Pasojat e lutjeve të shpikura

Pasojat e lutjeve të shpikura

1. Përmes tyre nuk arrihet plotësimi i qëllimit prej adhurimeve, që është dëlirja e shpirtit dhe afrimi e lidhja me Allahun duke e shtuar shpresën, frikën dhe dëshirën për arritjen e shpërlimit të Tij. Ato nuk udhëzojnë në rrugën e drejtë.

2. Përmes tyre vepruesi humbet shpërblime të shumta, të cilat arrihen me përmbajtjen ndaj lutjeve profetike.

3. Përmes tyre nuk merret përgjigje për lutjet. Lutjet e shpikura nuk pranohen tek Allahu sepse “Kush e vepron një vepër që nuk është sipas fesë tonë (sunetit profetik) ajo nuk pranohet.” Buhariu dhe Muslimi.

4. Në shumicën e rasteve ato përmbajnë gjëra të ndaluara në fe, të cilat mund të jenë:
•rrugë që çojnë në shirk, apo bidate që e çojnë nga shirku. Në të shumtën e rasteve ato përfshijnë tewesul të ndaluar (të bidatit) që është: kërkimi i afrimit tek Allahu përmes pozitës së Muhamedit salAllahu alejhi ue selem, vepruesi thotë: O Allah, për hir të pozitës që ka Pejgamberi tek Ti, përgjigjiu lutjes sime!” Apo: “për hir të Pejgamberit”, apo “përmes pozitës së Pejgamberëve”, apo “robërve të mirë”. Ky tewesul nuk ka bazë në fe, ai gradualisht i ka çuar njerëzit drejt shirkut dhe ia ka hapur derën shirkut të madh ngase ata duke e bërë këtë gjë pastaj kanë filluar t’iu luten atyre, duke kërkuar shpëtim e ndihmë.
• shkelje të kufijve të ligjësuar (teprim), duke përfshirë ndonjë edukatë të keqe ndaj Allahut.
• bidat i cili pastaj shoqërohet me bidate të tjera, si: përveç që vetë lutja e shpikur që bëjnë është bidat po ashtu koha e përcaktuar e bërjes së saj është bidat, apo forma e caktuar, apo ngritja e zërit me melodi të caktuar e ritme të veçanta, rima e shpikur, formulimi etj.

5. Vepruesi i tyre duke i bërë traditë të zakonshme rrallë ndodhë të veprojë me lutjet e ligjësuara. Sa herë që zemra e njeriut angazhohet me bidate ai ia kthen shpinën suneteve.

6. Vepruesi i tyre e ndërron atë që është mirë me atë që është e keqe. Kjo është një padrejtësi e rëndë ndaj vetes.

7. Forma e mënyra e recitimit (melodia, lëkundja etj.) të tyre është imitim i ithtarëve të librit të cilët kanë shpikur lutje që janë në kundërshtim me shpalljen që u ka ardhur përmes Pejgamberëve të tyre.

8. Vepruesi i tyre në shumicën e rasteve nuk e di domethënien e tyre, duke pasur për qëllim vetëm leximin e rexitimin, pa ndonjë meditim. Kurse ajo që kërkohet gjatë lutjes është përqendrimi dhe të bëhet sinqerisht për Allahun. Ndërsa, shumica e këtyre lutjeve të shpikura janë të ngjeshura, që nuk kanë kuptim të qartë. Ai që e lut Allahun përmes tyre realisht nuk është lutës, që kërkon prej Tij. Por thjeshtë është një lexues i fjalëve të dikujt tjetër i cili ia ka shkruar. Ai i ka zgjedhur ato për shkak se udhëheqësi (e shehu) i tij fetar ia ka shkruar ato. Andaj i pëlqen ato dhe i vepron. Me këtë e shenjtëron atë dhe me këtë beson se në to ka diçka të veçantë, andaj nëse ai e lut Allahun përmes tyre edhe nëse nuk e di kuptimin, do të marrë përgjigje- sipas tij.

Kush i ka shpikur ato ka bërë krim dhe rrezik të madh ndaj muslimanëve duke i dëmtuar në besimin e tyre. Andaj është obligim largimi nga to dhe përmbajtja vetëm ndaj lutjeve profetike sepse këto janë të drejta dhe drejtojnë në udhëzimin më të mirë.

〰️ Hoxhë Lulzim Perçuku.
? Fikhu i lutjeve dhe dhikreve.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit