Prej metodologjisë së selefëve është se ata nuk e shpallin bidatçi apo mëkatar asnjërin prej pjesëtarëve të Ehlu Sunetit, për shkak të ndonjë gabimi në ixhtihad

Shejh Dr. Ibrahim bin Amir Er-Ruhajlij (Allahu e ruajt)

Shkëputur nga libri i tij: تبرئة الإمام المحَدث من قول المرجئة المحدَث

Prej bazave të rrënjosura tek selefët e umetit, si dhe tek dijetarët verifikues të medh’hebit të selefëve është se askush prej dijetarëve, udhëheqësve e sundimtarëve të Ehlu Sunetit nuk shpallet si bidatçi apo si i dalë nga Ehlu Suneti, për shkak të ndonjë gabimi të tij në ixhtihad, pavarësisht se a është ai gabim në ndonjë mesele të teuhidit apo në ndonjë mesele të hallallit a haramit. Kjo ngaqë ai e kërkoi të vërtetën dhe e kishte si synim atë, dhe kjo është ajo drejt së cilës e shpuri ixhtihadi i tij. Pra, ai është i arsyetuar në këtë, madje edhe i shpërblyer për ixhtihadin e tij. Rreth kësaj meseleje ka njëzëshmëri mes Ehlu Sunetit, dhe asnjëri prej dijetarëve që u merret fjala, nuk e kundërshtoi këtë. Kundërshtimi ndodhi nga pasuesit e bidateve, si Hauarixhët e Mu’tezilet, dhe po ashtu nga ata që u ndikuan e u mashtruan me fjalët e tyre prej masës së rëndomtë të myslimanëve.

Për këtë (që u përmend më lart) aludojnë tekstet fetare dhe fjalët e selefëve të umetit. Allahu i Madhërishëm thotë: Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka: në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon. Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose e veprojmë paqëllim! Zoti ynë, mos na ngarko me barrë të rëndë ashtu siç i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me atë që nuk mund të mbartim!” (El-Bekare, 286).

Në Sahihun e Muslimit është saktësuar se Allahu tha: “Veçse e kam bërë një gjë të tillë”. (Muslimi 125).

Allahu gjithashtu thotë: “Prandaj, frikësojuni Allahut sa të mundeni…” (Et-Tegabun, 16).

Shejhul-Islam ibën Tejmije thotë: “Pra, këto tekste fetare tregojnë se Allahu nuk ngarkon njeriun me gjëra që s’mund t’i bëjë, ndryshe nga thëniet e Xhehmive el-Muxhbire. Po ashtu, (këto tekste) aludojnë në atë se Allahu nuk e ndëshkon atë që bën diçka paqëllim apo atë që harron, ndryshe nga mendimi i Kaderive dhe i Mu’tezileve. Dhe ky është gjykimi përfundimtar në këtë fushë. Pra, muxhtehidi që përdorë dëshmi, qoftë ai imam, gjykatës (sundimtar), dijetar, udhëheqës, myfti, etj., kur të bëjë ixhtihad, të përdorë argumentet dhe të ketë frikë Allahun aq sa të ketë mundësi, atëherë kjo është ajo me të cilën Allahu e ka ngarkuar. Njëherësh, ai (me këtë) është duke iu bindur Allahut dhe e meriton shpërblimin e Tij, nëse e ka frikë Atë aq sa mundet. Allahu kurrsesi nuk e ndëshkon atë, ndryshe nga ajo që thanë Xhehmitë el-Muxhbire.” (Mexhmu’ul-Fetaua, 16/217).

Po ashtu, ai (Allahu e mëshiroftë) thotë: “S’ka dyshim se umetit i falet gabimi në çështjet delikate të dijes, edhe nëse ai (gabimi) është në meseletë e akides. Sikur të mos ishte kjo, do të binin poshtë shumica e njerëzve të mëdhenj të umetit. E, nëse Allahu e falë atë që nuk e di se pijet dehëse janë të ndaluara, për shkak se është rritur në një vend injorant, edhe pse nuk ka kërkuar dije, atëherë njeriu që është i virtytshëm e muxhtehid në kërkimin e dijes aq sa e ka mbërritur atë (dijen) në kohën dhe vendin e tij, nëse qëllimi i tij është pasimi i të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) aq sa ka mundësi, (pra ky njeri) është më meritor që Allahu t’ia pranojë të mirat dhe ta shpërblejë për ixhtihadin (mundin) e tij. Allahu nuk e ndëshkon për gabimin e bërë, gjithmonë duke e vërtetuar fjalën e Tij: “Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose e veprojmë paqëllim!”. (Mexhmu’ul-Fetaua, 20/165).

Ai, po ashtu thotë, duke e hedhur poshtë dyshimin e ndarjes (dallimit) midis ixhtihadit në meseletë që janë bazë dhe ato që janë degë, dhe (duke e hedhur poshtë thënien) se: ai që gabon në meseletë që janë degë, është i arsyetuar, ndryshe nga ai që gabon në ato mesele që janë bazë (domethënë nuk arsyetohet): “Kjo është thënia e selefëve dhe myftinjve si: Ebu Hanife, Esh-Shafi’ij, Eth-Theurij, Daudi bin Alij, dhe të tjerëve. (Pra) Ata nuk e shpallnin si mëkatar muxhtehidin as në meseletë bazike e as në ato që janë degë, siç e përcjellë këtë nga ta ibën Hazmi dhe të tjerët. Ata, po ashtu, theksuan se kjo është thënia e mirënjohur në mesin e sahabëve, tabi’inëve (pasuesve) të tyre në të mira, dhe imamëve e fesë; pra, ata nuk e shpallnin si qafir, apo fasik, apo mëkatar, asnjërin nga muxhtehidët kur gabonin, qoftë ai gabim i tyre në meseletë e adhurimeve apo ato të akides. Gjithashtu, thanë se dallimi (ndarja) midis meseleve që janë degë dhe baza, është prej thënieve të pasuesve të bidatit, si: mutekel-limunët (apologjetët), mu’tezilet, xhehmitë dhe ata që ecën shtegut të tyre.” (Mexhmu’ul-Fetaua, 19/207).

Në qoftë se, përmes asaj që u përmend më lart prej argumenteve dhe thënieve të selefëve të umetit, u vërtetua kjo bazë madhështore se, kur dijetari të bëjë ixhtihad dhe të gabojë, ai është i arsyetuar në gabimin e bërë dhe i shpërblyer, për shkak të ixhtihadit (mundit) të tij, pavarësisht se a është ai ixhtihad në ndonjë mesele të akides, si meseletë e teuhidit dhe besimit, apo në ndonjë mesele të adhurimit, si meseletë e hallallit dhe haramit, atëherë, patjetër, duhet të ndalemi tek kjo (bazë), të mos i ndahemi asaj, ta zbatojmë atë në përditshmërinë tonë dhe të mos e shpallim si mëkatar, fasik e bidatçi asnjërin në radhët e dijetarëve apo nxënësve të dijes që janë të njohur me besim të pastër dhe me pasim të udhëzimit të selefëve të mirë, për shkak të një mendimi rreth ndonjë meseleje fetare drejt të cilit e udhëhoqi ixhtihadi i tij, dhe kjo duke qenë se kundërthëniet në atë mesele janë të lejuara dhe ixhtihadi në të është i pranuar.

Mirëpo, kjo s’do të thotë që të mos i përmendim gabimet e dijetarëve dhe të mos i këshillojmë për to, apo të mos ua qartësojmë njerëzve të vërtetën. Përkundrazi, kjo është prej obligimeve më të mëdha të dijetarëve, të cilëve iu është besuar mbrojtja e fesë, siç thotë i Lartësuari: “Kujtoje (o Muhamed) kohën kur Allahu mori premtimin nga ata që u është dhënë Libri se do t’ua shpjegojnë atë njerëzve dhe nuk do të fshehin asgjë nga ai.” (Al I’mran, 187).

Gjithashtu, një gjë e tillë është e kufizuar me norma. Për shembull, përmendja e gabimit dhe sqarimi i tij të bëhet nga një dijetar i kualifikuar në dije, pastaj që më këtë të kihet për qëllim Fytyra e Allahut dhe qartësimi i së vërtetës, gjithmonë duke e respektuar kundërshtarin, nëse është prej Ehlu Sunetit, dhe duke mos e nënçmuar apo thumbuar me injorancë apo me pasim të tekave. Përkundrazi, sqarimi duhet t’i drejtohet fjalës e jo atij që e ka thënë atë. Kështu, ai nuk i kundërvihet (personalisht) atij me asgjë, përveç nëse kërkohet një gjë e tillë.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit