) të drejtë prej Kur’anit dhe Sunnetit dhe prej fjalëve të dijetarëve të thelluar në dije. Sepse menhexhi i drejtë ka nevojë që njeriu t’i njohë argumentet e tij dhe fjalët e dijetarëve lidhur me të.

Njerëzve u ndodhën fatkeqësitë, sepse ata nuk u përkushtuan të jenë të qëndrueshëm në metodologjinë e saktë, në drejtësi dhe në mesatare. E gjithë kjo ndodh për mungesë të dijes dhe dominimit të injorancës. Për këtë, sa më të kujdesshëm dhe të zellshëm të tregohemi në përhapjen e dijes së vërtetë dhe të dobishme nga Kurani dhe Suneti i Pejgamberit, nga komentet që selefët u bënë citateve të sheriatit, aq më shumë njerëzit do të jenë të qëndrueshëm në drejtësi e në mesatare. Ndërsa injoranca, lënia e dijes dhe drejtimi kah filozofirat dhe mendimet e njerëzve, të cilat ndodh të mos jenë në pajtim me dijen e drejtë, largojnë prej menhexhit mesatar.

Së dyti: Fuqia e dijes dhe thellimi në të. Dija shtohet duke iu përmbajturmesatares dhe rrënohet me teprim ose me cungim.

Së treti: Fuqia e mendjes. All-llahu i Lartësuar, në Librin e Tij Famëlartë, u drejtohet atyre që kanë intelekt, atyre që mendojnë, u drejtohet atyre që kuptojnë, atyre që kanë logjikë të drejtë dhe të shëndoshë, atyre që kanë mendje të fuqishme. Kjo na jep të kuptojmë sa rëndësi ka mendja dhe logjika në të kuptuarit e teksteve Kuranore dhe në të kuptuarit e interesave.

Së katërti: Analizimi i përvojave njerëzore dhe historisë, sprovave dhe trazirave që kanë ndodhur gjatë saj, si dhe analizimi i mënyrave përmes së cilave u bë përmirësimi.

Nga kjo rezulton rëndësia e qëndresës në mesatare dhe në drejtësi. Sepse në histori ka shumë përvoja të përgjakshme, shumë përvoja shkatërrimtare, por gjithashtu edhe përvoja të mira dhe përmirësuese. Kush i analizon këto dhe i shikon me sy të drejtësisë dhe me fuqinë e mendjes së tij, e kupton se ai që ka pasur sukses, ka qenë i mbështetur në mesatare, jo vetëm në fjalët dhe veprat e tij, por edhe në të menduar dhe të kuptuar.

Së pesti: Durimi. Sepse durimi është veçori e dijetarëve, madje cilësi e profetëve
dhe të dërguarve. All-llahu thotë:

“Prandaj, ti bëhu i durueshëm (o Muhamed), ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të dërguarit e vendosur dhe mos kërko shpejtimin e dënimit për ata!”[1]

Në tjetër ajet, i Lartësuari thotë:

“Duro (o Muhamed), se me siguri, premtimi i Allahut është i vërtetë dhe s’ke pse të humbasësh durimin kurrsesi nga ata që nuk besojnë!”.[2]

Kujt i humbet durimi nuk është njeri me mendje të shëndoshë. Ai që nuk është i bindur prerë në atë se premtimi i All-llahut është i vërtetë, ai e ka humbur durimin dhe nuk mund të ketë përceptim të shëndoshë.

Durimi dhe maturia në secilën çështje janë shenjë e vazhdueshmërisë në mesatare dhe drejtësi, kurse ky është shkaku për të arritur sukses në realizimin e qëllimeve dhe objektivave.

Shkaqet që çojnë në devijim nga mesatarja dhe drejtësia

Shkaqet e devijimit prej mesatares dhe drejtësisë mund t’i përmbledhim në pikat në vijim:

1- Injoranca;

2- Ëndjet;

3- Dominimi i emocioneve mbi mendjen;

4- Mosdurimi dhe nxitimi në pritjen e rezultateve të ligjshme, si dhe propozimi i rezultateve jo të ligjshme;

5- Shpikja e risive në Fe (bidateve);

6- Akuzimi i dijetarëve dhe njerëzve të mençur, për servilizëm dhe heqje dorë nga e vërteta.

Vijon…

Përktheu: Xhemal Jakupi

_________________________________________

[1] El Ahkaf: 35.

[2] Er Rum: 60.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit