Morali i besimtarëve dhe besimtareve-3

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

Ligjëratë e mbajtur në xhaminë Sulejman Er-raxhihij në Rijad – më 1407h/Rebi’ul-ahir

Pastaj Allahu i Patëmeta tha:

“…ata (besimtarët dhe besimtaret) urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat…” (9:71).

Ky është një obligim madhor përmes të cilit përmirësohet ummeti, ndihmohet feja dhe eliminohen shkaqet e shkatërrimit, gjynaheve dhe sherreve.

Andaj, besimtarët dhe besimtaret urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat. Besimtari nuk heshtë, kur ta shohë ndonjë të keqe tek vëllai i tij, por e ndalon nga ajo. Gjithashtu, nëse sheh ndonjë të keqe tek motra e tij, tek halla, tek tezja, apo tek të tjerat, i ndalon nga ajo. Kështu është çështja, edhe nëse sheh tek vëllai apo motra e tij shkujdesje ndaj obligimeve; ai i ndalon nga një gjë e tillë dhe i urdhëron që të kryejnë vepra të mira me butësi, me urtësi dhe me mënyrën (sjelljen) më të mirë.

Pra, besimtari, kur tek vëllai i tij në besim vëren dembelizëm në kryerjen e namazeve, apo përgojim, apo bartje fjalësh, apo pirje të duhanit e të pijeve dehëse, apo mosrespektim të prindërve apo njërit prej tyre, apo shkëputje të lidhjeve farefisnore, e ndalon nga të gjitha këto me fjalë të mira dhe me metodë të mirë, jo me llagape të urryera e me mënyrë të ashpër (vrazhdë); (dhe kështu) ia qartëson se një gjë e tillë nuk i lejohet.

Gjithashtu, nëse vëren tek motra e tij besimtare ndonjë të keqe, si: mosrespektim ndaj prindërve, sjellje të keqe ndaj bashkëshortit të saj, shkujdesje në edukimin e fëmijëve apo shpërfillje në kryerjen e namazit, e ndalon nga ajo, pavarësisht (ai që e ndalon) a është bashkëshorti i saj, babai i saj, vëllai i saj, djali i motrës së saj apo djali i vëllait të saj, bile, edhe nëse nuk është i afërt me të, por prej atyre që e dinë një gjë të tillë.

Edhe ajo, po ashtu, nëse vëren tek bashkëshorti i saj shkujdesje, si: pirje të alkoolit apo të duhanit, shpërfillje në kryerjen e namazit apo kryerjen e tij (namazit) në shtëpi e jo në xhami, e ndalon nga ajo, por e ndalon me mënyrën më të mirë dhe me fjalë të buta. P.sh. i thotë: “O filan, ki frikë Allahun dhe dije se je nën Mbikëqyrjen e Tij. Kjo që je duke e vepruar nuk të lejohet. Falu së bashku me xhemat dhe braktisi ato që t’i ka ndaluar Allahu prej pijeve dehëse, duhanit, rruajtjes së mjekrës, zgjatjes së mustaqeve apo lëshimit të rrobave nën zogun e këmbës”.

Secili prej besimtarëve/besimtareve dhe njerëzve të mirë (përmirësues) duhet t’i ndalojnë të gjitha këto të këqija. Bashkëshorti, bashkëshortja, vëllai, i afërmi, komshiu, shoku dhe të tjerët, të gjithë duhet t’i ndalojnë këto të këqija, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar në përshkrimin e besimtarëve dhe besimtareve:

“…ata (besimtarët dhe besimtaret) urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat…” (9:71).

Dhe thotë Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem):

“Vërtet, kur njerëzit e shohin të keqen dhe nuk e ndryshojnë, së shpejti pritet që Allahu t’i përfshijë të gjithë me Dënimin e Tij”.

Dhe gjithashtu thotë:

“Kush prej jush sheh ndonjë të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij. E nëse nuk mundet, (le ta ndryshojë) me gjuhën e tij. E nëse nuk mundet, (le ta urrejë) me zemrën e tij, ndonëse ky është besimi më i dobët.”

Ky urdhër është i përgjithshëm për të gjitha gjynahet, pavarësisht a janë ato në rrugë, në shtëpi, në xhami, në aeroplan, në tren, në veturë, apo në çfarëdo vendi tjetër. Gjithashtu, ai (urdhri) përfshin të gjithë, meshkujt dhe femrat. Gruaja dhe burri flasin e urdhërojnë që të kryhen punë të mira dhe pengojnë të këqijat, sepse në këtë është përmirësimi dhe shpëtimi i të gjithëve.

Nuk lejohet heshtja ndaj gjynaheve nga frika se mos ia lëndojmë ndjenjat bashkëshortit, vëllait apo filanit e filanit. Mirëpo, (i pengojmë gjynahet) me metodën dhe fjalët më të mira e jo me ashpërsi e vrazhdësi.

Gjithashtu, (kjo bëhet) duke i marrë në konsideratë kohët më të përshtatshme, sepse ka mundësi që disa njerëz, në kohë të caktuara, nuk i pranojnë këshillat, por në kohë tjera janë të gatshëm për pranimin e tyre.

Andaj, besimtari dhe besimtarja gjatë urdhërimit për të mirë dhe ndalimit të së keqes, duhet të marrin parasysh kohët e përshtatshme dhe mos t’i humbin shpresat nëse nuk pranohen këshillat prej tyre sot, sepse ka mundësi që u pranohen të nesërmen. Pra, besimtari dhe besimtarja nuk duhet të dëshpërohen, por të vazhdojnë në pengimin e së keqes, në urdhërimin e të mirës dhe në këshillimin për hir të Allahut dhe për robërit e Tij, duke pasur mendim të mirë për Allahun dhe shpresë për shpërblimin e Tij.

Pastaj, Allahu i Lartësuar tha:

“…falin namazin, japin zeqatin…” (9: 71).

Kështu është gjendja e besimtarëve dhe besimtareve; e kryejnë namazin dhe e ruajnë atë në kohët e tij të caktuara. Burrat e falin dhe e ruajnë atë në xhami, së bashku me vëllezërit e tyre në xhemat. Nxitojnë për tek ai (namazi) në të gjitha kohët, sa herë që ta dëgjojnë thirrësin duke thënë: “Ejani në namaz, ejani aty ku është shpëtimi/suksesi!”

Është obligim për çdo besimtar ta dijë së është nën Mbikëqyrjen e Allahut dhe të ketë kujdes nga ajo me të cilën janë sprovuar shumica e njerëzve – Allahu na ruajt – prej kryerjes së namazit në shtëpi dhe mos-faljes së tij së bashku me xhemat, derisa me këtë vepër të tyren i ngjasuan mynafikëve. Falet në shtëpi, edhe pse Allahu i ka dhënë shëndet e siguri, bile ndoshta edhe e vonon namazin e sabahut, deri pas lindjes së Diellit dhe e falë në kohën kur i duhet të ngrihet për punë, apo ndoshta edhe e braktisë faljen tij në tërësi.

E, pikërisht kjo është belaja e madhe dhe e keqja e rrezikshme. Namazi është shtylla e Islamit. Kush e ruan atë, e ka ruajtur fenë e tij, ndërsa kush e humbet atë, është më se e natyrshme t’i humbasë e t’i çojë dëm edhe gjërat e tjera veç tij.

Kush e braktisë namazin, ka bërë kufër, siç edhe thotë Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem): “Marrëveshja midis nesh dhe atyre (jobesimtarëve) është namazi. Andaj, kush e braktisë atë, ka bërë kufër.”

Kjo përfshin meshkujt dhe femrat. Gjithashtu, Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Mes njeriut, kufrit dhe shirkut është braktisja e namazit.”

Andaj, nuk i lejohet besimtarit apo besimtares shkujdesja në këtë çështje dhe nuk i lejohet burrit falja e namazit në shtëpi, por duhet të dalë në xhami. Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Kush e dëgjon thirrjen për namaz (ezanin) dhe nuk vjen (në xhami), ai nuk ka namaz, vetëm nëse ka pasur ndonjë arsye.”

Erdhi njëri tek Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe tha:

“O i Dërguar i Allahut, unë jam i verbër dhe s’kam askënd që të ma tregoj rrugën deri tek xhamia. A ka ndonjë lehtësim për mua, që të falem në shtëpi?”

“A e dëgjon thirrjen për namaz?” – ia ktheu ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

“Po” – tha njeriu i verbër.

“Atëherë, përgjigju!” – tha Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem).

Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) nuk i dha leje atij që të falej në shtëpi, edhe pse ishte i verbër dhe s’kishte askënd që t’ia tregonte rrugën deri në xhami. E, si është gjendja me të shëndoshin, atë që s’është i verbër!?

Është saktësuar nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) të ketë thënë:

“Desha të jepja urdhër që të falej namazi dhe të urdhëroja dikë t’u printe njerëzve, pastaj, së bashku me ca burra të cilët mbartin me vete tuba drurësh, të shkoja tek disa njerëz që nuk prezantojnë në namaz e t’ua digjja mbi ta shtëpitë e tyre.”

Kjo aludon për madhështinë e kësaj çështjeje. Andaj, është obligim përkujdesja ndaj namazit, nxitmi në faljen e tij nëpër xhamia, si dhe kujdesi nga dembelizmi dhe ngurrimi në kryerjen e tij, sepse dembelizmi dhe ngurrimi në kryerjen e namazit janë prej shenjave të mynafikëve – Allahu na ruajt nga gjendja e tyre -, siç thotë Allahu i Patëmeta:

“Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë dhe vetëm sa për t’u dukur para botës, dhe Allahun e përmendin fare pak” (4: 142).

Pra, përkujdesja ndaj namazit është obligim për çdo mysliman dhe myslimane, i cili është boshti i Islamit dhe shtylla më madhore e tij, pas dy shehadeteve (dëshmive). Andaj, kush e ruan atë, e ka ruajtur fenë e tij, ndërsa kush e humbet, e ka humbur fenë e tij – ue la haule ue la kuw-wete il-la bil-lah -.

Pa dyshim se prej ruajtjes së namazit dhe kryerjes së tij ashtu siç kërkohet është përulësia (përkushtimi) gjatë tij dhe mos-tejkalimi i imamit. Allahu thotë:

“Me të vërtetë, kanë shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre” (23: 1-2).

Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Hajni më i keq në mesin e njerëzve është ai, i cili vjedh namazin e tij.”

“O i dërguar i Allahut, e si e vjedh namazin e tij?” – thanë të pranishmit.

“Nuk i plotëson rukutë dhe sexhdet e tij” – tha ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem).

E, kur Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e pa një njeri i cili falej keq dhe nuk i plotësonte rukutë dhe sexhdet e namazit, e urdhëroi ta përsëriste atë, dhe i tha:

“Kur të ngrihesh për t’u falur, merr abdes siç është më së miri, pastaj drejtohu kah kibla dhe thuaje tekbirin, pastaj këndo çka është më lehtë për ty nga Kur’ani(atë çka e di përmendësh), pastaj bëj ruku, derisa të qetësohesh në të; pastaj ngrije kokën dhe qëndro drejt, pastaj bëj sexhde, derisa të qetësohesh në të; pastaj ulu me kujdes, derisa të qetësohesh; pastaj bëj sexhde, derisa të qetësohesh në të, dhe vepro kështu në të gjithë namazin tënd.”

Shumica e njerëzve çukisin (si këndes) në namazet e tyre, dhe pa dyshim se kjo është një e keqe e madhe. Sepse ai që çukit në namazin të tij, nuk ka namaz, siç ka ardhur në hadithin e lartpërmendur. Pra, gjithsesi duhet të qetësohen të gjitha gjymtyrët e trupit gjatë rukusë, sexhdes, ngritjes (drejtimit) pas rukusë dhe mes dy sexhdeve; gjithmonë duke pasur kujdes nga tejkalimi i imamit. Andaj, nëse je duke u falur me imam, mos e tejkalo. Kur ta thotë ai tekbirin, mos e thuaj, derisa ta thotë dhe ta përfundojë ai. E, kur të thotë: “Allahu Ekber” dhe bie në ruku, mos bjer, derisa ai ta drejtojë shpinën dhe t’i ndërpritet zëri. Pastaj bjer në ruku. Kështu vepro edhe gjatë sexhdes. Mos ia tejkalo imamit dhe as mos lëviz së bashku me të. Asnjërën nga këto dyja.

Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Vërtet, unë jam imami juaj, andaj mos më tejkaloni me ruku, as me sexhde, as me ngritje (qëndrim) dhe as me dalje (nga namazi).”

Dhe thotë:

“Vërtet, imami është vendosur në mënyrë që të udhëhiqeni nga ai, andaj mos jini të ndryshëm prej tij. Por, kur ta thotë ai tekbirin, thojeni edhe ju, dhe mos e thoni derisa ta thotë ai. E, kur të bie në ruku, bini edhe ju, dhe mos e bëni rukun derisa ta bëjë ai. E, kur të thotë: “semiAll-llahu limen hamideh”, ju thoni: “Rab-bena ue lekel-hamdu”. E, kur ta bie në sexhde, bini edhe ju, dhe mos e bëni sexhden derisa ta bëjë ai.”

Për çdo kënd që Allahu i ka dhënë sukses, kjo është një çështje e qartë dhe e çiltër. Mirëpo, disa njerëz nuk durojnë, por nxitojnë dhe e tejkalojnë imamin – Allahu na ruajt -, andaj duhet të ruhemi nga një gjë e tillë.

Prej gjërave që ndihmojnë në ruajtjen e namazit të sabahut në kohën e tij dhe faljen e tij në xhemat është gjumi i hershëm dhe të mos rrish zgjuar deri në orët e vona të natës. Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e urrente gjumin para namazit të jacisë dhe bisedën pas tij. Andaj, secili besimtar dhe besimtare duhet të japin çdo gjë që është në mundësinë e tyre për ruajtjen dhe kryerjen e namazit në kohën e tij dhe të mos rrihet zgjuar pas jacisë. Sepse, kjo ka mundësi të shkaktojë rëndim të gjumit dhe mos-falje të namazit të sabahut në kohën e tij. Njëkohësisht, duhet të ndihmohemi me orët e pajisura me alarme zgjimi.

Gjithashtu, duhet të ndihmohen anëtarët e familjes ndërmjet vete rreth kësaj çështjeje, për shkak të Fjalës së Allahut:

“…ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi…!” (5: 2).

Dhe thotë:

“Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin” (103: 1-3).

Pra, doemos duhet të ketë këshillë e porosi të ndërsjellë për të vërtetën, si dhe ndihmesë (të ndërsjellë) në mirësi, në urdhërimin për të mirë dhe pengimin e së keqes para se të zbresë ndëshkimi.

Është saktësuar nga Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-leme) të ketë thënë:

“Vërtet, kur njerëzit e shohin të keqen dhe nuk e ndryshojnë, së shpejti pritet që Allahu t’i përfshijë të gjithë me Dënimin e Tij”.

Dhe ka thënë:

“Feja është këshillë” – tri herë.

“Për kë, o i Dërguar i Allahut?” – iu tha atij.

“Për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për prijësit e myslimanëve dhe për masën e gjerë të tyre” – tha ai.

Xherir bin Abdil-lah El-Bexhelij (radijAll-llahu anhu) thotë:

“Ia kam dhënë besën Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) për kryerjen e namazit, dhënien e zeqatit dhe këshillimin e çdo myslimani.”

Myslimani, kur ta dëgjojë ndonjë dobi, duhet t’ia përcjellë tjetrit dhe gjithashtu myslimania ia kumton motrës së saj dijen (dobinë) që e ka dëgjuar, për shkak të fjalës së Profetit (alejhissalatu ues-selam):

“Përcillni prej meje, qoftë edhe një varg (të Kuranit).”

Ndërkaq, kur u mbante hutbe njerëzve thoshte:

“Ai që prezanton, le t’ia përcjellë (këtë që ka dëgjuar prej meje) atij që mungon, sepse ka mundësi që ai që i është përcjellë, të kuptojë më shumë sesa dëgjuesi (i drejtpërdrejtë).”

Gjithashtu thotë:

“Kush merr rrugë për të kërkuar dije, Allahu ia lehtëson rrugën drejt Xhenetit.”

Në këtë hadith madhështor, hyn çdo kush që shkon në ndonjë xhami apo në çfarëdo vendi tjetër në të cilin jepet dije apo këshillë, për t’u pajisur me atë (dijen) dhe për të kërkuar dobi.

Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në një hadith tjetër thotë:

“Kujt Allahu ia do të mirën, ia dhuron të kuptuarit e fesë.”

Dhe:

“Allahu i dhëntë shkëlqim njeriut i cili e dëgjon thënien time, e kupton atë (e mëson mirë), pastaj e përcjellë ashtu siç e ka dëgjuar. Ka mundësi që bartësi i fikhut (dijes)nuk është fekih, dhe ka mundësi që bartësi i fikhut ta bartë atë te dikush që është më fekih se ai.”

Dhe thotë (alejhis-salatu ues-selam):

“Nuk ka grup njerëzish që tubohen në ndonjë shtëpi prej shtëpive të Allahut për ta lexuar Librin e Tij dhe për ta studiuar atë së bashku veçse mbi ta do të zbresë qetësia, do t’i mbulojë mëshira, do t’i rrethojnë engjëjt dhe Allahu do t’i përmendë tek ata që janë te Ai.”

Kjo aludon për ligjshmërinë e garës për tek rrathët (ligjëratat) e dijes, përkujdesjes ndaj tyre dhe (për ligjshmërinë e) përkushtimit që të tubohemi për leximin dhe studimin e Kuranit.

Prej kësaj që u cek është edhe dëgjimi i programeve fetare dhe bisedave të dobishme, të cilat emetohen nga radioja e Kuranit fisnik (në Arabinë Saudite, sh.p.), për të cilën kujdesen njerëz të njohur me dije, largpamësi dhe kredo (akide) të mirë.

Prej gjërave që dihen është se Allahu i Patëmeta i krijoi dy të rëndësishmit (njerëzit dhe xhindët) për ta adhuruar (vetëm) Atë. Ndërkaq, adhurimi assesi nuk duhet të jetë i zhveshur nga dija (rreth tij). Dhe njeriu nuk mund ta njohë adhurimin me të cilin është ngarkuar, veçse përmes të mësuarit dhe të kuptuarit e fesë. Allahu thotë:

“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë Mua.” (51: 56).

Atëherë, ç’është ky adhurim të cilin gjithsesi duhet ta dimë dhe ta mësojmë e kuptojmë mirë?

Adhurimi është çdo gjë që Allahu e ligjësoi dhe e deshi për robërit e Tij, si: namazi, agjërimi etj.

Pastaj, Allahu i Patëmeta tha:

“…japin zeqatin…” (9: 71).

Zeqati është haku i pasurisë, dhe myslimani e ka obligim që, me sinqeritet ndaj Allahut, t’ua japë zeqatin e pasurive të tij atyre që e meritojnë, me shpresë për shpërblimin e Tij dhe me frikë nga ndëshkimi i Tij.

Allahu na qartësoi se kush janë ata që e meritojnë zeqatin, me Fjalën e Tij:

“Lëmosha e zeqatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për të tërhequr zemrat e atyre që janë të prirë drejt Islamit, për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” (9: 60).

Më tej, Allahu i Lartësuar, pasi që përmendi namazin, zeqatin, miqësinë ndërmjet besimtarëve, urdhërimin për të mirë dhe pengimin e të keqes, tha:

“…dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij…” (9: 71).

D.m.th., në çdo çështje. Ashtu siç i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në urdhërimin për të mirë, pengimin e së keqes, në kryerjen e namazit, dhënien e zeqatit, po ashtu u binden në çdo çështje (tjetër). Kështu është besimtari dhe besimtarja; i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij në të gjitha urdhërimet dhe ndalimet, pavarësisht se në ç’vend janë. Dhe feja nuk mund të plotësohet veçse me këtë (që u përmend).

Vazhdon vargu:

“… këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu…” (9: 71).

Allahu i Patëmeta përmes këtyre Fjalëve, na qartësoi se ata të cilët qëndrojnë në fenë e Allahut, zbatojnë hakun e Tij dhe i binden Atij dhe të Dërguarit të Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), pikërisht ata do të jenë meritorët për mëshirën (e Allahut) në dynja dhe Ahiret, për shkak të bindjes së tyre ndaj Allahut, besimit në Të, dhe zbatimit të hakut të Tij.

Andaj, e tëre kjo aludon në atë se, ai që e kthen shpinën, është i shkujdesur dhe shpërfillës, e ka ekspozuar veten ndaj ndëshkimit dhe hidhërimit të Allahut.

Pra, mëshira arrihet me vepër të mirë, me përkushtim në bindje ndaj Allahut dhe me kryerjen e urdhrit të Tij. Ndërkaq, kush ia kthen shpinën kësaj dhe e pason epshin e shejtanin, atij do t’i përket Zjarri në Ditën e Kiametit. Allahu i Lartësuar thotë:

“Atëherë, ai që ka shkelur gjithçka dhe ka parapëlqyer jetën e kësaj bote, sigurisht që do të ketë për strehë Xhehenemin. Kurse ai që i është frikësuar qëndrimit para Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.”(79: 37-41).

E lusim Allahun me Emrat e Tij të Bukur dhe me Cilësitë e Tij të Larta që të na dhurojë sukses neve dhe myslimanëve në përgjithësi në marrjen e dijes së dobishme dhe kryerjen e veprave të mira. Gjithashtu, e lusim të na i përmirësojë zemrat dhe veprat tona, dhe të na bëjë prej atyre që ia këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën dhe durimin, e ndihmojnë njëri-tjetrin në mirësi e devotshmëri dhe në parapëlqimin e Ahiretit ndaj dynjasë, si dhe në përkujdesjen për çiltërsinë e zemrave dhe veprave, dhe ndihmesës së myslimanëve, kudo që gjinden!

Ue sal-lAll-llahu ue sel-leme ala nebij-jina Muhamed, ue ala alihi ue sahbihi!

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit