Mirësjellja ndaj prindërve- Hytbe | Petrit Perçuku

Mirësjellja ndaj prindërve

Hytbe | Petrit Perçuku

Janë krijuar shpirtrat dhe zemrat e njerëzve në atë mënyrë që të duan dhe lidhen për atë që të bën mirë, dhe nuk ka në mesin e njerëzve që të kanë bërë mirë më shumë dhe që kanë vlerë më të madhe sesa prindërit e tu. Për këtë arsye, Allahu e ka përmendur në Kuran hakun e tyre së bashku me hakun e Tij, kështu që për Allahun është dhe i takon adhurimi i sinqertë, ndërsa për prindërit është përkujdesa dhe sjellja e mirë ndaj tyre. Thotë Allahu: “Adhurojeni vetëm Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë, dhe silluni mirë me prindërit…” Nisa 36.

 

Vërtet vlera e prindërve dhe mirësitë e tyre ndaj teje janë shumë të mëdha. Kujtoje gjendjen tënde si fëmijë dhe dobësinë e fëmijërisë tënde. Thotë Allahu: “Zoti im, mëshiroi ata ashtu si më kanë rritur kur unë isha i vogël!” Isra 24.

 

Të barti nëna në brendësinë e saj duke duruar mundim pas mundimi, pastaj me mund të madh të lindi. Rritja jote brenda saj nuk i ka shtuar veçse dhimbje e ligështim, ndërsa kur të lindi e pa vdekjen me sytë e saj nga dhimbjet e mëdha. Mirëpo, kur të shikoi ty afër saj shpejt i harroi të gjitha dhimbjet dhe i lidhi për ty të gjitha shpresat e saj, pa në ty gjallërinë e jetës dhe bukurinë saj. Pastaj u angazhua natë e ditë në mënyrë që të të shërbejë siç është më së miri. Ushqimi yt ishte gjiri i saj, shtëpia jote ishte prehri i saj, të barti kudo me duart e saj, të ushqeu me shëndetin e saj, të mbrojti dhe përkujdesej për ty, e duronte urinë në mënyrë që ti të ngopesh, e duronte pagjumësinë në mënyrë që ti të flesh rehat. I jepte përparësi lumturisë sate ndaj lumturisë së saj, gëzimi i saj ishte në gëzimin tënd, ajo ishte me ty plot mëshirë e dhembshuri.

 

Me të vërtetë se ti në fëmijëri ke qenë shumë i lidhur për nënën tënde, në sytë e tu ajo ishte gjithçka, kur largohej nga sytë e tu ti e thirrje, kur goditeshe nga ndonjë gjë e urryer kërkoje ndihmën e saj. Mendoje se të gjitha të mirat janë tek ajo, mendoje se e keqja nuk do të arrinte tek ti kur ajo të përqafonte apo të shikonte me sytë e saj. Zemra e saj ishte e angazhuar vetëm me ty dhe të linte nën përkujdesjen dhe mbikëqyrjen e Allahut. Ushqente ndjenja të mëdha për ty, sepse ti për të ishe pjesë e shpirtit dhe trupit të saj, dhe për këtë arsye ti ishe shpresa më e madhe e saj dhe gjëja më e mirë që i ka ndodhur në jetë.

 

Ndërsa babai yt është ai i cili nxiton dhe lodhet për shkakun tënd, të mbron nga çdo gjë që të shqetëson, punon dhe udhëton pa ndërprerë në mënyrë që të shpenzojë për ty dhe për përmirësimin tënd.

 

Prindërit e tu për shkakun tënd kanë përjetuar lodhje dhe vështirësi të shumta. Në zemrat e tyre është mbjell dashuria për ty. Nuk lënë ndonjë gjë e cila është në mundësinë e tyre veçse e japin në mënyrë që të të gëzojnë ty. Ti je prehja e syve të tyre, bukuria e ngushëllimi i jetës së tyre dhe shpresa e  ardhmërisë së tyre. Shpenzimi i pasurisë nuk është asgjë për ta. Në qoftë se ti sëmuresh nuk kursejnë asgjë për ty nëse kërkon nga ta. Nga nektari i tyre je ushqyer dhe në prehrin e përqafimet e tyre je rritur.

 

Këta janë prindërit e tu për të cilët na ka porositur Allahu duke thënë: “Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e mbart atë me mund dhe me mund e lind…” Thotë Hasan el Basriu: “Haku i babait është më i madh, ndërsa haku i nënës është më obligativ.” Ahkaf 15.

 

Mirësitë e mirësjelljes ndaj prindërve

Myslimanë të nderuar!

Me të  vërtetë se njeriu i ndershëm është ai i cili është krenar me prindërit e tij. Allahu i ka bërë prindërit vendkthim të lumturisë, dhembshurisë dhe dashurisë. Haku i tyre është i madh, të mirat e tyre nuk mund të kthehen kurrë dhe mirësitë e tyre janë më të mëdha se mirësitë e çdo njeriu tjetër.

 

Sjellja e mirë me prindërit është shenjë e ndershmërisë, mirësisë dhe përsosmërisë së moralit, është shkak i shtimit të rizkut, zgjatjes së jetës dhe rrugë drejt xhenetit. Thotë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Prindi është dera e mesme e xhenetit, kështu që kush dëshiron le ta humbë atë derë apo le ta ruajë.”

 

Lumturia jote zgjatë aq sa zgjatë edhe jeta e tyre, ndërsa në përkujdesjen ndaj tyre dhe sjelljen e mirë me ta zbresin bekimet mbi ty dhe pasardhësit e tu. Ata janë shkaku që të hysh në xhenet apo zjarr. Erdhi një njeri tek Abdullahi iben Umeri dhe e pyeti për disa gjynahe që i kishte vepruar, atëherë ai i tha: “A dëshiron të ikësh nga zjarri dhe të hysh në xhenet?” Ai i tha: “Po, pasha Allahun.” Ai i tha: “A i ke të gjallë prindërit?” Tha: “E kam të gjallë nënën”. Atëherë i tha: “VAllahu sikur të flasësh butësisht me të dhe t’i japësh ushqim ashtu siç duhet, do të hysh në xhenet, nëse i largohesh gjynaheve të mëdha.”

 

Shoqërimi i prindërve është shoqërimi më i mirë përmes të cilit shpëton nga trishtimet dhe shkatërrimet, është shkak për lumturinë e njeriut në këtë dhe botën tjetër dhe është obligim në fenë e Allahut. Thotë Allahu: “Kujtoni kur Ne morëm besën tuaj, o bijtë e Izraelit se do të adhuroni vetëm Allahun, do të silleni mirë me prindërit…” Bekare 83.

 

Sjellja e mirë me prindërit është morali i Pejgamberëve dhe njerëzve të mirë, është shkak për largimin e vështirësive dhe pranimin e lutjeve. Përmes saj hapen zemrat dhe përmirësohet jeta. Thotë Allahu duke e përshkruar Jahjan: “Dhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm.” Merjem 14. Dhe thotë Allahu duke e përshkruar Isain: “…dhe më ka bërë që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër e të padëgjueshëm.” Merjem 32.

 

Sjellja jonë ndaj tyre

Myslimanë të nderuar!

Me të vërtetë, haku i prindërve pasqyrohet në dashurinë ndaj tyre, bindjen ndaj tyre, sjelljen e mirë me ta, bisedat e sinqerta me ta, realizimin e dëshirave të tyre në të mirë dhe shpenzimin e pasurisë për ta sa të kesh mundësi. Thotë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Ti dhe pasuria jote i takoni babait tënd.”

 

Mbroji  dhe largo nga ta çdo gjë që i shqetëson, sepse ata largonin nga ti çdo të keqe kur ishe fëmijë. Thotë Allahu: “…mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.” Isra 23. Zgjidhi fjalët e duhura, shprehjet e bukura dhe fjalët e respektit, si dhe përkujdesjen më të sinqertë. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshire dhe tregohu modest me ta.

 

Nëse njeri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë, atëherë tregohu i butë dhe i mëshirshëm, i ndjeshëm dhe i dhimbshëm. Me të vërtetë haku i tyre është i madh, sado që të kujdesesh e sillesh mirë me ta kurrë nuk do të mundesh t’ua japësh hakun që meritojnë. Mirëpo, lute Allahun për ta gjatë jetës dhe pas vdekjes së tyre, duke e pranuar mangësinë tënde, dhe duke shpresuar mëshirën dhe kënaqësinë e Allahut. “Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe që të silleni mirë me prindërit.” Isra 23.

 

E keqja e mosbindjes ndaj prindërve

Robër të Allahut!

Nëse sjellja e mirë me prindërit është shenjë e përmbushjes së detyrimit që kemi ndaj tyre dhe argument për moralin dhe edukatën tonë, atëherë mosbindja ndaj tyre është shenjë e mjerimit dhe humbjes. Mosbindja ndaj prindërve është përbuzje e të mirave të tyre dhe argument për ligësinë e shpirtit dhe besimin e dobët të njeriut, është dobësi dhe shtrembërim i natyrshmërisë së drejtë, rrugë e cila të shpie në mjerim e pendim. Kthimi i të mirave të tyre me të keq, është dalje nga ajo që e ka ligjësuar Allahu, prej kthimit të së mirës me të mirë.

 

Mosbindja ndaj tyre është gjynah prej gjynaheve të mëdha. Thotë Pejgamberi: “A t’ju tregoj për gjynahet më të mëdha?” Shokët e tij thanë: “Po.” Ai tha: “Shirku dhe mosbindja ndaj prindërve.”

 

Mosbindja ndaj prindërve është shkak për hidhërimin e Allahut dhe privimin nga kënaqësia e Tij. Thotë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Është poshtëruar!” Shokët e tij thanë: “Kush, o i Dërguar i Allahut?” Tha: “Ai person prindërit e të cilit arrijnë pleqërinë, njeri prej tyre ose te dy, dhe nuk bëhen shkak për të që të hyjë në xhenet.”

 

Dënimi i Allahut për mosbindje ndaj prindërve arrin në këtë botë dhe lutja e prindërve kundër fëmijëve është e pranuar tek Allahu. Thotë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Tri lutje janë të pranuara, në pranimin e të cilave nuk ka dyshim: lutja e atij që i është bërë padrejtësi, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindërve kundër fëmijëve të tyre.”

 

Kështu që, kryeni detyrimet që i keni ndaj prindërve, silluni mirë me ta, binduni atyre nëse të urdhërojnë në gjëra të mira, përkujdesuni për ta me një përkujdesje të mirëfilltë dhe zbatoni urdhrin e Zotit tuaj, siç thotë në Kuran: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu, tek Unë do të ktheheni të gjithë.” Lukman 14.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit