Pas faljes së namazit të sabahut detyrohemi të flemë për shkak të fëmijëve, a ka ndonjë të keqe?

Përgjigjje: Nuk është gjë e ndaluar të flihet pas sabahut, por nuk preferohet. Më së mirë është që njeriu, në bazë të mundësive, të qëndrojë zgjuar së paku deri sa të lindë dielli. Pasi lind dielli, mund të flejë. Bereqeti është në kohën derisa të lindë dielli, ose afër lindjes së tij. Qëllimi i qëndrimit zgjuar është bërja dhikër Allahut (përmendja e Allahut). Kur njeriu rri zgjuar dhe e përmend Allahun, do të ketë bereqet në këtë kohë.

➡️ Kjo gjë transmetohet prej sahabëve, siç tregojnë dijetarët. Edhe nëse kanë udhëtuar tërë natën duke qenë pa gjumë, ata pasi e kanë falur namazin e sabahut, nuk kanë fjetur derisa është afruar lindja e diellit ku gjatë kësaj kohe kanë bërë dhikër. Shejkh Abdurrezak el Bedr ka shpjeguar se bereqeti siç ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Zbret në këtë kohë” dhe qëllimi i bereqetit që njeriu duhet ta kërkojë prej kësaj kohe bëhet duke bërë dhikër.

➡️ Transmetohet se Abdullah ibn Mesudi radijAllahu anhu kur ka qenë në një rast me nxënësit e tij i ka pyetur: “A lindi dielli?”, i kanë thënë: “Jo, ende.” Atëherë ka vazhduar me dhikër. Pastaj i ka pyetur përsëri: “A lindi dielli?”, i kanë thënë “Jo”. Dhe ka vazhduar përsëri me dhikër. Kur ka lindur dielli i kanë treguar dhe ai ka thënë: “Lavdia i takon Allahut që na dha bereqet dhe na shpëtoi në ditën tonë!” Ai ka llogaritur që nëse bëhet dhikër gjatë kësaj kohe derisa të lindë dielli, pjesa tjetër e ditës do të të shkojë mbarë, pra Allahu të ka shpëtuar brenda asaj dite. Andaj është mirë që në këtë kohë të mos flihet.

↘️ Mirëpo, nëse dikush fle, nuk do të thotë se ka bërë haram, porse e ka humbur një mirësi të madhe.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit