Nuk ka ligj e adhurim të ligjësuar prej Allahut veçse aty fshihen urtësi madhore

Së pari, duhet të dimë se Allahut, në atë që ka krijuar e ligjësuar, i takon vendimi i plotë dhe urtësia e skajshme. Ai çdo gjë e ka krijuar dhe ligjësuar me një urtësi të pakufishme, të përsosur. Kjo përfshin edhe krijimin e edhe ligjin e Tij. Allahu nuk i ka krijuar njerëzit për lojë, as nuk i ka lënë ata të papërgjegjshëm (duke mos pasur kurrfarë përgjegjësie ndaj Tij), e njëkohësisht nuk i ka ligjësuar ligjet e Tij pa pasur qëllim e synim. Përkundrazi, Allahu i ka krijuar njerëzit për një çështje madhore dhe qëllim madhështor. Pastaj ua ka sqaruar rrugën e drejtë të cilën duhet ta ndjekin. Allahu i ka ligjësuar ligjet që të na shtohet besimi ynë, që të plotësojmë përmes tyre adhurimin tonë ndaj Allahut. Nuk ka ligj e adhurim të ligjësuar prej Allahut veçse aty fshihen urtësi madhore, të cilat i di Allahu, e ndërsa nga njerëzit dikush arrin t’i dijë e dikush jo. Ai që arrin t’i dijë, arrin t’i dijë një pjesë prej tyre, jo të gjitha, ngase Allahut i takon urtësia e përsosur në atë që e ka ligjësuar (vetëm Ai i di plotësisht). E kur njerëzit nuk arrijnë t’i dinë urtësitë e ligjësimit të një adhurimi të caktuar, kjo nuk është dëshmi se në atë adhurim nuk ka urtësi, porse kjo është dëshmi për injorancën tonë dhe për mangësinë tonë (karshi kësaj gjëje). Allahu thotë: “juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni”. Isra 85.

Allahu ka ligjësuar adhurime të shumta dhe i ka sistemuar raportet “Krijues-njeri” dhe “njeri-njeri”, kjo si sprovë dhe provim prej Allahut (për ne), në mënyrë që të bëhet e qartë se cili njeri është adhurues i Allahut dhe cili është adhurues i epshit të tij. Kush i pranon ligjet e Allahut dhe këtë sistem të zbritur te njerëzit, me gjoks të hapur, me shpirt të qetë, ai është rob i Allahut, i kënaqur me sheriatin i Tij, i cili i jep përparësi Allahut, Zotit të tij, para epshit (egos, vetes) të tij. Ndërsa, kush nuk i pranon ato, apo i pranon vetëm ato që i shkojnë përshtati dëshirës së tij, që përputhen me synimet e tij në këtë botë, ai është adhurues i epshit të tij, ai nuk është i kënaqur me ligjet e Allahut, ia ka kthyer shpinën adhurimit ndaj Allahut, ai ka bërë që epshi i vet të pasohet (prej tij), e jo që epshi i tij ta pasojë ligjin e Allahut, ai dëshiron që ligji i Allahut të ndjekë e pasojë epshin dhe dëshirën e tij. E dimë se dija e njeriut është e paktë, por edhe urtësia e tij është edhe më e paktë. Allahu thotë: “Sikur e Vërteta të ishte sipas dëshirave të tyre, atëherë do të shkatërroheshin qiejt dhe Toka dhe gjithçka që gjendet në to. Ne u kemi dërguar atyre Këshillën (Kuranin), por ata shmangen nga ajo.” Muminun 71.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset: Ndejat e Ramazanit- Transkriptim.

 

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit