Njohja e vetes të çon drejt njohjes së Zotit

Njohja e vetes të çon drejt njohjes së Zotit

Ai që nuk e njeh veten, si ka mundësi të njohë Krijuesin e tij! Dije se Allahu i Lartësuar në kraharorin tënd ka krijuar një shtëpizë që quhet zemër, pastaj në kraharor ka vendosur një arsh (fron) mbi të cilin qëndron shembulli më i lartë (njohja e Allahut). Allahu i lartësuar me Qenien e Tij qëndron mbi arsh, i shkëputur nga krijesat, ndërsa shembulli më i lartë, si: njohja e Tij, dashuria për Të, njësimi i Tij qëndrojnë mbi fronin e zemrës dhe shtrojën e të qenurit i kënaqur me Të. Nga e majta dhe djathta shoqërohet me shpalljet dhe urdhëresat e Tij, ku ka hapur dhe një portë që çon drejt Tij, nga kopshti i mëshirës së Tij, prej nga ndien përmallim për takimin me Të. Pastajme ka ujitur me shiun e fjalëve të Tij, duke mbirë kështu në të lloj-lloj borzilokësh e pemësh të frytshme, që janë llojet e ndryshme të adhurimeve, si tehlili (fjala la ilahe il-lallah), tesbihu (thënia subhanallah), tahmidi (elhamdulilah) dhe tekbiri (Allahu ekber). Në mes të kopshtit ndodhet pema e njohjes, e cila “me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë.” (Ibrahim, 25) Këto fryte janë: dashuria, pendimi, frika dhe gëzimi për afrimin te Zoti. Kjo pemë ujitet me meditime në fjalët e Tij, duke i kuptuar ato dhe duke punuar me to. Në këtë shtëpi ndodhet i varur një kandil ndriçues me dritën e njohjes së Tij, me besimin tek Allahu dhe njësimin e Tij, i cili frymëzohet nga “një pemë e bekuar ulliri, që nuk është as lindor, as perëndimor, vaji i së cilës ndriçon edhe pa e prekur zjarri.” (Nur, 35) Më pas këtë kopsht e rrethon me një mur, në mënyrë që të mos futet ndonjë epidemi, apo të hyjnë keqbërësit e ta dëmtojnë. Kështu dëmet nuk arrijnë në të. Përveç kësaj, i ka caktuar edhe rojtarë nga engjëjt, të cilët e ruajnë kur është fjetur e zgjuar. Më pas i zoti i shtëpisë dhe i kopshtit njoftohet se kush do të banojë në të, në mënyrë që vazhdimisht të jetë i preokupuar me mirëmbajtjen e banesës dhe të orendive që banuesi ta pëlqejë atë. Nëse sheh ndonjë parregullsi në shtëpi, e rregullon shpejt, sepse banuesi mund të largohet. Banuesi i mirë në banesë të mirë.

I Lartësuar qoftë Allahu, Zoti i botëve; çfarë dallimi ka mes kësaj shtëpie dhe një shtëpie të pushtuar nga keqbërësit, e cila është kthyer në fole për insektet e milingonat dhe në mjedis për hedhjen e fundërrinave dhe mbeturinave. Nëse dikujt i teket të kryej nevojat personale, e gjen të zbrazët, të braktisur, të pambrojtur, të errët, me erë të keqe, të përfshirë nga shkatërrimi dhe të mbushur me plehra, e përshtatshme vetëm për kryerjen e nevojave personale, sepse aty s’gjen rehati ndonjë banues tjetër përveç insekteve, krimbave dhe kafshëve helmuese. Shejtani qëndron i ulur mbi shtretërit e saj, të mbuluar me shtrojën e injorancës; në të valëviten tekat dhe dëshirat e ndaluara; majtas dhe djathtas janë orenditë epshore. Në të është e hapur porta e poshtërimit, vetmisë së egër, tërheqjes pas dynjasë, të mjaftuarit me të dhe moslakmia për Ahiretin. Ujitet me shiun e injorancës, shirkut, epsheve dhe bidateve, të cilat mundësuan që në të, të mbijnë ferrat, drizat dhe pemët me fruta të hidhura të gjynaheve, risive në fe, talljeve, poezive që i kushtohen imoralitetit dhe alkoolit, që nxisin në kryerjen e mëkateve dhe përçmojnë adhurimin. Mes kopshtit qëndron pema e injorancës dhe e largimit nga Zoti, e cila në çdo kohë jep frutat e saj të hidhur: mëkatet, cenimin e kufijve, dëfrime të shfrenuara dhe tallje, valëvitjen sipas çdo ere që fryn, pasimin e çdo dëshire, mbushje me pikëllim, brenga, mërzi dhe dhimbje, por që qëndrojnë të fshehura, sepse shpirti i njeriut është i hutuar nga dëfrime të shfrenuara, megjithëse në çastin e parë që këndellet nga dehja pushtohet nga mërzia, brenga, stresi dhe jetesa e vështirë. Kjo pemë e hidhur ujitet me ndjekjen e tekave dhe dëshirave, me shpresën e gjatë mashtruese. Kjo shtëpi e errët, me mure të shembura, braktiset dhe s’gjen ndokënd që e mbron, si: hajdutët, kafshët, mbeturinat dhe papastërtitë. I Lartësuar qoftë Krijuesi i këtyre dy shtëpive. Kush e njeh shtëpinë e tij dhe vlerën e objekteve dhe thesareve që gjenden në të, përfiton nga jeta dhe vetja e tij, ndërsa kush nuk e njeh shtëpinë e tij, nuk e njeh as veten, duke humbur kësisoj lumturinë. Allahu është Ai që sjell suksesin.

Njohja e Allahut

Ka njerëz që e njohin Allahun nëpërmjet bujarisë, mirësive dhe dhurimit të begative. Prej tyre ka të atillë që e njohin nëpërmjet faljes, tolerimit e butësisë. Dikush e njeh përmes ndëshkimit dhe hakmarrjes. Disa të tjerë e njohin nëpërmjet diturisë e urtësisë. Dikush e njeh nëpërmjet krenarisë e madhështisë së Tij; dikush përmes bamirësisë e mëshirës; dikush përmes pushtetit e sundimit; dikush përmes pranimit të lutjeve; dikush përmes largimit të fatkeqësisë e përmbushjes së
nevojave.

Më i dituri prej të gjithëve është ai që e njeh përmes fjalëve të Tij, sepse në këtë mënyrë arrin ta njohë Zotin e përshkruar me cilësi të përsosura e atribute madhështore, që është pa të meta e mangësi. Atij i përket çdo emër i mirë dhe çdo cilësi e përkryer. Ai vepron çfarë të dojë, është mbi çdo gjë, është pranë çdo gjëje (me diturinë, shikimin, dëgjimin etj.), i aftë për çdo gjë, më i madh se çdo gjë, më i bukur se çdo gjë, më i mëshirshmi, më i plotfuqishmi e më i urti. Pra, Kurani zbriti që t’i njohë njerëzit me Zotin e tyre, t’i njohë ata me rrugën që i çon tek Ai dhe t’i njohë me fundin që i pret ndjekësit e kësaj rruge.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit