Nganjëherë nuk më del gjumi për sabah edhe pse i fali të gjitha vaktet, a kam mëkat? A është kjo sepse Allahu nuk më do?

Përgjigjje: Sa i përket asaj se a ka mëkat njeriu nëse nuk i del gjumi për faljen e namazit të sabahut, kjo varet nga personi. Nëse ai ka qëndruar deri vonë zgjuar, ka mëkat, sidomos kur dikush e njeh veten se nëse bie në gjumë një apo dy orë para hyrjes së sabahut nuk do t’i dalë gjumi për namaz, atëherë këtu ka mëkat ngase ai duhet t’i ndërmarrë (veprojë) shkaqet për t’u zgjuar për sabah. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë që pas jacisë menjëherë të flihet, kjo është sunet, në mënyrë që njeriut t’i dalë gjumi (dhe të jetë më i kthjelltë) për sabah, apo për namaz të natës (për atë që e falë atë).

? Namazi është gjëja më kryesore e fesë tënde. Andaj, duhet t’i veprosh të gjitha shkaqet për ta falur atë në mënyrën më të mirë. E prej këtyre shkaqeve është rënia herët në gjumë në mënyrë që kur të zgjohesh për sabah të jesh i kthjelltë për namaz të sabahut, i përulur, i vëmendshëm në leximin e Kuranit dhe i përqendrueshëm gjatë faljes, e jo duke t’u mbyllur sytë apo duke e falur sa më shkurt. Nuk të lejohet të luash me namazin tënd, duke qëndruar zgjuar deri natën vonë e të thuash “e po ndoshta më del gjumi, nëse jo, e fali kur të zgjohem”. Kështu do humbasësh shumë dhe përveç kësaj ke mëkat tek Allahu.

? Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që i fal dy namazet e ftohta (sabahun dhe ikindinë), do të hyjë në xhenet.” Nuk është për qëllim të falen veç këto dy namaze e të tjerat jo. Por, hadithi tregon se kush i kushton kujdes këtyre dy namazeve, të tjera namazeve u kushton edhe më shumë kujdes. Këto dy vakte janë më problem sepse njerëzit përtojnë të zgjohen për sabah apo flenë vonë, dhe si rrjedhojë nuk u del gjumi. Ndërsa sa i përket ikindisë, tek arabët ka qenë traditë të flenë pas drekës dhe nuk e kanë falur ikindinë në kohë, apo kanë fjetur deri në aksham dhe kështu u ka ikur ikindia. Andaj, kush i ruan këto dy namaze, siç i quan i Dërguari saAllahu alejhi ue selem “namazet e ftohta” (në këto dy kohë është më fresk), do të hyjë në xhenet.

✍️ Njeriu ka mëkat tek Allahu nëse nuk e programon alarmin, nëse është neglizhent duke mos iu kushtuar rëndësi shkaqeve për t’u zgjuar, apo nëse nuk e porosit ndokënd prej familjes për ta thirrur për sabah, si dhe nëse nuk flenë herët. ⏰

? Sa i përket asaj se a është kjo gjë dëshmi se nuk e do Allahu, këtë nuk e dimë. Se kënd e do Allahu e kënd do, kjo është çështje e Allahut. Ne duhet të përpiqemi ta arrijmë Dashurinë e Allahut, të veprojmë vepra të mira sa më shumë, t’i plotësojmë obligimet dhe të largohemi prej ndalesave. Ne shpresojmë se Allahu na do, mirëpo nuk ia garantojmë vetes. Dijetarët thonë: “Nuk është çështja se a e do Allahun apo jo (ngase këtë e pretendojnë të gjithë), mirëpo çështja është se a të do ty Allahu apo jo.” Këtë duhet të përpiqesh ta arrish.

? Nëse personi ka problem me prekjen e xhindëve dhe ata kanë arritur ta pushtojnë aq shumë saqë nuk i del gjumi (nuk e lënë t’i dalë gjumi) për sabah, atëherë in shaa Allah i tilli arsyetohet tek Allahu.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit