Njerëzit në raport me udhëzimi-2

Ibn Kajim el Xheuzije

I dyti: Ata që refuzuan (udhëzimin) haptazi dhe fshehurazi, e mohuan dhe nuk e qanë kokën për të. Kjo kategori gjithashtu janë dy lloj:

1) ata që e njohën dhe u bindën për saktësinë dhe vërtetësinë e tij, porse hasedi, mendjemadhësia, dëshira për pozitë, për sundim dhe për t’i prirë popullit, i çoi drejt mohimit dhe refuzimit, sado që i kishin parë argumentet dhe nuk u kishte
mbetur dyshim.

2) pasuesit e tyre, të cilët thonë: ata janë paria dhe eprorët tanë, ata janë më të ditur se ne sa i takon asaj se çfarë duhet të pranojnë dhe çfarë të refuzojnë. Ata janë shembull për ne dhe ne, nuk kemi ndonjë preferencë tjetër të ndryshme nga ajo e tyrja. Po të ishte i vërtetë (udhëzimi), ata do të ishin prej të udhëzuarve dhe të parët që do ta pranonin. Këta janë në një rang me shtazët e bagëtinë dhe ecin kah t’ju grah bariu i tyre. Këta janë ata për të cilët Allahu i lartësuar thotë: ‘Ah, sikur ta shihnin çastin kur të adhuruarit do t’i braktisin adhuruesit e tyre, kur të gjithë do të shohin dënimin e midis tyre do të këputet çdo lidhje. Atëherë adhuruesit do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim edhe një herë (në jetën e Tokës) e t’i braktisnim ata, ashtu siç na braktisën ne!” Kështu, Allahu do t’ua tregojë veprat e tyre si burim hidhërimi për ta dhe ata s’kanë për të dalë kurrë nga zjarri.” (Kurani, 2: 166-167) Po ashtu kur flet për këtë kategori thotë: ‘Ditën, kur fytyrat e tyre do të rrotullohen në zjarr, ata do të thonë: “Ah, sikur t’i ishim bindur Allahut dhe të Dërguarit!” Dhe do të thonë: ‘O Zoti ynë, ne iu bindëm parisë tonë dhe eprorëve tanë, por ata na shmangën prej rrugës së drejtë. O Zoti ynë, atyre jepu dënim të dyfishtë dhe mallkim të madh!” (Kurani, 33: 66-68) Po ashtu sa i takon kësaj pale thotë: ‘Dhe, kur të grinden në Zjarr, të dobëtit do t’u thonë eprorëve që madhështoheshin: ‘Ne ishim ithtarët tuaj, ndaj, a mund të shmangni prej nesh një pjesë të dënimit tonë?’ Ata që madhështoheshin, do të thonë: ‘Të gjithë ne jemi në zjarr. Allahu tashmë i ka gjykuar robërit e Tij.’ (Kurani, 40: 47-48) Po ashtu thotë: ‘Kjo i pret ata! Le ta shijojnë ujin e valuar dhe të qelbët dhe të tjera mundime të llojllojshme, të ngjashme me to. Ne do t’u themi prijësve të jobesimtarëve: ‘Ky është një grumbull bashkë me ju. Nuk ka mirëseardhje për ta. Me siguri që ata do të digjen në zjarr!’ Pasuesit jobesimtarë do t’u thonë prijësve të tyre: ‘Ah, ju mos paçit çlirim e as qetësi! Ju na e ofruat atë! Eh, sa strehim i keq është ky!’ (Kurani, 38: 57-60) D.m.th. ju na e hapët këtë rrugë dhe na e ligjësuat. ‘Pastaj ata do të thonë: O Zoti ynë! Atyre që na e përgatitën këtë neve, dyfishojua dënimin në Zjarr!’ (Kurani, 38: 61) Fjalët e tyre: ‘Nuk ka mirëseardhje për ta. Me siguri që ata do të digjen në zjarr!’, d.m.th. ata do të hyjnë në të ashtu siç hymë dhe ne dhe do ta vuajnë nderimin ashtu siç dhe ne po e vuajmë. Pasuesit e tyre do t’u përgjigjen: ‘Ah, ju mos paçit çlirim e as qetësi! Ju na e ofruat atë!’

Sa i takon përemrit (te fjalët e tij: ‘Ju na e ofruat atë’), ka dy mendime:

1) ai interpretohet si kufr, përgënjeshtrim dhe refuzim i fjalëve të Pejgamberit dhe zëvendësimi i tyre me të tjera. Dhe domethënia është kjo: ju na e zbukuruat mosbesimin (kufrin), na ftuat në të dhe na e lavdëruat. Sipas këtij interpretimi, thuhet se këto fjalë ua drejtojnë popujt e mëvonshëm atyre të mëhershmëve. Sipas kësaj domethënia është kjo: ju na e ligjësuat përgënjeshtrimin e pejgambereve dhe refuzimin e asaj me të cilën erdhën ata dhe shirkun ndaj Allahut. Ju e filluat me to, na parapritë neve dhe hytë në zjarr para nesh. Eh, sa strehimi i keq është ky, d.m.th. sa vendqëndrim dhe banesë e keqe.

2) se përemri në fjalët e Tij: ‘Ju na e ofruat atë’ tregon për dënimin dhe hyrjen në zjarr. Këto dy mendime janë të ndërlidhura dhe të dyja janë të sakta. Sa i takon atyre qe thonë: O Zoti ynë! Atyre që na e përgatitën këtë neve, dyfishojua dënimin në Zjarr!’ (Kurani, 38: 61) mund të jenë pasuesit, të cilët lutën kundër parisë, eprorëve dhe prijësve të tyre, meqë ata i shtyn dhe i ftuan për në të. Por ka mundësi që të gjithë banorët e zjarrit ta lusin Zotin t’ua shtojë dënimin dyfish atyre që ua mësuan shirkun dhe përgënjeshtrimin e pejgambereve. D.m.th. të lutën kundër djajve.[1]

——————————————————————–

[1] Burimi: Ixhtima el Xhujush el Islamije… – përktheu: B. K

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit