Obligimet e gruas – 5 – Përmbushja e nevojës fizike të burrit

Obligimi i madh

Dëlirësia është motivi kryesor i martesës. Burri e ruan dëlirësinë e tij duke e drejtuar epshin e tij kah gruaja e tij, në vend se ta drejtojë atë drejt të ndaluarës. Andaj, është obligim i madh i gruas që gjithmonë të jetë në dispozicion ta ndihmojë burrin e saj në shfryerjen e epshit; dhe është mëkat i madh për të ta refuzojë burrin në kënaqësinë intime, të cilën ia kërkon ai.

Abdullah bin Ebi Eufa, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

”Sikur të urdhëroja dikë t’i përulej dikujt tjetër përveç Allahut, do ta urdhëroja gruan t’i përulej burrit. Për Atë, në duart e të cilit është shpirti i Muhammedit, një grua nuk konsiderohet se ka plotësuar të drejtën e Allahut, derisa të mos ketë plotësuar tërësisht të drejtën e burrit e, për më tepër, edhe nëse ai e kërkon atë për veten kur ajo është duke ngarë devenë, ajo nuk duhet të refuzojë.” Transmetuar nga Ahmedi, Ibën Maxhe, dhe Ibën Hibbani. Vlerësuar si i mirë nga Albani ”IrvaulGalil” 1998 ,”Sahihul Xhami” 5295.

Nga hadithi i mësipërm shohim se gruaja nuk duhet të ngurrojë t’i përgjigjet thirrjes së burrit të saj, edhe nëse kjo do t’i shkaktonte ndonjë bezdi. Në mënyrë të ngjashme, Zejd bin Arkami, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kur burri e fton gruan e tij në shtratin e tij, ajo duhet t’i përgjigjet atij, edhe nëse është e ulur në shalën e devesë”. Transmetuar nga Bezari dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (es-Sahihah nr. 1203 dhe Sahihul Xhami nr. 533).

Talk bin Ali, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kur burri e fton gruan e tij për nevojën e tij (seksuale), ajo duhet t’i shkojë atij, edhe nëse ajo është duke gatuar në furrë”. Transmetuar nga Ahmedi, Nesaiu dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (es-Sahihah nr. 1202 dhe Sahihul Xhami nr. 534).

Refuzimi i kënaqësisë intime është mëkat i madh

Pasi që është obligim i madh mbi gruan ta përmbushë qejfin e burrit të saj, refuzimi i saj për ta bërë këtë është mëkat i madh që meriton mallkimin e melaikeve dhe zemërimin e Allahut. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nëse burri e fton gruan në shtratin e tij dhe ajo refuzon të shkojë, ndërkohë që ai fle i inatosur, melaiket e mallkojnë atë deri në mëngjes”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Në një transmetim tjetër, Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kur gruaja braktis shtratin e burrit të saj natën, melaiket e mallkojnë atë deri në mëngjes”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Dhe, Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë se i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk mund të ndodhë kurrë që një burrë ta ftojë gruan e tij në shtrat dhe ajo të refuzojë, veçse Ai i cili është mbi qiej do të hidhërohet me të deri sa ai (burri i saj) t’ia falë asaj”. Transmetuar nga Muslimi.

Ebu Umameh, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Janë tre njerëz, namazi i të cilëve nuk ngrihet sipër veshëve të tyre (nuk pranohet): një rob i ikur deri sa të kthehet (te kujdestari i tij), një grua që e kalon natën përderisa burri i saj është i zemëruar me të, dhe një njeri që i udhëheq disa njerëz dhe ata nuk e pëlqejnë atë”. Transmetuar nga Tirmidhiu. U verifikua si hasen nga Albani (Sahihul Xhami nr. 3057)

Nuk ka agjërim vullnetar pa lejen e tij

Duke qenë se gruaja duhet të jetë e gatshme dhe në formë për të përmbushur nevojën fizike të burrit të saj, ajo nuk është e lejuar të agjërojë vullnetarisht pa lejen e tij. Arsyeja për këtë ndalesë është se agjërimi i saj ‘vullnetar’ mund të bie ndesh me ‘obligimin’ e saj për të përmbushur nevojën e tij. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nëse burri i saj është prezent, gruaja nuk duhet të agjërojë pa lejen e tij – përveç në Ramazan. Dhe nëse ai është prezent, ajo nuk duhet ta lejojë askënd në shtëpinë e tij pa lejen e tij. Dhe sigurisht që ai do të marrë gjysmën e shpërblimit për atë që ajo shpenzon pa lejen e tij nga të ardhurat e tij”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Përzgjedhja e mesit në adhurime

Ngjashëm me agjërimin, gruaja duhet të evitojë kryerjen e adhurimeve të tepërta të cilat mund të bien ndesh me obligimin e saj ndaj burrit. Ebu Seid el Hudriu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë se gruaja e Safuan bin el Muatilit erdhi te i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue
sel-lem) kur Safuani dhe të tjerë nga sahabët ishin aty me të. Ajo tha:

“O i Dërguari i Allahut! Burri im Safuan bin el Muatili më rrah kur unë falem, më obligon të ha kur unë agjëroj, dhe ai nuk e fal namazin e sabahut deri afër lindjes së diellit”

I Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e pyeti Safuanin për thëniet e saj, dhe ai u përgjigj: “O i Dërguari i Allahut! Për thënien se unë e rrah atë kur ajo falet, kjo ndodh sepse ajo lexon dy sure (pas Fatihasë), duke më shkaktuar mua parehati – edhe pse unë i them të mos veprojë ashtu”.

I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “Nëse lexohet vetëm një sure, ajo do t’ju mjaftojë njerëzve”

Safuan vazhdoi: “Për sa i përket thënies se unë e obligoj atë ta prishë agjërimin, këtë e bëj sepse ajo shpesh agjëron (agjërim vullnetar) – ndërsa unë jam njeri i ri dhe nuk mund ta duroj këtë (për shkak të epshit tim).

I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “Gruaja nuk mund të agjërojë pa lejen e burrit të saj”.

Safuan vazhdoi: “Për sa i përket thënies së saj se unë nuk falem deri sa të lind dielli, kjo ndodh sepse unë rrjedh nga një familje që njihet të jetë kështu. Ne nuk mund të zgjohemi deri afër lindjes së diellit”.

I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “Atëherë, kur të zgjohesh, falu”. Transmetuar nga Ebu Davudi, Ahmedi dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihah nr. 395 dhe 2172, dhe Irvaul Galil nr. 2004).

Kjo temë është shkëputur nga libri:

“Familja Muslimane – Të drejtat dhe obligimet mes bashkëshortëve në Islam”

Përkthyer nga gjuha angleze

Kontrolloi: Lulzim Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit