Metodologjia e Ehlu Sunetit është e përshtatshme për çdo kohë dhe vend

Shejh: Salih El Feuzan (Allahu e ruajt)

Pyetje: Disa njerëz pretendojnë se metodologjia e Ehlu Sunetit më nuk është e përshtatshme për kohën në të cilën jetojmë, duke argumentuar (sipas tyre) me atë se normat fetare në të cilat thërret Ehlu Suneti, nuk mund të jetësohen në ditët tona.

Përgjigje: Ai i cili thotë se metodologjia e Selefëve të mirë (Selefus-salih) më nuk është e përshtatshme për kohën në të cilën jetojmë, konsiderohet si i devijuar dhe devijues (i të tjerëve), sepse metodologjia e Selefëve të mirë është metodologjia të cilën jemi urdhëruar nga Allahu ta ndjekim, derisa të vjen Kiameti.

Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Vërtet, ai i cili do të jetojë (më gjatë) prej jush, do të shohë kundërshti të shumta. (Mirëpo ju) ndiqeni sunetin tim dhe sunetin e kalifëve të drejtë e të udhëzuar pas meje; kapuni fort për të dhe shtrëngojeni me dhëmballë” (Ahmedi në “Musned” (4/126-127), Ebu Daudi (4/200), Tirmidhiu (7/319-320) të gjithë nga hadithi i El Irbad bin Sarijeh radijAll-llahu anhu).

Ky (hadith) është mesazh drejtuar umetit, deri në ditën e Kiametit. Ai aludon se patjetër duhet të ecim sipas metodologjisë së Selefëve të mirë dhe se kjo metodologji është e përshtatshme për çdo kohë dhe për çdo vend.

Allahu i Patëmeta thotë: “Sa u përket besimtarëve të parë prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë…” (Et-Teubeh: 100). “dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim”, (kjo pjesë) përfshin tërë ummetin, derisa të vjen Kiameti. Prandaj, i tërë ummeti e ka obligim ndjekjen e metodologjisë së besimtarëve të parë prej muhaxhirëve dhe ensarëve.

Imam Malik bin Enesi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk mund ta përmirësojë fundin e këtij ummeti veçse ajo që e ka përmirësuar fillimin e tij”.

Andaj, ai i cili dëshiron ta shkëpus ummetin nga Selefët e mirë, ua do të keqen myslimanëve. Ai dëshiron ndryshimin e Islamit dhe përhapjen e bidateve dhe mëkateve.

Ky njeri patjetër duhet të refuzohet, t’i hidhet poshtë argumenti dhe t’u tërhiqet vërejtja njerëzve nga sherri i tij. Sepse patjetër duhet të kapemi për metodologjinë e selefëve, t’i ndjekim ata dhe të ecim sipas metodologjisë së tyre. Kjo është në Librin e Allahut dhe në sunetin e të Dërguarit të Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), siç e cekëm më lartë.

Pra, ai i cili dëshiron ta shkëpus fundin e ummetit nga selefët (të parët) e tij, dëshiron trazira në tokë. Atij duhet të mos i pranohet fjala, t’i hidhet poshtë dhe (duhet) të paralajmërohen të tjerët nga sherri i tij.

Këtë fjalë të keqe (se metodologjia e Ehlu Sunetit nuk është e përshtatshme për këtë kohë) e thanë Shiat dhe të tjerët që janë të pajtimit me ta prej të devijuarve (që i largojnë të tjerët nga rruga e drejtë), kështu që nuk duhet të merren në konsideratë.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit