Morali i besimtarëve dhe besimtareve-2

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

Ligjëratë e mbajtur në xhaminë Sulejman Er-raxhihij në Rijad – më 1407h/Rebi’ul-ahir

Kurani është përplot vargje, në të cilat Allahu i Patëmeta i qartëson cilësitë e besimtarëve dhe të besimtareve si dhe moralet e tyre. Njëri prej tyre është edhe vargu në kaptinën el- Bekaretu, ku Allahu thotë:

“Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët; e atij që jep nga pasuria e vet, pavarësisht nga dashuria për të, për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zeqatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun” (2:177).

Kjo është gjendja e të devotshmëve, meshkuj qofshin apo femra, dhe këto janë cilësitë e tyre, të cilat qartazi i tregoi Allahu në këtë varg fisnik të kaptinës El-Bekaretu, me Fjalën e Tij: “…por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun…”
Dhe kuptimi i vargut është: por posedues i mirësisë është ai i cili beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët. Ai i cili beson Allahun si Zot dhe të Adhuruar; i cili beson se (vetëm) Ai është i Adhuruari i tij i Vërtetë; se Ai është Krijuesi dhe Furnizuesi i tij; dhe se Ai është i Cilësuar me Emrat më të Bukur dhe me Cilësitë më të Larta. Askush nuk i ngjason Atij dhe askush nuk është i krahasueshëm dhe i barabartë me Të. Ai është i Përsosuri në Qenien, në Emrat, në Cilësitë dhe në Veprat e Veta. Nuk e kaplon mangësia nga asnjë aspekt, përkundrazi Atij i përket përsosmëria e pakufizueshme nga të gjitha aspektet. Siç edhe thotë Më i Larti:

“Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Es-Samedu (Zotëruesi i Vetëmjaftueshëm, Absolut me të gjitha Cilësitë e Përsosura në shkallën më të lartë. I Përjetshmi, i Pafillim dhe i Pambarim, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim dhe për të Cilin kanë nevojë të gjitha krijesat, ndërkohë që Ai s’ka nevojë për asgjë; Ai nuk ka brendësi, as ha dhe as pi). Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (112:1-4).

Gjithashtu, (posedues i mirësisë) është ai i cili beson Ditën e Fundit, d.m.th., beson ringjalljen pas vdekjes. Kjo dynja do të kalojë dhe do të vijë Dita e Fundit, e cila është Dita e Kiametit. (Dita e Kiametit) është një ditë e patjetërsueshme, e cila do të vijë , dhe Allahu do t’i ringjallë robërit e Tij, siç thotë:

“Mandej, pas kësaj ju do të vdisni, pastaj, ju me siguri që do të ringjalleni në Ditën e Kiametit”(23:15-16).

“Se Ora (e Kiametit) do të vijë, gjë për të cilën s’ka dyshim dhe se Allahu do t’i ringjallë ata që janë në varre” (22:7).

Pra, Dita e Fundit është dita e hesapit, e shpërblimit, e Xhenetit, e Zjarrit, e Peshojës, e Siratit (Urës), e dhënies së regjistrave në dorën e djathtë apo të majtë, e vendosjes së Peshojës dhe peshimit të veprave; (dhe në fund) pas gjithë kësaj, njerëzit përfundojnë ose në Xhenet, ose në Zjarr; besimtarët në Xhenet, lumturi e nderim, ndërsa jobesimtarët në Zjarr dhe ndëshkim poshtërues – Allahu na ruajt!

Gjithashtu, edhe besimi në engjëj, të cilët janë vazhdimisht në bindje ndaj Zotit të tyre dhe janë ushtri prej ushtrive të Tij dhe emisarë mes Allahut dhe robërve të Tij, në kumtimin e urdhrave dhe ndalimeve.

Allahu thotë:

“Të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato” (66:6).

I krijoi Allahu i Lartësuar nga nuri (drita) dhe ata gjithmonë i ekzekutojnë urdhrat e Tij, siç edhe thotë Ai:

“Jo, ata (engjëjt) janë robër të nderuar. Ata nuk flasin para (Fjalës së) Tij dhe veprojnë me Urdhrin e Tij. Ai e di se ç’ka para tyre (ç’kanë vepruar) dhe ç’ka pas tyre (çfarë do të veprojnë), ndërsa ata ndërmjetësojnë vetëm për atë me të cilin Ai është i kënaqur, e prej frikës së Tij qëndrojnë me nderim dhe frikë (se mos i ndëshkon)” (21:26-28).

“Të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato” (66:6).

Pastaj besimi në Libër; me Libër kihet për qëllim librat e zbritur nga Qielli, dhe më madhështori prej tyre është Kurani fisnik. Ithtarët e besimit besojnë në të gjithë librat e zbritur Pejgamberëve të mëparshëm, prej të cilëve i fundit, më madhështori dhe më fisniku është Kurani Famëlartë, i cili i zbriti Muhamedit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem).

Gjithashtu, ata i besojnë të gjithë profetët dhe të dërguarit dhe i pohojnë si të vërtetë ata (dhe thëniet e tyre). I fundit, Vula dhe më i miri ndër ta është Muhamedi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem).

Ata (besimtarët/poseduesit e mirësisë) japin lëmoshë prej pasurisë së tyre, pavarësisht nga dashuria për të.

Dhe ky është kuptimi i Fjalës së Allahut:

“…e atij që jep nga pasuria e vet, pavarësisht nga dashuria për të, për të afërmit…”

Japin nga pasuria e tyre, edhe pse e duan shumë atë, për të afërmit e të tjerët si dhe për projekte bamirësie. Kështu janë ithtarët e besimit dhe të mirësisë; japin nga pasuria e tyre në rrugën e çdo të mire.

Ndërsa në vargjet tjera, Allahu thotë:

“Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne” (32:16).

“Besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe shpenzoni nga ato që Ai jua ka lënë trashëgim, se për ata midis jush që besojnë dhe shpenzojnë (për bamirësi), do të ketë shpërblim të madh!” (57: 7).

Ndërkaq, në këtë varg – vargun e kaptinës El-Bekaretu – Allahu i Patëmeta thotë:

“…e atij që jep nga pasuria e vet, pavarësisht nga dashuria për të, për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve…”

Dhe kuptimi i tij është: se ata japin nga pasuria e tyre në të gjitha këto drejtime; japin për farefisin (të afërmit), për jetimët, për të varfrit e ngratë që nuk i kanë të afërm, dhe për udhëtarët e mbetur rrugës, të cilët hyjnë në ndonjë vend duke mos qenë prej banorëve të tij, pastaj u harxhohen të hollat. Gjithashtu, edhe për lypësit të cilët kërkojnë (lypin) prej njerëzve, për shkak të nevojës dhe varfërisë që kanë; apo lypësit e panjohur, të cilëve nuk udihet gjendja, dhe kështu, u japin nga pasuria, sasi të cilat ua përmbushin nevojat.

Pastaj, Allahu tha:

“…dhe për lirimin e të robëruarve…”

D.m.th., japin nga pasuria e tyre për lirimin e të robëruarve; pra, për lirimin e skllevërve (meshkuj apo femra), si dhe për lirimin robërve të luftës.

Vazhdon vargu:

“…e atij që fal namazin dhe e jep zeqatin…”

Kuptimi: besimtarët e kryejnë namazin dhe e japin zeqatin, i ruajnë namazet dhe i kryejnë në kohët e tyre, ashtu siç i ka ligjësuar Allahu. Gjithashtu, e japin zeqatin në mënyrën e ligjësuar prej Tij.

“…dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka…”

D.m.th., kur premtojnë diçka (japin besën), e mbajnë fjalën e dhënë dhe nuk tradhtojnë.

“…e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte…”

Pra, durojnë në gjendje skamjeje, sëmundjeje, dhimbjeje, kur kanë plagë, e (sprova) të ngjashme me këto, si dhe në kohë lufte (gjatë luftimit).

Thotë Allahu:

“…këta janë besimtarët e vërtetë (njerëzit e së vërtetës) dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun”.

D.m.th., pikërisht këta janë njerëzit e së vërtetës, për arsye se besimin e tyre e realizuan përmes veprave të tyre të mira dhe frikës (devotshmërisë) ndaj Allahut të Lartësuar.

Në kaptinën El-Enfal dhe Beraetun (Et-Teubetu) janë përmendur disa prej cilësive tjera të besimtarëve. Ndërkaq, në kaptinën El-Mu’minun, Allahu i Lartësur thotë:

“Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre”. (Të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zeqatin, të cilët i ruajnë organet e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllave që kanë në zotërim dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve) -, të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet. Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht) – vazhdojnë vargjet, sh.p. – (23:1-11).

Gjithashtu, Allahu i ka përmendur cilësitë dhe moralet e besimtarëve edhe në vende tjera (brenda Kuranit). Kushdo që e lexon Kuranin famëlartë dhe përpiqet që ta kuptoj, e gjen një gjë të tillë. Lidhur me këtë, Allahu i Patëmeta thotë:

“Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët” (38:29).

“…Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira…” (17:9).

Dhe thotë Allahu:

“…thuaj: “Ai (Kurani) është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët…” (41:44).

Dhe Fjala e Tij:

“Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” (47:24).

Andaj, këshilla ime drejtuar vëllezërve dhe motrave të mia për hir të Allahut, si dhe njerëzve në përgjithësi dhe, po ashtu, vetes sime, është: përkujdesja ndaj Kuranit, përsiatja mbi kuptimet e tij dhe mësimi i tij përmendsh. Gjithashtu, të kujdesen për leximin e vazhdueshëm të Kuranit, herë nga mus’hafi, e herë nga ajo që e dinë përmendësh, nëselexuesi është prej atyre që e kanë mësuar përmendsh. (Të lexojnë) me meditim, me prezencë të mendjes dhe për shkak të kërkimit të dobisë. Siç thotë Allahu:

“Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët” (38:29).

Ndërsa, kjo zbatohet përmes veprës, dhe të kuptuarit/perceptimit, sepse Allahu i Patëmeta e zbriti këtë libër për të punuar me të, për të mësuar prej tij, dhe për ta kuptuar. Allahu thotë:

“Ky Libër që kemi shpallur, është i bekuar, prandaj ndiqeni dhe druajuni kundërshtimit, në mënyrë që të mëshiroheni” (6:155).

Pra, ai është zbritur për punë dhe për pasim, jo vetëm për lexim dhe mësim përmendsh, sepse mësimi përmendsh dhe leximi janë vetëm mjete (metoda), ndërsa qëllimi është dija rreth Kuranit dhe Sunetit, së bashku me besimin në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij si dhe zbatimi i urdhrave të Allahut dhe braktisja e ndalimeve të Tij. Të gjitha këto i mbledhë Fjala e Allahut në kaptinën Et-Teubetu:

“Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zeqatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë” (9:71).

Ky varg është ndër vargjet më përmbledhëse në qartësimin e cilësive të besimtarëve dhe besimtareve, moraleve madhështore të tyre si dhe obligimeve me të cilat janë të ngarkuar.

Andaj, Fjala e Më të Lartit:

“Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin…” aludon se besimtarët dhe besimtaret janë miq, këshillohen mes vete dhe e duan njëri-tjetrin për hir të Allahut, këshillojnë njëri-tjetrit për të vërtetën, për durimin dhe ndihmohen ndërmjet vete në punë të mira dhe devotshmëri.

Kështu është gjendja e të gjithë besimtarëve dhe besimtareve. Besimtari është mik i vëllait dhe motrës së tij në besim, ndërsa besimtarja është mike e vëllait dhe e motrës së saj në besim. Secili prej tyre ia do të mirën tjetrit, e thërret tek hajri dhe gëzohet nëse ai/ajo qëndrojnë (të paluhatshëm) në të. Ai ia largon të keqen (sherrin), nuk e përgojon dhe nuk flet kundër tij apo nderit tij. Ai nuk dëshmon rrejshëm kundër tij, nuk e shan dhe nuk pretendon kundër tij me pretendime (deklarata) të kota. Kështu janë besimtarët e besimtaret.

E, nëse e ke lënduar vëllanë apo motrën tënde në besim përmes përgojimit, sharjes, teprimit në dhënien e këshillës, rrenës etj., atëherë dije se imani yt është i mangët dhe i dobët. Sikur imani yt të ishte ashtu si duhet dhe i plotë, nuk do ta bëje një gjë të tillë dhe nuk do t’i bëje zullum vëllait tënd; nuk do t’i tejkaloje kufijtë ndaj tij përmes përgojimit apo teprimit në dhënien e këshillës; apo pretendimeve të kota, apo dëshmisë dhe betimit të rrejshëm, apo sharjes dhe të ngjashme me këto.

Andaj, besimi në Allahun, në të Dërguarin e Tij, frika ndaj Allahut, mirësia e udhëzimi, të gjitha këto e pengojnë poseduesin e tyre nga tejkalimi i kufijve kundrejt vëllait apo motrës së vet në besim. (Nuk i tejkalon kufijtë ndaj tyre) me përgojim, me sharje, me rren, me pretendime të kota, me dëshmi të rreme apo me gjëra tjera prej llojeve të zullumit, sepse imani i tij e ndalon nga një gjë e tillë dhe e mbron nga lëndimi i të tjerëve.

Pastaj Allahu i Patëmeta tha…

Vijon inshaAllah…!

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit