Normat fetare përmes të cilave myslimani e ruan kapjen e tij pas metodologjisë së Selefëve dhe ruhet nga devijimi

Shejh: Salih El Feuzan (Allahu e ruajt)

Pyetje:

Cilat janë normat fetare nëpërmjet të cilave myslimani e ruan ndjekjen dhe kapjen e tij për metodologjinë e Selefëve të mirë dhe (përmes të cilave) ruhet që të mos devijojë nga ajo rrugë e të mos ndikohet nga metodologjitë e huaja (të futura) e të devijuara?

Përgjigje:

Ato norma fetare janë:

• Njeriu t’u kthehet dijetarëve largpamës, të mësojë prej tyre dhe të konsultohet me ta lidhur me çështjet që bredhin në kokën e tij, në mënyrë që të dijë mendimin e tyre (dijetarëve) për to.

• Të jetë i matur në të gjitha çështjet dhe të mos nxitojë në gjykimin ndaj njerëzve, por t’i verifikojë gjërat. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë), për të mos i bërë dëm ndokujt pa dashje e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë.” (El Huxhurat: 6). “O besimtarë! Kur të shkoni në luftë, në rrugë të Allahut, shqyrtoni gjithçka me kujdes! Mos i thoni atij që ju përshëndet me selam: “Nuk je besimtar”, me qëllim që të fitoni kënaqësi të kësaj jete, ndërkohë që tek Allahu ka fitime të shumta. Të tillë keni qenë edhe ju më parë e Allahu ju dha mirësi. Prandaj, gjithmonë sqarojini mirë të gjitha punët, se Allahu është Njohës i veprave tuaja.” (En-Nisa’: 94). D.m.th verifikojini, shqyrtojini dhe sqarojini gjërat që ju vijnë.

• E, nëse verifikohen, atëherë ato duhet të trajtohen përmes metodave të duhura, të cilat e garantojnë përmirësimin, jo përmes metodave të vrazhda apo çrregulluese (ngatërrestare). Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Përgëzoni e mos jini të neveritshëm!” (Buhariu në Sahih, 1/25). Dhe tha: “Ju jeni dërguar si përgëzues e jo që t’u ngjallni (fusni) njerëzve neveri.” Ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) iu drejtua disa prej shokëve të tij të virtytshëm duke u thënë: “Vërtet që prej juve ka të atillë që ngjallin neveri. Andaj, kush u prin njerëzve në namaz, le ta lehtësojë (shkurtojë) atë, sepse pas tij falet ai që është i dobët dhe ai që ka ndonjë punë (të pakryer).” (Buhariu 1/31).

Sido që të jetë, çështjet duhet të trajtohen me urtësi dhe me kujdes të madh (jo me ngutësi), dhe nuk i takon çdokujt të ndërhyjë në ndonjë lëmi në të cilën nuk di si t’i rregullojë gjërat.

• Gjithashtu, prej normave është që njeriu të pajiset me dije të dobishme, duke i shoqëruar dijetarët dhe duke i dëgjuar opinionet e tyre, duke i lexuar librat e selëfevë dhe jetëshkrimin e përmirësuesve prej selefëve dhe dijetarëve të këtij ummeti, duke u njohur me atë se si ata i këshillonin njerëzit, si urdhëronin për të mirë e ndalonin nga e mbrapshta dhe si i gjykonin gjërat. E tërë kjo është e regjistruar në jetëshkrimet dhe biografitë e tyre dhe, gjithashtu, në rrëfimet e atyre që kanë kaluar prej ithtarëve të mirësisë, përmirësimit dhe vërtetësisë. Allahu i Madhërishëm thotë: “Në tregimet e atyre ka këshilla për ata që janë me mend.” (Jusuf: 111).

Njeriu është një individ nga ky ummet, ndërsa ummeti është tërësia e myslimanëve që nga fillimi i shfaqjes së Islamit e deri në Ditën e Kiametit. Kjo është tërësia e ummetit. Myslimani duhet t’u referohet jetëshkrimeve të selefëve dhe tregimeve të tyre për t’u njohur me atë se si ata i trajtonin çështjet dhe me udhëzimin e tyre në të, në mënyrë që të ecën shtegut të tyre. Dhe ai s’duhet të ketë konsideratë për fjalët e atyre që nxitojnë dhe për tregimet e injorantëve të cilët i entuziazmojnë njerëzit pa kurrfarë largpamësie.

Shumica e libërthave sot apo e ligjëratave dhe e thënieve janë nga njerëz injorantë në çështje të fesë, të cilët i ngazëllejnë njerëzit dhe i detyrojnë me gjëra që nuk i ka urdhëruar Allahu e as Profeti i Tij, edhe në qoftë se kjo është si rrjedhojë e qëllimit dhe nijetit të mirë. Sepse ajo çfarë merret në konsideratë nuk është nijeti e qëllimi, por ajo që është e vërtetë. Ndërkaq, e vërteta është çdo gjë që është në përputhshmëri me Kuranin dhe me sunetin sipas kuptimit të selefëve. E, sa u përket njerëzve – me përjashtim të Profetit-, ata mund të gabojnë apo të qëllojnë të vërtetën. Kështu, e vërteta merret, ndërsa gabimi lihet anash.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit