Muaji Sheval

Shejh Dr. Ibrahim bin Amir Er-Ruhajlij (Allahu e ruajt)

www.al-rehaili.net

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Çdo lavdërim dhe falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve. Salati dhe selami qofshin për më të mirin ndër profetët dhe të Dërguarit, Muhamedin, për familjen dhe mbarë shokët e tij.

Më tej:

Së pari: Të njohurit me muajin:

Në aspektin gjuhësor, emri Sheval është marrë nga fjala esh-sheul, që ka kuptimin e ngritjes. (Muhtarus-Sihah, 1/354). Sheval është emri i muajit të dhjetë arab dhe renditet pas Ramazanit.

Muaji Sheval është njëri ndër muajt e haxhit, gjegjësisht i pari prej tyre. Ata janë muajt e caktuar, të cilët përmendën në fjalët e të Lartësuarit: “Koha e haxhillëkut është në muajt e caktuar.” (El-Bekare, 197).

El-Ferrâ shënon: “Muajt e haxhillëkut janë: Shevali, Dhul-Ki’de dhe dhjetë ditët (e para) e Dhul-Hixhxhes.” (Ez-Zahir fi garibi elfadhish-Shafi’ij, 1/344).

Së dyti: Veprat e ligjësuara gjatë tij:

– Tekbiri (thënia Allahu ekber) në momentin kur hyn ky muaj, si shenjë falënderimi ndaj Allahut që e mundësoi plotësimin e ditëve të agjërimit të Ramazanit.

Thënia e tekbireve dhe tehlileve (la ilahe il-lAllah) është ligjësuar në të dy Bajramet si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës. Në ditët e dy Bajrameve, Profeti (sal-lAllahua alejhi ue sel-lem), së bashku me disa nga shokët e tij, dilte dhe e ngrinte zërin duke thënë tekbire e tehlile. Kështu vepronin edhe shokët e tij, pasi që ai vdiq; ata dilnin nëpër tregje e sokakë dhe merrnin tekbire.

AbduRrahman Es-Sulemij tha: “Ata më shumë (më fortë) merrnin tekbire gjatë Bajramit të Fitrit sesa gjatë atij të Kurbanit.” (Përcjellë nga Bejhekiu në Es-Sunen El-Kubra, 3/395).

Thënia e tekbireve gjatë Bajramit të Fitrit është gjë që kërkohet më shumë, për shkak të fjalës së të Madhërishmit: Që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit).” (El-Bekare, 85).

– Falja e namazit të Bajramit të Fitrit në ditën e parë të Shevalit. Është ligjësuar për myslimanët të dalin e ta falin Bajramin. Po ashtu, është e pëlqyeshme që, para daljes për faljen e tij, të lahemi, të parfumohemi dhe të veshim rrobat më të bukura.

Nga ibën Abbasi (radijAllahu anhuma) përcillet të ketë thënë: “Doli Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ditën e Bajramit dhe i fali dy rekate, dhe nuk fali para apo pas tyre asnjë rekat tjetër. Pastaj, së bashku me Bilalin, u nis në drejtim të grave, të cilat i këshilloi dhe i urdhëroi të…” (Buhariu, 2/140).

Po ashtu, është ligjësuar që atij që i ka ikur namazi i Bajramit apo një pjesë e tij, ta falë (kompensojë) atë në formën e tij, në po atë ditë, para apo pas zenitit, sikur (që kompensohen) namazet e tjera. Kjo për shkak të veprimit të Enesit (radijAllahu anhu). (Er-Reudul-Murbi’ sherh Zad El-Mustakni’, 1/115).

-Ngrënia në ditën e Bajramit dhe ndalesa për agjërimin e saj.

Kjo ngaqë ditët e dy Bajrameve janë ditë për ngrënie, pirje dhe shfaqje të stolive, andaj edhe ndalohet agjërimi i tyre. Nga Ebu Se’id El-Hudrij (radijAllahu anhu) përcillet të ketë thënë: “Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ndaloi nga agjërimi i ditës së Fitër dhe Kurban Bajramit.”

– Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit, për shkak të hadithit të shënuar në Sahih-un e Muslimit, i cili përcillet nga Ebu Ejjub El-Ensarij (radijAllahu anhu), se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kishte thënë: “Kush e agjëron Ramazanin e pastaj e përcjellë atë me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit, do të jetë sikur të ketë agjëruar tërë vitin.”

Duke e shpjeguar këtë hadith, Neveviu tha: “Sa i përket medh’hebit të Shafi’iut, Ahmedit, Daudit dhe atyre që janë të pajtimit me ta, hadithi aludon mjaft qartë në atë se agjërimi i këtyre gjashtë ditëve është i pëlqyeshëm. Maliku dhe Ebu Hanife thanë: “Një gjë e tillë nuk pëlqehet.” Maliku thotë në El-Muvetta: “Nuk e kam parë askënd prej dijetarëve duke i agjëruar këto ditë.” Ata thanë: “Një gjë e tillë nuk pëlqehet, në mënyrë që të mos mendohet se agjërimi i tyre është obligim.” Kurse, dëshmi për Shafiun dhe ata që janë të pajtimit me të është ky hadith i vërtetë e i qartë. E, nëse suneti saktësohet, atëherë ai nuk lihet për faktin se atë e lejnë disa njerëz, apo shumica e tyre, apo i gjithë njerëzimi.” (Sherh Sahih Muslim, 8/56).

Ibën Rexhebi shkruan: “Shumica e dijetarëve e pëlqyen agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit. Një gjë e tillë përcillet nga ibën Abbasi, Tavusi, Sha’biu dhe Mejmun bin Mehran. Njëkohësisht, ky është edhe mendimi i ibën Mubarekut, Shafiut, Ahmedit dhe Is’hakut. Ndërkaq agjërimin e tyre e kundërshtuan disa të tjerë.” (Letaif El-Me’arif, fq. 389).

Duke i dhënë përgjigje dhe duke e arsyetuar kundërshtimin e atyre që kundërshtuan rreth kësaj meseleje, Ebul-Abbas El-Kurtubij thotë: “Ajo çfarë dukshëm kuptohet nga fjala e Malikut është se, ai dhe dijetarët që ishin të pajtimit me të, urrenin që agjërimi i këtyre ditëve të bëhej pa ndonjë ndërprerje mes tyre dhe ditës së Bajramit, në mënyrë që injorantët dhe batallët të mos mendojnë se ato janë ditë të mbetura të Ramazanit. Ndërsa, nëse lë hapësirë mes tyre dhe Bajramit, atëherë hiqet dhe ndërpritet ky keqkuptim dhe përfytyrim. (El-Mufhim, 3/237).

Dijetarët patën kundërshti mendimesh rreth përcaktimit të këtyre ditëve:

– Disa prej tyre thanë se është e pëlqyeshme që këto ditë të agjërohen njëra pas tjetrës, që nga fillimi i muajit. Ky është mendimi i ibën Mubarekut dhe Shafiut.

– Disa të tjerë thanë se nuk është kusht që ato të agjërohen njëra pas tjetrës dhe se është njëjtë si t’i agjërosh njërën pas tjetrës, si të ndash mes tyre brenda muajit. Ky është mendimi i Uekiut dhe Ahmedit.

– Grupi i tretë thanë se ato nuk agjërohen menjëherë pas Bajramit, por agjërohen tri ditë para ditëve të bardha dhe tri pas tyre. Ky është mendimi i Ma’merit dhe AbduRrezzak-ut. (Letaif El-Mea’rif, 390-391).

Ajo çfarë dukshëm kuptohet nga fjalët e Neveviut është se ai e përkrahë mendimin e parë (Sherh Sahih Muslim, 8/56), ndërsa Ebul-Abbas El-Kurtubij e përkrahë mendimin e dytë. (El-Mufhim, 3/328).

Mendimi më me vend është ai i dyti, domethënë se agjërimi i këtyre ditëve është i saktë, pavarësisht se a bëhet në mënyrë të pandarë apo të ndarë, ngaqë hadithi nuk e kufizoi agjërimin e tyre me ndonjë gjë, përveç faktit që ai të jetë brenda muajit Sheval. Andaj, kurdo që njeriu t’i agjërojë këto ditë brenda muajit Sheval, qëllimi është arritur. Natyrisht, përjashtohet dita e Bajramit, sepse, siç u përmend më lart, agjërimi i saj nuk lejohet.

Mirëpo, më mirë është që myslimani të ngutet në agjërimin e tyre, nga frika se mos angazhohet me gjëra që e pengojnë nga agjërimi dhe kështu t’i ikën muaji pa i agjëruar ato.

Urtësia në agjërimin e këtyre ditëve është qartësuar në hadithin e lartcekur: “Kush e agjëron Ramazanin e pastaj e përcjellë atë me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit, do të jetë sikur të ketë agjëruar tërë vitin.”

Kjo ngase Allahu i Lartësuar veprën e mirë e shpërblen dhjetëfish. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish. Kush bën një vepër të keqe, do të dënohet vetëm sipas gjynahut që ka bërë dhe nuk do t’i bëhet kurrfarë padrejtësie.” (El-En’am, 160).

Kështu, agjërimi i Ramazanit është i barabartë me agjërimin e dhjetë muajve të vitit, por mbesin edhe dy muaj. E, kur myslimani të agjërojë gjashtë ditë të Shevalit, atëherë ato janë të barabarta në shpërblim me agjërimin e dy muajve. Pra, agjërimi i Ramazanit dhe i gjashtë ditëve të Shevalit është sikur agjërimi i tërë vitit.

Krahas kësaj, agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit ka edhe një dobi tjetër: agjërimi në muajin Sheval dhe Shaban është sikur sunetet e rregullta para apo pas namazeve të obligueshme, përmes së cilave plotësohet mangësia dhe defekti gjatë kryerjes së farzeve. Siç dihet, në ditën e Kiametit namazet farze plotësohen dhe përmirësohen nëpërmjet nafileve, siç përcillet një gjë e tillë në shumë forma nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Shumica e njerëzve kanë mangësi dhe defekte në agjërimin e detyrueshëm të tyre, andaj kanë nevojë për vepra që ua plotësojnë dhe përmirësojnë agjërimin.

Së treti: Bidatet e shpikura gjatë tij:

Prej bidateve të shpikura në këtë muaj është të shmangurit nga lidhja e aktit martesor, për shkak të parandjenjës së keqe nga ai dhe nën pretendimin se martesa s’do të ketë sukses nëse bëhet gjatë këtij muaji. Këto janë mbetje të bindjeve nga koha e injorancës. Njerëzit e injorancës (para islame) kishin parandjenja të këqija nga lidhja e aktit martesor në muajin Sheval. Është thënë se në njërin prej viteve, gjatë muajit Sheval, kishte rënë një murtajë dhe i kishte vrarë shumë nga të sapomartuarit, andaj njerëzit e asaj kohe i kaploi një parandjenjë e keqe lidhur me këtë muaj. Feja islame i ka asgjësuar këto bindje të kota. Aisha (radijAllahu anha) thotë: “Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) më martoi në Sheval dhe pati kontakt me mua në Sheval. Andaj, cila prej grave të tij ishte më me fat se unë?”

Aisha (radijAllahu anha) e preferonte që gratë të kenë kontakt me burrat e tyre (të martohen) në Sheval. Po ashtu, në Sheval, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u martua edhe me Ummu Seleme-në (radijAllahu anha). (Letaif El-Me’arif, 1/81).

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit