Pasqyrë rreth ardhmërisë së Islamit

Shejh AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

http://www.binbaz.org.sa/mat/283

Pyetje: Shkëlqesia juaj! Si e shihni të ardhmen e Islamit përballë lëvizjeve, ideologjive dhe doktrinave të ndryshme të cilat e armiqësojnë atë?

Përgjigje: Unë e shoh se, me lejen e Allahut, Islami do të triumfojë mbi të gjitha këto doktrina dhe kredo të rrejshme, me të cilat është sprovuar bota sot; dhe se çdo armiqësi e thurur për ta dëmtuar atë dhe për ta larguar nga udhëheqja e botës, në fund, me lejen e Allahut të Lartësuar, do t’u kthehet atyre që e kanë thurur. Kjo sepse Allahu i Madhërishëm e ka marr përsipër ruajtjen e Kuranit fisnik, i cili është baza madhështore e Islamit. Allahu i Patëmetë thotë: “Sigurisht, Ne e kemi zbritur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” (El-Hixhr, 9) Allahu, falënderimi qoftë për Të, ka përgatitur ndihmës për fenë e Tij, ashtu siç thotë Profeti (sal-lAllahu alejhi e sel-lem): Do të vazhdojë një grup prej ummetit tim të jetë ngadhënjimtar me të vërtetën. Atyre nuk u bëjnë dëm ata që ua kthejnë shpinën, derisa të vijë urdhri i Allahut.” Ndërsa, në një transmetim tjetër qëndron: “Atyre nuk u bëjnë dëm ata që i kundërshtojnë, derisa të vijë Çasti (i Kiametit).” Ndër gjërat që përgëzojnë është përhapja e lëvizjeve në botën islame dhe gjetkë, të cilat porosisin për pasimin e Kuranit dhe Sunetit dhe ecjen sipas tyre.

Nga përvoja është vërtetuar se, këto parime dhe doktrina të komunizmit dhe kapitalizmit perëndimor, si dhe doktrinat tjera që themeluesit e tyre i përhapin/propagandojnë, janë të rrejshme, të dështuara, dhe se nuk e lumturojnë njerëzimin. Përkundrazi, ato e dëmtojnë atë në fe, moral dhe ekonomi, ngaqë janë të përpiluara nga njeriu, natyra e të cilit është mangësia, injoranca dhe epshi/egoja. Ashtu siç thotë i Lartësuari: “Sikur ai (Kurani) të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” (En-Nisā, 82)

Njerëzimi ka filluar të kthehet djathtas dhe majtas, me shpresë se do të gjen një metodologji të përshtatshme, e cila do ta shpëton nga humnera në të cilën kanë rënë të gjitha çështjet e jetës së tij. Mirëpo, vetëm Islami ka mundësi ta shpëtojë njerëzimin nga këto helaqe. Me lejen e Allahut, njerëzimi, herët a vonë do ta zbulojë këtë realitet, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: “Mbeturinat hidhen, ndërsa ajo që u shërben njerëzve mbetet në tokë. Kështu, Allahu i shpjegon shembujt.” (Er-Ra’du, 17)

Mirëpo, fjalët tona kanë për qëllim Islamin e pastër nga njollat e shirkut dhe bidateve, në të cilin ishin Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), shokët e tij dhe selefët e mirë pas tyre, dhe si rezultat i kësaj ata fituan, patën sukses, i çliruan vendet dhe i udhëhoqën njerëzit drejt rrugës së drejtë dhe brigjeve të shpëtimit. Allahu është Ai që jep sukses.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit