Pasojat e fitneve (libërth) -6

Pasoja e gjashtë
Paqartësia e gjërave dhe ngatërrimi i të vërtetës me të kotën

Autor: Dr. Abdurrezak el Bedr

Ndër pasojat e fitneve është: kur njerëzve u paqartësohen dhe u ngatërrohen gjërat, dhe shumë njerëz nuk mund ta dallojnë të vërtetën nga e kota, saqë njeriu vritet dhe nuk e di pse! Dhe ai që e vret nuk e di pse e vrau!! Sepse është fitne e ndezur, në të cilën njerëzit bëhen rrëmujë, shpirtërat ndryshonë, rreziqet rriten, e keqja rrethon nga të gjitha anët dhe kështu gjërat bëhen të paqarta. Ebu Musa el Esh’ariu thotë: “Kur fitneja është duke ardhur, bëhet e paqartë, por kur largohet bëhet e qartë”[1], dmth kur fitneja u vie njerëzve bëhet e paqartë, njerëzit nuk e kanë të qartë çështjen e saj, ndërsa kur ajo largohet, atëherë njerëzit e kuptojnë çështjen e saj.

Ndërsa El Mutarrif bin Abdilah esh Shehiri thotë: “Fitneja nuk vie për t’i qetësuar njerëzit, por ajo vie që t’a sulmojë besimtarin në fenë e tij”[2].

Me këtë rast, le ta kujtojmë fitnen e Dexhalit, e cila është fitneja më e madhe, për të cilën Pejgamberi (salallahu alejhi ve slem) i tregoi umetit të vet gjëra të vërteta dhe të qarta, të cila zbulojnë se dexhali ka njërin sy të verbër, si dhe spjegojnë të gjithë realitetin e tij, dhe megjithatë shumë njerëz do ta pasojnë atë.

Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) thotë: “Kush dëgjon për ardhjen e dexhalit le të largohet nga ai , sepse pasha Allahun! Edhe pse njeriu e konsideron veten besimtarë prapë do ta pasojë atë, për shkak të dyshimeve që i sjell”[3], dmth e pason dexhalin për shkak të dyshimeve që i sjell, me të cilat i rrëmben zemrat dhe i robëron shpirtërat e njerëzve.

Muslimi transmeton se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Kush lufton pa e ditur qartë qëllimin e asaj lufte, apo hidhërohet për fanatizëm (për ndonjë klan), thërret për fanatizëm apo e përkrahë atë dhe vritet, atëherë është vrarë në gjendje xhahilijeti (injorance)”[4].

Kështu është puna e fitneve, njerëzit bëhen rrëmujë në to, dhe nuk e kanë të qartë rrugën e drejtë.

Lidhur me këtë, përmendet një tregim i bukur i sahabiut të ndershëm Sa’d ibën Ebi Vekasit (radij Allahu anhu), me ç’rast Ibën Sirini thotë: “I është thënë Sa’d Ibën Ebi Vekasit: “A nuk do të marrësh pjesë në luftë?! – ishte për qëllim fitneja e asaj kohe, lufta mes Muaviut dhe Aliut – kurse Sa’d Ibën Ebi Vekasi ishte ndër ata që kishin qëndruar të tërhequr dhe larg asaj fitnjeje, andaj i thanë atij: “A nuk do të marrësh pjesë në luftë?! Sepse ti je nga paria dhe të takon kjo?! Ai është përgjigjur: “Nuk mund të luftoj derisa ta gjejë një shpatë e cila ka dy sy dhe gjuhën, dhe e dallon besimtarin nga jobesimtari” Dmth: më sillni një shpatë e cila ka dy sy dhe gjuhën, dhe që e dallon besimtarin nga jo besimtari, që nëse e godas besimtarin ajo më tregon që mos ta vras, e nëse e godas jobesimtarin ta vrasë.

Pastaj tha: “Më parë kam bërë xhihad duke njohur xhihadin”[5]. Dmth sa i përket kësaj lufte, në të cilën muslimanët vrasin njëri-tjetrin, unë nuk marrë pjesë në të, përveç nëse ma sjellni një shpatë me këto cilësi. Pastaj përmendi një shembull interesant, ku thotë: “Shembulli ynë dhe i juaji është sikurse shembulli i disa njerëzve që kanë qenë duke ecur drejt një caku të qartë, por papritmas duke ecur rrugës ngritet një erë me pluhur dhe humbin rrugën – u ngatërrohet rruga për shkak të pluhurit dhe erës – atëherë disa thanë: rruga është në të djathë; dhe filluan të ecin në të djathë dhe humbën rrugën. Disa të tjerë thanë: rruga është në të majtë; filluan në ecin në të majtë dhe humbën rrugën. Kurse disa të tjerë thanë: Ne ishim në rrugën e qëlluar derisa u ngrit era, andaj le të ndalojmë këtu; ata ndaluan deri në mëngjes, kur edhe u ndalë era dhe u qartësua rruga. Pra këta janë Xhemati, të cilët kanë thënë: “Le të mbesim në atë rrugë që na ka lënë Pejgamberi derisa ta takojmë atë, dhe nuk futemi në asnjë fitne”[6].

Menhexhi i Sa’d ibën Ebi Vekasit, Abdullah ibën Umerit dhe një grup sahabesh ka synuar se zgjidhja e çështjes mes Muaviut dhe Aliut nuk është shpata, por zgjidhja është me përjekje për tu pajtuar dhe për t’i matur mirë gjërat. Mirëpo Aliu ka pasë ixhtihadin e vet, e po ashtu Muaviu ixhtihadin e vet, dhe ai që bën ixhtihad dhe përpjeket ta qëlloj të vërtetën nuk i mungon shpërblimi për ixhtihadin e tij, kurse gabimi i tij është i falur, sikurse thotë Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem): “Nëse gjykon dikush duke bërë ixhtihad dhe ia qëllon të vërtetës, ka dy shpërblime, por nëse pas ixhtihadit që ka bërë nuk ia qëllon të vërtetës ka vetëm një shpërblim”[7].

Por, një grup sahabësh konsideronin se zgjidhja në këto raste nuk është shpata dhe lufta, por zgjidhja është me përpjekje për pajtim, largimi nga lufta dhe unifikimi i mendimit si dhe rrugë të tjera.

 

Përktheu: Jeton Bozhlani

—————————————————————————-
[1] “Tarihu Taberi” (3/26).

[2] Transmeton Ibën Sa’di në librin “Tabakat” (7/142), si dhe Ebu Nuajm në librin “El Hilje” (2/204).

[3] Transmeton Ahmedi (19968), Ebu Davudi (4319), Hakimi (4/576), kurse shejh Albani në librin e tij “Sahihul Xhami” (6301) thotë se është i saktë.

[4] Muslimi (1848).

[5] Transmeton Abdurrezaku në “Musannef” (20736), Ibën Sa’di në “Tabakat” (3/134), Ebu Nuajm në “Ma’rifetu Sahabe” (1/135).

[6] Transmeton Eltemam ibnul Arabi në “Mu’xhemin” e tij (713),Hattabi në librin “El Uzle” (f.72), dhe Ibën Asakir në librin “Tarihu Dimeshk” (39/496).

[7] Buhariu (7352), Muslimi (1716).

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit