Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Ndikimi i fitnesë së tekfirit në shoqërinë Islame-3

Intervistë me shejh Salih Ibën AbdulAziz Alu Shejh Ministër i “Çështjeve Islame, Vakëfit,davetit dhe udhëzimit”, në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

(marr nga kanali televiziv El Mexhd el Ilmijje)

El-Mexhd: Shejh i nderuar, në shumë raste keni cekur se kur ndodhin kundërshtimet (në mesin e myslimanëve) në ndonjë çështje, duhet të kthehemi dhe gjykohemi tek çështjet dhe fjalët e selefit (gjeneratave të para) para se të ndodhin fitnet (trazirat). Nga ky këndvështrim të rinjtë e cekin edhe parimin: El-Uela ue El-Bera (miqësia/dashuria dhe shfajësimi/urrejtja për hir të Allahut) që është një prej parimeve bazë të kësaj feje. Çfarë mund të na thoni rreth kësaj çështje?

Shejhu: Ta sqarosh këtë parim (dashurinë dhe urrejtjen për hir të Allahut) duhet të caktohet një ligjëratë e veçantë dhe e gjatë, sepse dijetarët, pa dyshim, e kuptojnë mirë këtë çështje (dhe e kuptojnë qëllimin e atyre që vazhdimisht pëshpëritin rreth kësaj çështje).

Dhe kjo çështje është shtjelluar në detaje në Kuran, Sunnet dhe librat e dijetarëve, mirëpo njerëzit iu qasën kësaj çështje nga një këndvështrim i gabuar, e ai është: xhelozia e tyre (për fenë e Allahut). Ata shikuan aktualitetin, dhe gjendja e rëndë në të cilën ndodhen myslimanët ndikoi tek ta (në qëndrimet e tyre), kështu që i stërmadhuan këto çështje dhe besuan gjëra më shumë se që feja e jonë lejon.

Çfarë do të thotë Uela dhe çfarë Bera? Së pari: duhet ditur që këto dy terme (Uela dhe Bera) janë përmendur në Kuran dhe Sunnet, prandaj nuk janë të vërteta thëniet e disave që Havarixhët janë të parët që i kanë sjell këto shprehje tek myslimanët kurse pas tyre i gjejmë tek Thirrja përmirësuese e Muhammed ibën AbdulUehhabit (rahimehullah). Kjo nuk është e vërtetë sepse këto shprehje ekzistojnë dhe i gjejmë në Kuran dhe Sunnet, Allahu (subhanehu ue teala) thotë: “Uelijj (miqtë dhe mbrojtësit tuaj) janë vetëm Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët që falin namazin dhe japin zeqatin, duke qenë të përulur (në adhurim) ndaj Allahut” (El-Maide: 55). Gjithashtu Allahu (subhanehu ue teala) thotë: “(Kujto) kur Ibrahimi i tha të atit dhe popullit të tij: “Në të vërtetë, Unë jam Bera (i urrej dhe s’kam të bëj fare) me ato që adhuroni ju. Në vend të Atij, që më ka krijuar dhe i Cili do të më udhëzojë në rrugën e drejtë” (Ez-Zuhruf: 26-27).

Pra, El Uela dhe El Bera ekzistojnë (në Tekstet fetare), mirëpo çfarë do të thotë El Uela? Uela për fenë: që dashurinë e brendshme, ndihmesën, dhe miqësinë tënde t’ia japësh vetëm Allahut, të Dërguarit dhe fesë së Tij. Kjo është baza e krejt fesë. Çfarë do të thotë hyrja jote në Islam dhe Iman (besim)? Që dashuria, ndihma dhe përkatësia jote të jetë vetëm për këtë fe. El Bera është të urresh dhe mos e pëlqesh çdo gjë që e kundërshton këtë fe, prej doktrinave të mosbesimit dhe drejtimeve të devijuara. Të distancohesh nga adhurimi i dikujt tjetër përveç Allahut, dhe t’i japësh Uelanë (dashurinë, miqësinë) adhurimit të Allahut. Pra, El Uela dhe El Bera, dashuria dhe urrejtja për hir të Allahut, apo miqësia dhe armiqësia për hir të Tij, janë shprehje ekuivalente që dijetarët i përdorin në këtë vend. Janë të shumta librat dhe fletushkat që janë shkruar në këtë temë, e cila në esencë i referohet dashurisë ndaj fesë dhe urrejtjes së kufrit (mosbesimit), sepse kjo është akideja (dogma) e besimtarit.

El-Mexhd: Kjo është esenca e El Uela dhe El Bera…?

Shejhu: Uela do të thotë miqësia ndaj fesë së Allahut, dashuria ndaj Tij dhe të Dërguarit të Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe urrejtja e kufrit (mosbesimit). Kjo çështje nënkupton dashurinë për atë të cilin e do Allahun, dhe urrejtjen për atë që e do mosbesimin dhe urren Allahun (xhel-le ue ala). Pra, akideja (kredoja) e besimtarit që është dashuria ndaj Allahut dhe urrejtja e mosbesimit dhe adhurimit të dikujt tjetër përveç Allahut, përfshin (nënkupton) dashurinë ndaj atij që e do Allahun dhe urrejtjen ndaj atij që urren Allahun apo i do Tagutat dhe adhurimin e dikujt tjetër përveç Allahut, dhe gjëra të ngjashme me këto. Pra, kjo është çështje që nënkuptohet.

Kurse, sa i përket miqësimit me jobesimtarët, kjo çështje ka hollësira të shumta. Nuk konsiderohet çdo lidhje dhe marrëdhënie me jomyslimanët, apo me çifutët dhe të krishterët prej Uelasë (miqësimit dhe dashurisë) së lartpërmendur. Kur disa të krishterë vizituan të Dërguarin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), ai i mirëpriti ata në xhaminë e tij. Një çifut e vizitoi, kurse vet i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) iu përgjigj thirrjes së njërit nga ata (çifutët) dhe shkoi e vizitoi në shtëpinë e tij, ndërsa kur një djalosh çifut u sëmurë dhe ishte në agoninë e vdekjes, i Dërguari (sallAll-llahu alejhi ue sel-lem) e vizitoi dhe e thirri në Islam duke shpresuar që ai ta pranojë Islamin para se të vdiste (dhe ashtu ndodhi, sh.p.).

Pra, çështja e bashkëpunimit me jomyslimanët ka dispozitat e saj të hollësishme. Po ashtu edhe çështja e punësimit të një jomyslimani nuk hyn në Muvalatin (miqësimin dhe dashurinë) e ndaluar. Ai i cili e marton një grua jomyslimane prej pasueseve të librit (krishtere apo çifute), dhe e dashuron atë, a do të thotë se e ka të ndaluar këtë (dashuri)? Feja Islame ia lejon burrit mysliman ta martojë një pasuese të Librit, kuptohet nëse plotësohen kushtet e njohura që ceken në librat e dijetarëve. Është e ditur për të gjithë ajeti në suren El Maide[1] që e lejon këtë gjë. A konsiderohet mik dhe përkrahës i të krishterëve apo i fesë krishtere ai i cili e dashuron gruan e tij krishtere? Jo, sepse kjo çështje s’ka të bëjë me dashurinë fetare. Apo nëse një mysliman përfiton nga një tregti me ndonjë biznesmen të cilësdo fe, dhe shkaku i saj në zemrën e tij fillon një afërsi e zakonshme (jofetare) me të, apo nëse myslimani lidhet me mjekun e tij jomysliman i cili bëhet shkak, me mirësinë e Allahut (xhel-le ue ala), ta shpëtojë nga sëmundja.

Pra, çështjet e bashkëpunimit (me jobesimtarët) nuk e kundërshtojnë parimin e Uelasë dhe Berasë. Për më tepër, këto janë prej çështjeve të nevojshme që natyra e njeriut i kërkon. Mirëpo nëse dashuria i referohet fesë, atëherë kjo është që e kundërshton këtë parim. D.m.th. e do një çifut shkaku i judaizmit, apo e dashuron gruan e tij krishtere vetëm shkaku i krishterimit të saj, jo që ajo është pranë tij, apo pse është e bukur, apo sepse gjen prehje tek ajo. Pra, dashuria e tij në këtë rast, prej asaj për diçka apo dikë kalon në dashuri për fenë. Prandaj nëse hyjmë në çështjet e fesë atëherë kalojmë në Muvalatë (miqësi) dhe Muadatë (armiqësi) sheriatike apo fetare.

El-Mexhd: A sqarohen më këtë fjalët e Shejh Muhammed ibën AbdulUehhabit kur flet për dhjetë çështjet që e kundërshtojnë/asgjësojnë Islamin dhe ndër to e cek: Ai i cili i miqëson jobesimtarët dhe gjëra tjera të ngjashme?

Shejhu: Kjo çështje është tjetër dhe ka shtjellim të veçantë, pra kur Shejhu e përmend çështjen e tetë prej dhjetë çështjeve që e kundërshtojnë Islamin, e që është bashkëpunimi me mushrikët (idhujtarët) kundër myslimanëve. Qëllimi im këtu është të sqaroj mënyrën e bashkëpunimit të zakonshëm (jo fetar) me jobesimtarët si duhet të bëhet, dhe kjo nuk ka lidhje me Muvalat (miqësi fetare).

Shiko për shembull në tregimin për Hatibin (radijjAll-llahu anhu), i cili kur dëgjoi se i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) do të shkonte ta çlironte Meken, i dërgoi letër banorëve të Mekes fshehurazi nga i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) se Muhammed ibën Abdil-lah (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) po përgatitet ushtarakisht të vijë t’iu pushtojë, prandaj tregohuni vigjilentë.

El-Mexhd: Kjo është bashkëpunim me jobesimtarët kundër myslimanëve…?

Shejhu: Kjo pa dyshim, është lloj i Muvalasë (miqësimit) me jobesimtarët, mirëpo a u bë ai prej jobesimtarëve me këtë vepër të tij? Apo a konsiderohet që ai bashkëpunoi me jobesimtarët duke iu ndihmuar kundër myslimanëve me bashkëpunim që e nxjerr nga feja? Këtu duhet të kthehemi tek hadithi që fol për këtë ngjarje, ku tregohet se pasi që u zbulua çështja e tij, i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) urdhëroi të sillet para tij, dhe Umeri (radijjAll-llahu anhu) tha: “O i Dërguar i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem)! Më lejo t’ia godasë qafën me shpatë, sepse ky ka bërë nifak (dyfytyrësi)”. Atëherë i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem) tha: “O Hatib! Çfarë të shtyri ta bësh këtë?” D.m.th. kjo çështje kishte paqartësi, ose të ishte për qëllime të dynjasë apo për qëllime fetare. Nëse ai këtë informatë sekrete ua dha mushrikëve (idhujtarëve) duke synuar fenë e tyre, mbrojtjen e fesë, miletit apo vendit të tyre, dhe gjëra të ngjashme me këto, atëherë kjo e ka dispozitën e saj (del nga feja, sh.p.). Mirëpo, nëse këtë e ka vepruar duke synuar veten e tij-për ta shpëtuar veten, dynjanë, apo pasurinë e tij, atëherë edhe kjo e ka dispozitën e saj (nuk del nga feja, sh.p.).

Pra, i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) kërkoi nga ai t’ia sqaronte në hollësi qëllimin e kësaj vepre, dhe kjo tregon se edhe në këto çështje kaq të rëndësishme siç është Muvalati (miqësimi) i qartë me idhujtarët, patjetër duhet të kërkohet sqarim i hollësishëm, dhe se nuk është kufr siç mund ta gjejmë tek disa myslimanë të cilët pretendojnë se çdo lloj i Muvalatit (miqësimit) është kufr (mosbesim). Prandaj, i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem) e pyeti: “O Hatib! Çfarë të shtyri ta bësh këtë?” Ai u përgjigj: “O i Dërguar i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem)! Për Allahun, nuk ishte dashuria ndaj kufrit, pas udhëzimit në Islam, e cila më shtyri ta veproj këtë. Mirëpo, të gjithë shokët e tu kanë dorë (fuqi, pozitë) në Meke që ua siguron familjen dhe pasurinë e tyre, kurse unë nuk kam dorë, kështu që përmes kësaj letre, edhe unë desha të kem dorë për mbrojtjen e pasurisë sime”. Atëherë i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “Të vërtetën e ka thënë”. Pastaj i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “Allahu i ka shikuar prej së larti pjesëmarrësit në betejën e Bedrit dhe ka thënë: Veproni çfarë të dëshironi sepse Unë ua kam falur të gjitha”.

Për këtë ngjarje, siç është e njohur, kanë zbritur ajetet në fillim të Sures El Mumtehine, ku Allahu (xhel-le ue ala) thotë: “O besimtarë, mos i bëni miq armiqtë e Mi dhe tuajt, duke u shprehur atyre dashuri…”, qëllimi është për Hatibin (radijjAllahu anhu). Veni re! Këtu Allahu tha: “…mos i bëni miq armiqtë e Mi dhe tuajt…”, çfarë tregon se Ai në këtë ajet, vërtetë e pohoi një lloj të Muvalatit (miqësimit), pastaj tha: “duke u shprehur atyre dashuri…”, çfarë tregon se kjo vepër të cilën Hatibi (radijjAllahu anhu) e veproi është shprehje e dashurisë ndaj tyre. Me gjithë këtë, komentuesit e Kuranit dhe dijetarët e Teuhidit kanë thënë: Allahu e thirri me emrin e Imanit (duke e quajtur besimtar), tha: “O besimtarë, mos i bëni miq armiqtë e Mi dhe tuajt, duke u shprehur atyre dashuri…”. Pra, shkaku se i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) kërkoi nga ai sqarim të hollësishëm, ishte arsye që vepra e tij të mos e pengojë të qenët e tij nën emrin e Imanit (besimit), kështu që ai edhe gjatë kësaj vepre, vazhdimisht ishte besimtar. Pranda,j nuk bën të nxitohet në nxjerrjen e myslimanëve nga feja në çështjet e bashkëpunimit me jobesimtarët, dhe ato të El Uela (miqësimit) dhe El Bera (armiqësimit), sepse këto janë çështje të cilat kërkojnë sqarime të hollësishme, dhe ndërtohen mbi qëllimet e tyre (myslimanëve). Patjetër duhet të kuptohet qëllimi, siç e shohim që i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e ka përmendur këtë në ngjarjen e Hatibit kur kërkoi sqarim nga ai. Çfarë dobie ka nga kërkimi i sqarimit, kur gjendja e jashtme është e njohur (d.m.th. ka bërë kufr sh.p.)?!

Kërkimi i sqarimit bëhet për shkak të njohjes së qëllimit. “Çfarë të shtyri ta bësh këtë?” Kjo pyetje drejtohet për të kuptuar nijetin dhe qëllimin e kësaj vepre. Nëse kishte për qëllim ruajtjen e pasurisë së tij, apo mbrojtjen e vetes, apo kishte qëllim këtë apo atë, prej llojeve të shumta të nijetit që hyjnë këtu, atëherë vendimi Islam për këtë është se këto janë prej dispozitave të Muvalatit (miqësimit) dhe Meueddes (dashurisë) që nuk e nxjerrin prej fesë.

El-Mexhd: Shejh i nderuar! Disa thonë unë e shoh dikë duke vepruar një vepër rreth të cilës dijetarët nuk dyshojnë që është kufr (pabesim), megjithëkëtë po të njëjtit dijetarë thonë: vepruesi i kufrit ndonjëherë nuk bëhet kafir (jobesimtar). A duhet të kuptohet ky parim në mënyrë të përgjithshme (pa kufizime, pa përjashtime)?

Vazhdon…

 

Përktheu: Lulzim Perçuku

———————————————————-

[1] “…Të lejuara për ju janë femrat e ndershme besimtare dhe femrat e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush (të krishterët dhe çifutët), nëse ju u jepni pajën e kurorëzimit, duke u martuar me ato, e jo duke bërë kurvëri, as duke i marrë për dashnore…” (El Maide: 5).

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva