Mirësitë e Allahut ndaj robërve të Tij-2

Ibn Kajim el Xheuzije

Kjo mirësi e përgjithshme, është ajo me të cilën realisht duhet të gëzohet besimtari. Gëzimi me të është gëzim me diçka që do Zoti dhe është i kënaqur me të, meqë Allahu i lartësuar nuk i do të ngazëllyerit.[1]

Allahu i lartësuar thotë:

‘Thuaj: Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.’ (Kurani, 10:58)

Pohimet e selefëve sa i takon mirësisë dhe mëshirës së Allahut, vërtiten rreth faktit se ato janë Islami dhe Suneti. Dhe varësisht nga gjallëria e zemrës, është edhe gëzimi me to. Sa më shumë që thellohet në to, aq më i madh është gëzimi i zemrës. Aq sa, kur puqet me shpirtin e Sunetit, zemra kërcen nga gëzimi edhe kur njerëzit janë në kulmin e frikës.

-pozita e sunetit-

Vërtet që Suneti është fortesa e fortifikuar e Allahut; kush futet në të është prej të siguruarve. Është porta më e madhe e Tij, dhe ai që futet prej saj arrin tek Ai. Ai (suneti) i ngritë pasuesit e tij edhe kur ata, shkaku i veprave të tyre, janë të ulët. Drita e tij shkëlqen para tyre, atëherë kur dritat e bidatçinjëve dhe hipokritëve do të fikën. Pasuesit e Sunetit janë ata të cilëve u zbardhën fytyrat, atëherë kur pasuesve të bidatit u nxihen.

Allahu i lartësuar thotë:

‘Ditën (e Kiametit) kur disa fytyra do të zbardhen e disa të tjera do të nxihen.’ (Kurani, 3:106)

Ibn Abasi thotë: ‘Do të zbardhen fytyrat e pasuesve të Sunetit dhe bashkimit dhe do të nxihen fytyrat e pasuesve të bidatit dhe përçarjes.’

Ai është jeta dhe drita, me të cilat arrihet lumturia e robit, udhëzimi dhe triumfi.

Allahu i lartësuar thotë:

‘A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?!’(Kurani, 6:122)

-pozita e pasuesit të sunetit dhe pozita e pasuesit të bidatit-

Pra, pasuesi i sunetit ka zemër të gjallë dhe zemër të ndritur, kurse pasuesi i bidatit ka zemër të vdekur dhe të terratisur. Allahu i lartësuar, këto dy themele (jetën dhe dritën) i ka përmendur më shumë se një herë në librin e Tij dhe i bëri ato cilësi të besimtarëve, ndërsa të kundërtat e tyre, cilësi të jobesimtarëve. Sepse, vërtet që zemra e gjallë dhe e ndritur, është ajo së cilës Allahu i jep mençuri, pranim dhe urtësi. I nënshtrohet njëshmërisë së Tij dhe e pason atë me të cilën u dërgua Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem).

Ndërsa zemër e vdekur, e nxirë, është ajo që nuk i jepet mençuri nga Allahu dhe nuk i bindet asaj me të cilën u dërgua Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem). Për këtë arsye, Allahu i lartësuar këtë tip njerëzisht, i cilëson si të vdekur, pa jetë, se janë në errësirë dhe nuk mund të dalin prej saj. Errësira ka përfshirë të gjitha poret e jetës së tyre.

Zemrat e tyre janë të errësuara dhe për pasojë, të vërtetën e shohin në formën e të kotës, dhe të kotën në formën e së vërtetës. Veprat e tyre janë errësirë, fjalët e tyre janë errësirë, gjendja e tyre, e tëra është errësirë, varret e tyre u janë mbushur errësirë. Dhe kur (Ditën e Kiametit) të jenë ndarë dritat para urës për të kaluar mbi të, ata do të mbetën në errësirë dhe njëkohësisht, hyrja e tyre për në zjarr është errësirë. Kjo është errësira në të cilën u krijuan krijesat fillimisht.

Pastaj, atë që Allahu e deshi të lumtur, e nxori në dritë, ndërsa atë që e deshi të mjerë, e la në errësirë, siç ka transmetuar imam Ahmedi (në musned) dhe Ibn Hibani në sahihun e tij, hadithin e Abdullah bin Amrit, nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) të ketë thënë:

‘Vërtet që Allahu i krijoi krijesat në errësirë, pastaj u hodhi prej dritës së Tij. Ai që u kap nga kjo dritë, u udhëzua; ndërsa kë e shmangu kjo dritë, devijoi. Për këtë po them: Është fishkur pena (nuk shkruan më) nga dija e Allahut’ [2]

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) i lutej Allahut t’ia ndritë zemrën, dëgjimin, shikimin, qimet, lëkurën, mishin, eshtrat, gjakun; ta ndritë nga poshtë, nga e djathta dhe e majta, nga prapa dhe para; ta ndritë gjithë qenien dhe çdo pjesë e shqisë të tij, të dukshme e të padukshme, dhe t’ia ndritë gjashtë anët.

Ubej bin Kabi thotë: ‘Hyrja e besimtarit është prej drite, dalja e tij është prej drite, fjalët e tij janë dritë, veprat e tij janë dritë’.

Kjo dritë, varësisht nga forca a dobësia e saj, i shfaqet personit Ditën e Kiametit dhe i shkëlqen nga përpara dhe nga e djathta. Dikush prej njerëzve do të ketë dritë sa ajo e diellit, dikush tjetër sa drita e një ylli, dikush tjetër sa gjatësia e palmës, dikush edhe më pak se kaq. Dikujt i jepet dritë vetëm në majë të gishtit të madh të këmbës, e cila herë i ndritë, herë i fiket. Pra, aq sa ishte drita e besimit dhe e pasimit të tij në këtë botë. Pikërisht kjo dritë shfaqet atje (mbi Sirat) dhe perceptohet nga shqisat dhe shikimi.

Allahu i lartësuar thotë:

‘Dhe kështu, me urdhrin Tonë Ne të shpallëm ty shpirtin. Ti më parë nuk e ke ditur se çfarë është Libri e as ç’është besimi. Por atë (shpirtin/shpalljen), Ne e bëmë dritë, me anë të së cilit udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë.’ (Kurani, 42:52)

Pra, shpalljen e Tij dhe urdhrin e Tij i quajti shpirt, meqë ai u jep jetë zemrave dhe shpirtrave; po ashtu e quajti dritë, sepse me të arrihet udhëzimi dhe ndriçohen zemrat, dhe është ndarës i të vërtetës nga e pavërteta.

Pati mospajtime sa i takon fjalëve të Tij ‘Por atë (shpirtin/shpalljen), Ne e bëmë dritë’ se kujt i referohet përemri (atë). Është thënë se i referohet Librit (Kuranit), po ashtu është thënë se i referohet besimit, por e vërteta është se i referohet shpirtit ‘me urdhrin Tonë Ne të shpallëm ty shpirtin’. Allahu i lartësuar njoftoi se urdhrin e Tij e bëri shpirt, dritë dhe udhëzim. Për këtë, pasuesit e Urdhrit dhe Sunetit, janë zbukuruar me rroba nga shpirti dhe drita, dhe të tjerat që shkojnë me to si këndshmëria, respekti, madhështia, pranimi, të cilat u janë mohuar të tjerëve. Ashtu siç thotë Haseni:

‘Besimtari është furnizuar me ëmbëlsi (këndshmëri) dhe respekt.’

Allahu i lartësuar thotë:

‘Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë. Sa për ata që nuk besojnë, mbrojtësi i tyre është djalli, i cili i nxjerr ata nga drita dhe i shpie në errësirë.’ (Kurani, 2:257)

Pra, mbrojtësit e tyre (djajtë) i kthejnë në atë që u krijuan: në errësirë e natyrës së tyre, injorancës dhe epsheve; dhe sa herë që u shkëlqen ndonjë shkëndijë e pejgamberllëkut dhe e shpalljes dhe janë gati të hyjnë, mbrojtësit e tyre i ndalojnë dhe i pengojnë prej saj. Dhe kështu i nxjerrin ata nga drita dhe i çojnë në errësirë.

Allahu i lartësuar thotë:

‘A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?!’ (Kurani, 6:122)

Allahu i lartësuar e ngjalli atë me shpirtin e Tij, d.m.th. me shpalljen e cila është shpirti i besimit dhe dijës. Dhe i dha dritë me të cilën ecë në mesin e atyre që janë në errësirë, ashtu siç ecën një njeri me një llambë ndriçuese në errësirë, i cili i sheh ata të errësirës në errësirën e tyre, kurse ata nuk e shohin atë. Ashtu siç ecën një njeri me shikim në mesin e të verbërve.[3]

vazhdon…

________________________________________________

[1] Është fjala për ngazëllimin e atyre që keqpërdorin të mirat e Allahut dhe nuk janë mirënjohës për to.

[2] Transmeton Tirmidhiu (nr. 2642); Ahmedi (2/176). Albani e ka vlerësuar të saktë në Es-Sahiha (nr. 1076).

[3] Burimi: Ixhtima el Xhujush el Islamije… – përktheu: B. K.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit