Ndikimi i fitnesë së tekfirit në shoqërinë Islame-1

Intervistë me shejh Salih Ibën AbdulAziz Alu Shejh Ministër i “Çështjeve Islame, Vakëfit, davetit dhe udhëzimit”, në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

(marr nga kanali televiziv El Mexhd el Ilmijje)

El-Mexhd: Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Gjithëmëshirshmit. Falënderimi dhe lavdërimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve. Salatet dhe selami i Allahut qofshin mbi të Dërguarin Muhammed, dhe mbi mbarë familjen dhe shokët e tij.

Vëllezër te nderuar, esselamu alejkum ue rahmetull-llahi ue berekatuhu! Mirë se ju takojmë ne emisionin tonë ‘Meleffat Hassa’(Dosje speciale), në të cilin, kemi nderin që mysafir ta kemi Ministrin e “Çështjeve Islame, Vakëfit, davetit dhe udhëzimit”, shejh Salih Ibën AbdulAziz Ibën Muhammed Ibën Ibrahim Alu Shejh. Të bisedojmë me të rreth ngjarjeve te fundit[1] dhe një teme të rëndësishme, për të cilën e kemi obligim të flasim, që të na sqarohet e vërteta rreth saj. Prandaj në fillim të këtij takimi i themi shejhut: Mirë se erdhët, shejh i nderuar në emisionin tonë!

Shejhu: Mirë se ju gjeta.

El-Mexhd: I nderuari Shejh, ngjarjet e fundit që ndodhën në vendin tonë, na detyruan t’i hapim dhe t’ua sqarojmë njerëzve një mori temash te ndryshme. Kur dëgjojmë për këto ngjarje, pyetja e parë që na kalon nëpër mendje është: a qëndrojnë prapa këtyre ngjarjeve dhe prapa kësaj gjakderdhje ide te caktuara, apo vepruesit e tyre kanë si objektiv që, përmes këtyre veprave ta përmirësojnë shoqërinë dhe ambientin ku jetojnë, apo diçka tjetër?

Shejhu: Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Gjithëmëshirshmit. Falënderimi dhe lavdërimi i takon vetëm Allahut. Salatet dhe selami i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e shokët e tij dhe mbi ata që udhëzohen me udhëzimin e tij.

S’ka dyshim se historia e devijimit tek myslimanët daton qysh moti. Ky devijim fillon qysh në kohën e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), kur njëri e akuzoi të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se nuk po mbante drejtësi gjatë ndarjes së plaçkës së luftës. Kjo ngjarje rezultoi me daljen e një grupi të devijuar, të cilët quhen ‘Havarixh’. Këta e adhurojnë Allahun duke bërë luftë jo të ligjshme, duke vrarë myslimanë dhe jomyslimanë gjithashtu. Sipas tyre, ata janë të bindur se përmes kësaj lufte dëshirojnë ta realizojnë hakun (të vërtetën), të udhëzojnë në të mira dhe të ndalojnë nga të këqijat. Nisur nga ky qëllim ‘i mirë’ ndodhi edhe vrasja e Uthman bin Affanit dhe Alij bin Ebi Talibit (radijjAllahu anhuma), të cilët ishin dy shokë të të Dërguarit dhe për të dy i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kishte dëshmuar se do të jenë prej banorëve të xhenetit. I vranë që të dy duke shpresuar që me këtë vepër do të arrijnë shpërblim dhe sevap te Allahu.

Dikujt, i cili është i kapur për fenë dhe dëshiron ta ndihmojë fenë e Allahut, shejtani i afrohet nga kjo anë. Pra praktikimi rigoroz i fesë, xhelozia e madhe për fenë, dashuria për Islamin dhe myslimanët dhe dashuria për Librin e Allahut nganjëherë janë rrugët përmes të cilave shejtani i devijon duke i çuar në ekstremizëm dhe lajthitje.

Nëse shikojmë pak në historinë e umetit dhe ngjarjet që i kanë ndodhur umetit përgjatë historisë, bindemi se këto shpërthime nuk janë risi. Edhe pse forma, mënyra dhe dhuna e shkatërrimi që shkaktojnë këto të fundit është aq e neveritshme dhe aq e ashpër sa është vështirë të gjendet krahasim në gjithë historinë e myslimanëve. Mirëpo, prapëseprapë të gjitha grupet bashkohen në një ideologji ekstremiste e cila rezulton me tekfirin (nxjerrjen nga Islami) e atyre që kryejnë mëkate të mëdha, udhëheqësve, për më tepër edhe me tekfirin e shteteve Islame në përgjithësi. Dhe përpiqen të kultivojnë një xhelozi për islamin e cila nuk është e bazuar në parimet e sheriatit, e cila sjellë këtë devijim kaq të madh dhe këtë guxim i cili rezulton me këto vepra kaq të mëdha për nga mëkati. Prandaj nëse shikojmë në veprat e këtyre njerëzve dhe shikojmë historinë e atyre që ishin të ngjashëm më këta, shohim se këto mendime të devijuara nuk kanë lindur dje apo sot.

El-Mexhd: Allahu ju dhashtë prej të mirave të Tij! A mendoni se prej shkaqeve të këtyre eksplodimeve është se disa prej këtyre personave bartin ideologjinë tekfiriste?

Shejhu:S’ka dyshim për këtë. Këtyre ngjarjeve u kanë parapri ngjarjet në Riad para shtatë viteve dhe, kur intervistuan ata të cilët kishin marrë pjesë në këto eksplodime, e shfaqen dhe pranuan se tekfiri është feja e tyre. Për më tepër pranuan se i bëjnë tekfir (i nxjerrin) nga Islami edhe dijetarët e të mos flasim për të tjerët. Kjo ideologji (tekfiriste) është e vendosur ne zemrat dhe mendjet e tyre edhe nëse nuk e shfaqin haptazi. Kjo sepse nuk ka mundësi që dikush të përfshihet në këto vepra kriminale e të neveritshme përveç nëse gjen ndonjë arsye që ia justifikon ato. Ky justifikim vjen atëherë kur ai i nxjerrë nga Islami myslimanët ose disa prej tyre dhe si rezultat vjen deri te mospranimi i fjalëve të dijetarëve, pakënaqësia me shoqërinë ku jetojnë, apo dëshira ‘për xhihad’… ‘xhihad’ që nuk i plotëson kushtet e ligjshmërisë (sheriatike).

El-Mexhd: Këtë gjithashtu e keni sqaruar shejh i nderuar kur ishit zëvendësministër për Çështje Islame, në seminarin i cili u mbajt në Riad, pas ngjarjeve që ndodhën aty, ku folët rreth tekfirit dhe të Mesmes?

Shejhu: Kjo është e vërtet, sepse çështja e tekfirit në përgjithësi është e lidhur me havarixhët (ideologjinë e tyre), prandaj përherë do të ekzistojë dhe vazhdimisht do të përtërihet në këtë umet. I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) rreth havarixhëve thotë: ‘Vazhdimisht do të dalin, deri sa i fundit do të luftojë së bashku me dexhalin’.

Prandaj, ekzistimi i havarixhëve nuk kufizohet vetëm me kohërat e mëhershme, ‘vazhdimisht do të dalin’ mirëpo me pamje (ide) të reja. Të gjitha këto ide i bashkon fakti se ata kalojnë ne ekstremizëm. Ekstremizëm në shumë fusha, prej tyre është dhe çështja e tekfirit. Pra, çështjet që kanë të bëjnë me tekfirin (ekstremizmi në to) janë shkak, që këta të rinj dhe kushdo që ecë kësaj rruge, ta bindin vetën se veprat e tyre janë të drejta. Ata fillimisht e zgjedhin këtë drejtim, për të cilin më pas kërkojnë ta justifikojnë. Dhe zgjedhja e këtij drejtimi vjen si rezultat i gjendjes së rëndë në të cilën ndodhen disa shoqëri Islame, ose si justifikim mund të jetë okupimi i disa vendeve myslimane nga ana e jomyslimanëve, ose shtimi i punëve të këqija në shoqëritë Islame, ose moszbatimi i disa llojeve të xhihadit, ose justifikime të tjera të ngjashme me këto.

El-Mexhd: Allahu të dhashtë prej të mirave të Tij! Shejh i nderuar, çështjet e tekfirit janë shumë mirë të sqaruara në Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), gjithashtu në programet mësimore të shkollave flitet rreth kësaj teme dhe rrezikut të tekfirit. Mirëpo me gjithë këtë, prapëseprapë ndodhin devijime. Atëherë, cili është shkaku i këtyre devijimeve?

Shejhu:Së pari dua të sqaroj se tekfiri është një çështje e veçantë në Islam, sepse tekfir do të thotë: ta bësh qafir (jobesimtar) një mysliman. Tekfiri si dispozitë ekziston në Librin e Allahut dhe Sunnetin e të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Tekfiri i atij të cilin vet Allahu e ka bë tekfir, apo tekfiri i një myslimani i cili ka dal prej fesë Islame, kjo dispozitë ekziston në Librin e Allahut dhe Sunnetin e të Dërguarit (sallAllahu alejhi ue sel-lem). Allahu i lartësuar thotë: ‘Dhe ata mohuan duke qenë se ishin muslimanë’, ‘Dhe mohuan duke qenë se ishin besimtarë’. Gjithashtu thotë: ‘Kushdo nga ju që tradhton e braktis fenë e tij (Islamin), atëherë Allahu do ta sjell një popull të cilin do ta dojë Ai, dhe ata do ta duan Atë…’. Kurse i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) ka sqaruar se prej renegatëve konsiderohet dhe ai që ‘e lë fenë e tij duke përçarë xhematin (bashkësinë)’. Pra, dispozita e tekfirit ekziston në Islam.

Sipas Ehli Sunetit err-rridde (dalja prej fesë) mund t’i ndodhë një besimtari që dëshmon La ilahe il-lAllah Muhammedun Resulullah, me fjalë, vepër, i’tikad (besim) apo dyshim. Ky është tekfiri për të cilin kanë shkruar dijetarët dhe pasuesit e të gjitha medhhebeve në librat e tefsirit, akides dhe fikhut. Mirëpo, edhe pse kjo çështje është sqaruar në librat e tefsirit, fikhut dhe në komentet e haditheve, për më tepër në librat e të gjitha medhhebeve gjen një kapitull që flet për vendimin e Islamit rreth personave që braktisë fenë, dhe me gjithë vështirësitë e kësaj teme, e cila është radhitur në kapitujt e fundit në librat e fikhut, shohim persona të cilët nuk i njohin hollësitë e dispozitave të namazit dhe zeqatat të flasin rreth kësaj teme. Ndërkohë që tefkiri është prej kapitujve më të vështirë për t’u kuptuar dhe zbatuar.

Nuk guxojnë individët apo njerëzit e zakonshëm ta marrin vendimin për tekfirin e njerëzve. Nëse për vendimet e sheriatit rreth dispozitave të shitblerjes, ortakërisë në biznese, vakëfeve, testamentit, trashëgimisë, ndëshkimeve trupore (kush merr vendim se cili duhet të bëhet kisas e cilit t’i paguhet dija) duhet të flasin vetëm ata të cilët janë të specializuar në këto fusha, si gjykatësi ose myftija, atëherë si ka mundësi që një njeri i zakonshëm të gjykojë për një mysliman nëse ka bërë ridde (ka dal nga feja apo jo). S’ka dyshim se vendimet rreth kësaj çështje ose dhënia e fetvasë konsiderohen prej dispozitave më të vështira. Për këtë marrja e këtyre vendimeve nuk u takon individëve të zakonshëm.

Gjithashtu nuk kërkohet prej çdo myslimani t’i zbatojë këto vendime, apo të thotë: mua më lejohet të marr vendim për këtë apo atë person (që është apo nuk është qafir) sipas asaj që e shoh unë. Këto vendime janë të lidhura ngushtë me ekzistimin apo mosekzistimin e kushteve, pengesave dhe dispozitave të veçanta që lidhen me to. Për këtë arsye dijetarët, për marrjen e vendimeve rreth tekfirit, i autorizojnë vetëm gjykatësit Islam. Dhe sqarojnë se kjo nuk u lejohet masave të rëndomta, bile nuk ua lejojnë as nxënësve të dijes (hoxhallarëve). Nuk u lejohet që të marrin vendime të tilla si: filani ka bërë ridde, filani ka dal prej fesë së tij, apo filani është qafir etj. Këto vendime janë të veçanta dhe u takojnë vetëm gjykatësve Islam. Gjykatësi ose myftija është ai që gjykon rreth këtyre çështjeve. Pra myftija që i plotëson kushtet për të marrë këto vendime, i cili di të gjykojë, ka dijeni kur janë plotësuar kushtet dhe nuk ekzistojnë pengesat për tekfirin e ndonjërit prej myslimanëve.

Për këtë, unë them që është ngutja në marrjen e këtyre vendimeve dhe nuk jam prej atyre që i mohojnë këto dispozita sheriatike. S’ka dyshim se është me rrezik të thuhet se nuk gjendet në librat Islam kapitulli i ridde-së, apo të thuhet nuk ka mundësi që myslimani të dal nga feja e tij, apo që nuk është e drejtë të bëhen tekfir njerëzit (ata që e meritojnë). Sa që ka prej atyre që thonë: mos i bëni tefkir çifutët dhe të krishterët, mos i bëni tekfir ata që nuk janë mysliman. Ky është kundërshtim direkt i ligjeve të Allahut në Librin e Tij dhe në Sunnetin e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Pra, dispozita ekziston në Kuran dhe Sunnet, mirëpo e gjithë çështja qëndron aty se kush duhet ta marr përsipër marrjen e këtyre vendimeve. Dijetarët kanë përmendur se kujt i takon të flas për këto vendime. Dhe këtu vjen në pyetje perfeksioni i çështjes (meselesë). Pra, kjo çështje nga aspekti i akides apo fikhut ekziston. Në librat e akides shfaqet tek
çështjet që flasin për tekfirin, dhe shfaqja e saj në këto libra vjen nga aspekti i i’tikadit (besimit), jo nga aspekti i marrjes së vendimit (nëse ka dal nga feja apo jo). Sepse marrja e vendimeve për gjërat aktuale është e lidhur me fikhun (dispozitat).

Në librat e akides përmenden disa dispozita që kanë të bëjnë me tekfirin në mënyrë që t’i besojmë ato, si p.sh. kush është ai që bën kufër, cilat janë veprat dhe fjalët që të nxjerrin nga Islami, cilat janë cilësitë e qafirëve etj. Të gjitha këto sqarohen në mënyrë që myslimani të mos bie në to, dhe që besimi i tij të jetë i bazuar vetëm në Kuran dhe Sunnet.

Këtu ka filluar devijimi i atyre që i bënë këto shpërthime në Riad. Dhe ne si Ministri e Çështjeve të Fesë, menjëherë pas këtyre ngjarjeve, filluam t’i mbajmë disa ligjërata dhe seminare, ku sqaruam çështjet që kanë të bëjnë me ekstremizmin dhe u bëmë thirrje myslimanëve t’i përmbahen të Mesmes (qëllimi me ‘të mesmes’ është kapja për Sunnetin, i cili është i mesëm në mes të ekstremeve të kundërta). Gjithashtu sqaruam edhe çështjet që kanë të bëjnë me tekfirin. Prej këtyre seminareve është edhe seminari që ju e cekët në fillim të pyetjes.

Qëllimi i këtyre seminareve ishte që të sqarohen çështjet e tekfirit (cila është e vërteta rreth tyre), dhe të paralajmërohen të rinjtë që të mos u qasen këtyre çështjeve (sepse nuk u takon atyre). Ne shohim se shumë të rinjve u pëlqen të merren më këto çështje dhe me ngulm kërkojnë të kenë qasje në to. Kjo është në kundërshtim me atë që kërkohet prej tyre dhe me atë që është obligim i tyre. Pra, obligim i tyre është që të hulumtojnë dhe t’i studiojnë çështjet dhe dispozitat të cilat u bëjnë dobi në fenë e tyre. Kurse çështjet që janë të veçanta vetëm për kadiun(gjykatësin) apo myftinë, nuk u takon njerëzve të rëndomtë t’u qasen këtyre çështjeve, sepse kjo i çon në devijim e lajthitje.

Veni re! Nëse dikush prej atyre që nuk u takon të merren me këto çështje, u qaset këtyre çështjeve, fundi i tij do të jetë nxjerrja (tekfiri) e njerëzve nga Islami sipas epsheve dhe tekave të veta. Domethënë i nxjerrë prej Islamit vetëm pse sjelljet e tjetrit nuk i pëlqejnë. Ose thotë që prej sjelljeve të tij, pashmangshmërisht kuptohet se ai e urren Fenë, apo vepron këtë apo atë prej mëkateve. Pra i nxjerrë nga Islami duke u bazuar në konkludimet e tij. Këtë e gjejmë tek shumë sekte në disa prej vendeve Islame. Ata p.sh. thonë: prej fjalëve të tij domosdoshmërish kuptohet që ai i ka këto ose ato mendime.

Kurse, dijetarët e usulit dhe të tjerët përmendin një parim në të cilin thuhet: ‘Ajo që mund të kuptohet prej mendimeve (medhhebit) të dikujt nuk është domosdoshmërish medhhebi i tij.’ Gjithashtu thonë: ‘Transmetimi i kufrit nga dikush tjetër nuk të bën qafir’. Nganjëherë, ka mundësi që shkaku i fjalëve të tij të qortohet, mirëpo nuk cilësohet si qafir.

Prej çështjeve që gjithashtu kanë ndikuar në përhapjen e ideologjisë tekfiriste, në përgjithësi, është dhe qasja në një mesele: të gjykuarit me ligjet që Allahu nuk i ka zbritur në Kuran dhe Sunnet. Detajet që kanë të bëjnë më këtë çështje janë të njohura që në kohërat e hershme në librat e akides, fikhut, hadithit dhe tefsirit. Edhe vet Ibën Abbasi (radijjAllahu anhu) dhe imamët (dijetarët e mëdhenj) Islam kanë folur rreth saj.

Kurse tani gjen të rinjtë e disa grupacioneve, mosha e të cilëve është pesëmbëdhjetë ose shtatëmbëdhjetë vjeç, apo njëzetë ose njëzetë e pesë vjeç, të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme rreth dispozitave të fikhut dhe të akides, të cilët polemizojnë rreth kësaj meseleje (të gjykuarit me ligjet që Allahu nuk i ka zbritur në Kuran dhe Sunnet). Prandaj, qëllimi i disa grupacioneve dhe sekteve, kur flasin rreth këtyre çështjeve, është t’i ringjallin çështjet e tekfirit në ummetin Islam.

El-Mexhd: Cili është shkaku që rinia e kësaj moshe merren me këto gjëra, kurse i anashkalojnë gjithë këto shkenca (dituri) të qarta dhe të shpjeguara mirë nga ana e dijetarëve?

Shejhu: Unë mendoj se është gjendja shpirtërore e një të riu…këtu vlen të theksohet që është mirë të kërkohet ndihmë prej mjekëve, mjekëve shpirtëror, atyre që janë të specializuar në këtë fushë, psikiatrit…të hulumtohet dhe të studiohet se përse të rinjtë u rreken këtyre çështjeve kaq të vështira, si tekfiri, eksplodimi i vetes dhe veprave të tjera të devijuara dhe kriminale? Përse merren me këto çështje?

Për mendimin tim, duke u bazuar në përvojë, i riu ka dëshirë të bie në sy, dhe ta pohojë xhelozinë e tij për këtë fe. Ka dëshirë që vazhdimisht të thotë: e saktë…, gabim…, e saktë…, gabim, nga prizmi që ai i sheh gjërat. Kjo pastaj e shtyn që të thotë kjo vepër është iman, kurse kjo kufr. Pra, dëshiron të dallohet, të bie në sy tek të gjithë. Nëse shikojmë gjestet e të rinjve në përgjithësi dhe të atyre që i pasojnë epshet e tyre në veçanti, rrobat, sjelljet, veprat dhe pamjen e tyre, shohim se të gjithë kërkojnë të bien në sy. Ata kanë konflikt shpirtëror nga brenda: kërkon të dallohet, ta shikojnë të tjerët… ndodh që ky person pastaj, me të njëjtën logjikë hyn në çështje të fesë, dhe ju rreket këtyre meseleve të vështira duke kërkuar, sipas mendimit të tij, që edhe në fe të ngrihet më lartë se të tjerët, kurse i lë anash çështjet që i bëjnë dobi ne fenë e tij, sepse mësimi i këtyre çështjeve, gjithnjë sipas tij, nuk e dallon nga të tjerët.

Studimi i çështjeve të përgjithshme të akides rreth imanit, shtyllat e tij dhe çështje të tjera si këto, apo çështjet rreth ibadeteve, si namazi, tahareti (pastrimi), çështjet rreth raporteve të ndërsjella në mes njerëzve, si p.sh. raportet mes bashkëshortëve, mes anëtarëve të shoqërisë, mirësjellja, mënyra si të zbatohen rregullat e këtyre raporteve, lidhjet farefisnore… të drejtat, si detyrimet ndaj vetvetes, prindërve, të afërmve, udhëheqësit të shtetit, dijetarëve dhe ndaj të gjithë myslimanëve…edhe pse supozojmë që din diçka rreth tyre, nuk e dallon atë nga të tjerët. Për këtë arsye ai kapet pas gjërave, përmes të cilave tenton ta vërtetojë saktësinë e imanit tij, apo xhelozinë që ka për këtë fe, apo dashurinë për myslimanët, kështu që u rreket çështjeve të vështira, si ato që flasin rreth tekfirit apo rreth xhihadit që nuk i plotëson kushtet e tij sheriatike (të ligjshme).

El-Mexhd: Shejh i nderuar! Në një nga ligjëratat e tua, ku folët rreth tekfirit, treguat se marrja e vendimit për tekfirin e një myslimani ka kushte dhe pengesa. Pra, është e njohur dhe pohuar në librat e fikhut që myslimani mund të kaloj prej Islamit në kufr. Mirëpo cilat janë kushtet mbi të cilat Kadiu (gjykatësi), fekihu apo dijetari e bazon vendimit e tij para se të shpall dikë kafir?

Vazhdon…

Përktheu: Lulzim Perçuku

___________________________________

[1] Ka për qëllim disa shpërthime që ndodhën në Rijad.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit