Prej dobive të akides islame

Shejh: Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

Marrë nga libri i tij: ‘Akidetu Ehlis-sun-neti uel-xhema’ati’

 

Kjo akide e lartë dhe përfshirëse e këtyre bazave madhështore besimtarit të saj i jep dobi të shumta dhe të mëdha. Kështu, besimi në Allahun e Lartësuar dhe në Emrat e Cilësitë e Tij i jep robit dashurinë ndaj Allahut dhe përnderimin e Tij, të cilat obligojnë (shtyjnë në) zbatimin e Urdhrit të Tij dhe largimin nga Ndalimet e Tij. Përmes kryerjes së Urdhrit të Allahut dhe largimit nga Ndalesa e Tij, arrihet lumturia e përsosur nga individi dhe shoqëria si në këtë botë, ashtu edhe në Ahiret.

Allahu i Patëmeta thotë:

“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira që ka bërë” (En-Nahl- 97).

Prej dobive të besimit në Engjëj:

– Njohja e Madhështisë së Krijuesit të tyre dhe Fuqisë e Pushtetit të Tij.

– Falënderimi i Allahut për Përkujdesjen ndaj robërve të Tij, duke i autorizuar disa prej këtyre engjëjve me ruajtjen e njerëzve e disa me shkrimin e veprave të tyre dhe me gjëra tjera që janë në dobi të tyre.

– Dashuria për engjëjt, për shkak të adhurimit të tyre ndaj Allahut, që e kryejnë në formën më të përsosur, dhe për shkak se ata kërkojnë falje për besimtarët.

Prej dobive të besimit në Librat (e shenjtë):

– Njohja e Mëshirës së Allahut dhe Përkujdesjes së Tij për krijesat, duke zbritur tek ta libra, përmes së cilëve i udhëzon.

– Shfaqja e Urtësisë së Allahut, i Cili për çdo popull ligjësoi përmes këtyre librave atë që u përshtatej. Vula e të gjitha këtyre librave është Kurani i madhërishëm, i cili është i përshtatshëm (adekuat) për të gjitha krijesat në çdo kohë dhe vend, deri në Ditën e Kiametit.

– Falënderimi i Allahut për të gjitha këto.

Prej dobive të besimit në të Dërguar:

– Njohja e Mëshirës së Allahut dhe Përkujdesjes së Tij për krijesa, i Cili dërgoi tek ta këta Profetë të ndershëm, në mënyrë që përmes tyre t’i udhëzojë dhe t’i drejtojë.

– Falënderimi ndaj Tij për këtë begati të madhe.

– Dashuria ndaj profetëve, respektimi dhe lavdërimi i tyre, ashtu siç u takon, sepse ata janë të Dërguarit e Allahut dhe robërit më të zgjedhur të Tij, të cilët e adhuruan Atë, përcjellën mesazhin e Tij, këshilluan njerëzit dhe duruan e përballuan keqtrajtimet e tyre.

Prej dobive të besimit në Ditën e Fundit:

– Përkushtimi në bindjen ndaj Allahut duke shpresuar shpërblimin e asaj Dite; largimi nga kundërshtimi i Tij duke u frikuar nga ndëshkimi i asaj Dite.

– Ngushëllimi i besimtarit për gjërat që i kanë ikur nga begatitë dhe kënaqësitë e kësaj bote përmes shpresës në begatitë dhe shpërblimet e Ahiretit.

Prej dobive të besimit në Kader (caktimin dhe paracaktimin e Allahut):

– Mbështetja në Allahun gjatë kryerjes së shkaqeve, sepse (duhet të dihet që) edhe shkaku, edhe efekti i tij të dy janë me caktimin dhe paracaktimin e Allahut.

– Rehatia e shpirtit dhe qetësia e zemrës, sepse, kur të dihet se edhe shkaku edhe efekti i tij janë të caktuara dhe se e keqja do të ndodhë patjetër, rehatohet shpirti, qetësohet zemra dhe kënaqet me caktimin e Zotit. Kështu, askush nuk ka jetë më të bukur, shpirt më fitimtar dhe qetësi më të plotë sesa besimtari në Kader.

– Largimi i vetëkënaqësisë kur arrihet qëllimi, sepse arritja e tij është begati prej begative të Allahut, përmes shkaqeve të hajrit dhe suksesit të caktuara nga Ai. Kështu, (besimtari) e falënderon Allahun për këtë dhe e braktis vetëkënaqësinë.

– Largimi i shqetësimit dhe mërzisë, kur nuk arrihet synimi apo kur vjen e urryera, sepse këto janë me caktimin e Allahut të Lartësuar, të Cilit i përket sundimi i qiejve dhe Tokës, dhe se ato do të ndodhin patjetër. Kështu, (besimtari) duron gjatë fatkeqësive dhe shpreson për shpërblim.

Në këtë aludon edhe Fjala e Allahut:

“S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju e që të mos jetë e shënuar në libër (Leuhi Mahfudh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë! (Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë. Allahu nuk i do kryelartët mburravecë” (El-Hadid-22, 23).

E lusim Allahun e Madhëruar që të na forcojë në këtë akide, të na i realizojë dobitë e saj dhe të na shtojë nga të mirat e Tij. Gjithashtu, e lusim që të mos lejojë që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ka udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe e lusim të na japë mëshirë prej Tij. Vërtet, Ai është Dhuruesi i Madh!

Çdo lavdërim e falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve. Salatet dhe selamet qofshin për të Dërguarin tonë, Muhamedin, për familjen, për mbarë shokët e tij dhe për ata që i pasojnë me të mira!

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit