Morali i besimtarëve dhe besimtareve-1

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

Ligjëratë e mbajtur në xhaminë Sulejman Er-raxhihij në Rijad – më 1407h/Rebi’ul-ahir

Të gjitha lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, Zotin e botëve, dhe përfundimi i lumtur është për të devotshmit. Salati dhe selami qofshin për robin dhe të Dërguarin e Tij, krijesën më të zgjedhur, besnikun në kumtimin e shpalljes, profetin e imamin tonë, Muhamedin, për familjen e tij, shokët dhe ata të cilët e ndjekin rrugën e tij dhe udhëzohen me udhëzimin e tij, deri në Ditën e Gjykimit.

Më tej:

Vërtet, Allahu i Lartësuar e ka çuar Muhamedin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) me udhëzimin dhe fenë e së Vërtetës. Udhëzimi është: lajmi i vërtetë dhe dija e dobishme, ndërsa feja e së Vërtetës janë legjislacionet dhe vendimet (dispozitat) me të cilat është dërguar ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Më i Larti thotë: “Allahu është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me udhërrëfimin dhe fenë e së Vërtetës, për ta ngritur atë më lart se të gjitha fetë, edhe nëse nuk e pëlqejnë idhujtarët” (61:9).

Allahu i Patëmeta e dërgoi atë (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) te njerëzit dhe te xhinët, te arabët dhe te joarabët, te meshkujt dhe te femrat. E dërgoi si mëshirë për mbarë botët dhe si imam (prijës) për të devotshmit. E dërgoi që t’ua mësonte njerëzve fenë dhe të kuptuarit e saj; t’ua sqaronte shkaqet e shpëtimit dhe t’i paralajmëronte nga shkaqet e shkatërrimit; e dërgoi me fenë Islame. Allahu thotë: “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami” (3:19). E dërgoi atë (salAll-llahu alejhi ue sel-lem) me udhëzimin dhe me fenë e së Vërtetës; me lajme të vërteta, me dije të dobishme, me legjislacione korrekte dhe me dispozita të drejta. E dërgoi që të thërrasë në çdo të mirë dhe të ndalojë nga çdo e keqe; të thërrasë në morale të larta (fisnike) dhe vepra të mira e të ndalojë nga moralet e ulëta dhe nga veprat e liga. Allahu thotë:

“Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues për të gjithë njerëzimin” (34:28).

“Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed) veçse si mëshirë për botët” (21:107).

“Thuaj (o Muhamed): “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju, i Atij që i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Nuk ka të adhuruar me të drejtë, përveç Atij. Ai jep jetë dhe vdekje. Prandaj, besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk di shkrim e lexim e që beson në Allahun dhe Fjalët e Tij! Shkoni pas tij që të jeni në rrugën e drejtë!” (7:158).

Ndërkaq, para këtij vargu Më i Larti tha:

“Prandaj, ata që do ta besojnë (Muhamedin), do ta përkrahin dhe do ta nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit” (7:157).

Kjo është gjendja e kësaj feje madhështore dhe gjendja e këtij Profeti fisnik – alejhis-salatu ues-selam – , të cilin e dërgoi Allahu si mëshirë për mbarë botët, për xhinët dhe për njerëzit, për meshkujt dhe për femrat, për arabët dhe për joarabët. Bile, edhe kafshët i ka mëshiruar Allahu me dërgimin e tij, sepse ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) porositi që të sillemi mirë me to, t’i mëshirojmë dhe të jemi bamirës ndaj tyre.

Allahu i Lartësuar na e qartësoi se xhinët dhe njerëzit i krijoi që ta adhurojnë vetëm Atë, andaj tha: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë Mua” (51:56). D.m.th., që (i tërë) adhurimi i tyre të jetë sinqerisht vetëm për Mua dhe të më veçojnë me adhurim (vetëm Mua), t’i binden urdhrit Tim dhe të ndalen tek ndalimi Im. Pikërisht ky është adhurimi: bindja ndaj urdhrave të Allahut dhe ndalja tek ndalimet e Tij, me sinqeritet ndaj Tij, me besim në Të dhe në të dërguarit e Tij, me frikë (nga dënimi) e me shpresë (për shpërblim), me vërtetim të thënieve të Tij dhe të të Dërguarit (alejhis-salatu ues-selam) dhe me ndalje tek kufijtë e Tij. Allahu i Patëmeta me këto (që u cekën) i urdhëroi të gjithë, dhe tha:

“O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat)” (2:21). Ky urdhër përfshinë meshkujt dhe femrat, xhinët dhe njerëzit, arabët dhe joarabët.

Allahu gjithashtu thotë:

“Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim)” (4:36).

“Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij” (17:23).

“Kjo është rruga Ime e drejtë, prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat” (6:153).

Dhe (Ai) i mësoi ata në kaptinën fatihatul-kitab d.m.th. “el-hamdu”, që të kërkojnë prej Allahut udhëzimin në rrugën e drejtë, e cila është feja e Tij me të cilën ka ardhur Muhamedi (alejhis-salatu ues-selam), dhe është Islami, Imani, udhëzimi, devotshmëria dhe përmirësimi. Allahu i Lartësuar thotë:

“Çdo lavd-falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” (1:2-5).

E tërë kjo është lavdërim për Allahun e Lartësuar dhe orientim i robërve që të pranojnë se vetëm Allahu është i Adhuruari me të drejtë, dhe se vetëm prej Tij duhet të kërkohet ndihma në të gjitha çështjet.

Pastaj, i mësoi që pas këtyre fjalëve të thonë:

“Udhëzona në rrugën e drejtë!” (1:6).

Pasi që e lavdëruan e lartësuan Atë dhe pranuan se janë robër të Tij dhe se vetëm prej Tij duhet të kërkohet ndihma, Ai i mësoi të thonë:

“Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd e as në të atyre që janë të humbur!” (1:6-7).

Rruga e drejtë është feja e Allahut, Islami, Imani, dija e dobishme dhe vepra e mirë. Ajo është rruga e atyre që Ai u ka dhënë mirësi prej poseduesve të dijës dhe veprës (praktikuesve të saj). E ata janë shokët e Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe pasuesit e tyre në mirësi si dhe Pejgamberët e mëhershëm dhe ndjekësit e tyre. Kjo është rruga e drejtë, rruga e atyre që Allahu u ka dhuruar mirësi. Të cilët e njohën të vërtetën dhe vepruan me të, siç thotë Allahu:

“Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të vërtetët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh, sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” (4:69).

Kjo është -Es-siratul-mustekim – rruga e drejtë, rruga e tyre (që u përmendën). Ata janë Pejgamberët (alejhimus-salatu ues-selam) dhe ndjekësit e tyre, e në veçanti Profeti ynë, Muhamedi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe shokët e tij të ndershëm. Ne jemi urdhëruar që ta ndjekim atë (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe të ecim sipas metodologjisë së tij dhe sipas rrugës që e ndoqën shokët e tij (radijAllahu anhum); rrugë kjo e dijes dhe e veprës, siç edhe thotë Allahu:

“Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim, e edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu për ta ka përgatitur kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj, ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore!” (9:100).

Andaj, kjo rrugë është feja e Allahut, është ajo me të cilën Allahu e ka dërguar Profetin e Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) me dije dhe me vepër, me dije të dobishme dhe me vepër të mirë. Dhe kjo rrugë është udhëzimi dhe feja e së Vërtetës, me të cilat u dërgua Muhamedi (alejhis-salatu ues-selam). Është rruga të cilën Allahu i Madhërishëm e tregoi haptas në Kuran. Kjo rrugë madhështore është kryerja e urdhrave dhe braktisja e ndalimeve të cilat na i qartësoi Allahu në Kuran dhe përmes gjuhës së të Dërguarit të Tij besnik (alejhis-salatu ues-selam).

Myslimanët e kanë për detyrë të përsiatin për Librin e Allahut, Kuranin dhe ta kuptojnë atë. Gjithashtu, e kanë për detyrë ta mësojnë sunetin e të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe të këmbëngulin në të. Në Librin e Allahut dhe në sunetin e të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tregohen qartë urdhrat dhe ndalimet me të cilat ka ardhur Profeti ynë, Muhamedi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Gjithashtu, në to qartësohen moralet e besimtarëve dhe besimtareve, cilësitë dhe veprat e tyre, të cilat i ka lavdëruar Allahu i Patëmeta. Kushdo që përsiat për Librin e Allahut dhe përpiqet që ta kuptojë, do të gjejë një gjë të tillë. Dhe kushdo që përsiat për sunetin, i cili është jetëshkrimi i Profetit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe thëniet e tij, do të gjejë dhe do të kuptojë një gjë të tillë.

Prej kësaj (që u cek) është edhe ajo që e qartëson Allahu në fund të kaptinës El-Furkan, ku thotë:

“Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!”; dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë; dhe ata që thonë: “O Zoti ynë, largoje prej nesh ndëshkimin e Xhehenemit, sepse, me të vërtetë, dënimi i tij është i përjetshëm e ai është vendbanim dhe vendstrehim i keq”; dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes; dhe ata që nuk adhurojnë krahas Allahut të adhuruar tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë, dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të përballet me dënim të madh” (25:63-68).

D.m.th., kushdo që i shoqëron Allahut diç në adhurim apo e vretë dikë pa të drejtë, apo kryen kurvëri, do të përballet me një dënim të madh (Ditën e Gjykimit), të cilin e shpjegoi Allahu me Fjalën e Tij:

“Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në të i poshtëruar” (25:69). “…përherë në të…”, d.m.th. në atë ndëshkim.

Pastaj tha:

“Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë. Ndërsa, ai që pendohet dhe bën vepra të mira, është i kthyer krejtësisht nga Allahu” (25:70-71).

Tërë kjo është prej moraleve të besimtarëve, qofshin burra apo gra.

Pastaj tha:

“(Kështu janë) edhe ata që nuk dëshmojnë të gënjeshtërtën” (25:72). D.m.th., nuk prezantojnë (nuk janë të pranishëm) në të. “Ez-zure” ndër të gjitha gjynahet tjera është edhe e kota, e keqja dhe kufri. E ata nuk prezantojnë në të, por e pengojnë dhe e kundërshtojnë.

Më pas tha:

“E, kur kalojnë pranë kotësive, kalojnë me dinjitet” (25:72). D.m.th., i shmangen asaj, siç ka ardhur në një varg tjetër:

“Dhe, kur dëgjojnë ndonjë marrëzi, i shmangen asaj, duke thënë: “Ne kemi veprat tona, ndërsa ju keni veprat tuaja! …(Paqja qoftë me ju! Ne nuk duam shoqëri me të paditurit)”– vazhdimi i vargut, sh.p (28:55).

Pastaj tha:

“Edhe ata që, kur këshillohen me shpalljet e Zotit të tyre, nuk bëhen as të shurdhër, as të verbër” (25:73).

Por, i pranojnë me përulje, me kthim tek Allahu dhe me përnderim ndaj Tij. Kështu është besimtari dhe besimtarja; kur të këshillohen me shpalljet e Allahut, i pranojnë me përulje, zemrat e tyre zbuten, (pastaj) e madhërojnë Zotin e tyre dhe qajnë prej frikës ndaj Tij; shpresojnë për shpërblimin e Allahut dhe frikohen nga ndëshkimi i Tij.

“Edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe pasardhësit tanë atë që është prehje për sytë tanë dhe bëna prijatarë (shembull) për të devotshmit!” (25:74). Të gjitha këto që u përmenden, janë prej cilësive të besimtarëve dhe të besimtareve. Ata janë robërit e vërtetë e të përsosur të të Gjithëmëshirshmit.

“Prehje për sytë” është kur ta shohësh fëmijën tënd, djalë apo vajzë, duke shkuar pas veprave të mira. Fëmija, kur përmendet (në Kuran apo sunet) në mënyrë të pakufizuar, përfshin djalin dhe vajzën. Kështu është edhe me fjalën “edh-dhurr-rrijetu”/pasardhës; ajo përfshin pasardhësit meshkuj qofshin apo femra, siç ka ardhur edhe në hadith: “Kur të vdesë biri i Ademit, vepra e tij ndërpritet, me përjashtim të tri gjërave: lëmoshës së rrjedhshme, dijes prej së cilës përfitojnë dhe kanë dobi njerëzit dhe fëmijës së mirë, i cili lutet për të”. Pra, fëmija përfshin djalin dhe vajzën, siç u cek më lart.

Kështu, Fjala e Më të Lartit:

“Edhe ata që thonë:O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe pasardhësit tanë që është prehje për sytë…” D.m.th. pasardhës të cilët janë prehje për sytë, për arsye se janë të bindur ndaj Allahut dhe të kapur për fenë e Tij. Kështu është çështja edhe me bashkëshortët; kur bashkëshorti e sheh bashkëshorten e tij se po i bindet Allahut, sytë e tij gjejnë prehje; edhe bashkëshortja, kur ta shohë bashkëshortin e saj se po i bindet Allahut, duke qene ajo besimtare, sytë e saj gjejnë prehje. Pra, bashkëshorti i mirë është prehje për sytë e bashkëshortes së tij, dhe bashkëshortja e mirë është prehje për sytë e bashkëshortit të saj besimtar. Ndërsa, pasardhësit e mirë, janë prehje për sytë e baballarëve, të nënave dhe të farefisit të tyre që janë besimtarë dhe besimtare.

“…dhe bëna prijatarë (shembull) për të devotshmit!”

D.m.th. prijatarë në mirësi, udhëzues për krijesat.

Pastaj, Allahu i Patëmeta e qartësoi shpërblimin që do ta arrijnë, dhe tha:

“Njerëz të tillë do të shpërblehen me Dhomë (të lartë, Xhenet) për durimin e tyre dhe do të mirëpriten në të e do të gjejnë paqe” (25:75). Dhoma është Xheneti. Është quajtur dhomë “el-gurfete”, për shkak të lartësisë së saj, sepse është vendi më i lartë sipër qiejve, nën Arsh. Pra, Xheneti është në vendin më të lartë, dhe për këtë Allahu tha:

“Njerëz të tillë do të shpërblehen me Dhomë”, d.m.th. me Xhenet, “…për durimin e tyre…” d.m.th. për shkak se duruan në bindjen ndaj Allahut, duruan në moskryerjen e ndalimeve të Allahut, dhe duruan në fatkeqësi. E, pasi që duruan, Allahu i shpërbleu me Xhenetin e lartë e madhështor. Pasi që duruan në zbatimin e hakut të Allahut, në mos-rënien në harame dhe gjatë fatkeqësive të dhimbshme si: sëmundja, varfëria etj., Allahu i shpërbleu me shpërblimin më të mirë: “Njerëz të tillë do të shpërblehen me Dhomë (të lartë, Xhenet) për durimin e tyre dhe do të mirëpriten në të -d.m.th në Xhenet- e do të gjejnë paqe. Aty do të qëndrojnë përherë. Sa vendbanim dhe vendstrehim i mrekullueshëm që është ai!” (25:75-76).

Këto janë (disa) prej cilësive të ithtarëve të besimit të plotë dhe të lumturisë e shpëtimit, meshkuj qofshin apo femra. Kurani është përplot vargje në të cilat Allahu i Patëmeta i qartëson cilësitë e besimtarëve dhe besimtareve si dhe moralet e tyre.

Njëri prej tyre është edhe vargu në kaptinën el-Bekaretu, ku Allahu thotë…

Vijon inshaAllah…!

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit