Pasuesit e pejgambereve vërtiten në dhjetë drita

Ibn Kajim el Xheuzije

Ata që iu shmangën bindjes ndaj të dërguarve (salevatullahi ue selamuhu alejhim), po dhe pasuesit e tyre, vërtiten në dhjetë errësira: në errësirën e natyrës së tyre, në errësirën e injorancës, në errësirën e epsheve, në errësirën e fjalëve, në errësirën e veprave, në errësirën e hyrjes, në errësirën e daljes, në errësirën e varrit, në errësirën e Kiametit dhe errësirën e banesës së përhershme. Pra errësira nuk u shmanget në tri banesat e tyre (në këtë jetë, në varr dhe në jetën e ardhshme).

Pasuesit e pejgambereve vërtiten në dhjetë drita. Dhe për këtë ymet dhe pejgamberin e tij, ka dritë më shumë se për çdo ymet dhe pejgamber tjetër. Meqë për çdo pejgamber ka dy drita, kurse për Pejgamberin tonë, nën çdo qime të kokës dhe trupit ka dritë të plotë. Kështu është përshkruar ai dhe ymeti i tij në librat e mëparshëm. Allahu i lartësuar thotë: ‘O ju (ithtarë të Librit) që besuat (në Musain dhe Isain), ruajuni Allahut dhe besoni në të Dërguarin e Tij (Muhamedin), se Ai do t’ju dhurojë pjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë; Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.’ (Kurani, 57:28) Fjalët e Tij: ‘me ndihmën e së cilës do të ecni’ janë kumtim se sjelljet dhe lëvizjet e tyre prej të cilave kanë dobi, janë nga drita. Ecja pa dritën e Tij nuk u sjell lavdi dhe nuk u bën dobi, madje dëmet e saj i kalojnë dobitë. Gjithashtu prej këtyre fjalëve kuptohet se zotëruesit e kësaj drite, janë ata që pranohen prej njerëzve; të tjerët veç tyre janë të dobët dhe të ndarë, të papranueshëm. As zemrat, as gjendjet, as fjalët dhe as veprat e tyre nuk ecin drejt adhurimeve. Po kështu, këmbët e tyre nuk mund të ecin mbi Urë, atë ditë kur këmbët e zotëruesve të kësaj drite ecin.

Te fjalët e Tij ‘me ndihmën e së cilës do të ecni’ kemi një urtësi të rrallë: ata ecin mbi Urë me dritën e tyre, ashtu siç ecnin me të midis njerëzve në këtë botë, ndërsa ai që nuk posedon dritë, ai nuk mund t’i lëvizë këmbët mbi Urë (e cila është në errësirë të plotë), d.m.th. nuk mund të ecë në çastet kur më së shumti ka nevojë për ecjen.[1]

—————————————————-
[1] Burimi: Ixhtima el Xhujush el Islamije… – përktheu: B. K.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit