Qartësim rreth përkujdesjes së Islamit ndaj përmirësimit të anës së jashtme të njeriut, meqë një gjë e tillë shpie drejt përmirësimit të anës së brendshme

Shejh Muhamed Nasirudin El-Albani (Allahu e mëshiroftë)

“Silsiletul-huda uen-nur” (kaseta nr. 291).

Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë): Më kujtove një gjë dhe s’ka gjë të keqe ta bëjmë atë si fjali ndërhyrëse në fjalimin tonë të mëhershëm, ku thamë të bashkohemi e të bëhemi si rreth. Realisht, bashkimi, qoftë edhe i trupave, ndikon pozitivisht në bashkimin e zemrave, ngaqë siç thonë disa dijetarë: ana e jashtme e njeriut tregon për atë që ai ka përbrenda. Dhe drejt këtij realiteti ka aluduar Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), kur tha në një hadith të vërtetë që është i shënuar tek Buhariu dhe të tjerët dhe i cili përcillet nga Nu’man bin Beshiri (radijAllahu anhuma): “Hallalli është i qartë e po ashtu edhe harami është i qartë, ndërkohë që mes tyre ka gjëra të paqarta, të cilat nuk i dinë shumica e njerëzve. Andaj kush ruhet nga gjërat e dyshimta e ka ruajtur fenë dhe nderin e vet. Ndërsa kush bie në to, ka rënë në haram.(Kjo është) ngjashëm me çobanin që e kullot bagëtinë përreth tokës së ruajtur (të dikujt tjetër); nga çasti në çast pritet që bagëtia e tij të futet aty. Vërtet, çdo mbret ka tokën e vet të ruajtur dhe vendi i ruajtur i Allahut janë ndalesat e Tij.”

Shejhu: “Pjesa dëshmuese është në fjalitë që vijojnë”: “Vërtet se në trupin e njeriut është një copë mishi, e cila nëse është e shëndoshë, edhe trupi tërësisht do të jetë i shëndoshë. E, nëse prishet, edhe trupi tërësisht do të prishet. Ajo (copë mishi) është zemra.”

S’ka dyshim që shoqëria përbëhet nga individët, andaj kjo shoqëri duhet të jetë ashtu siç përmendet në një hadith tjetër të vërtetë: “…si shembulli i një trupi; nëse një pjesë e trupit ndjen dhimbje, i tërë trupi vuan nga pagjumësia dhe ethet”.

Nëse shoqëriaislame është një tërësi që përbëhet nga një grup individësh, dhe këta individë përkujdesen për përmirësimin e anës së brendshme të tyre ashtu siç i kushtojnë vëmendje përmirësimit të anës së jashtme, atëherë si përfundim do të kemi një shoqëri të shëndoshë nga jashtë dhe brenda. “Vërtet se në trupin e njeriut është një copë mishi, e cila nëse është e shëndoshë, edhe trupi tërësisht do të jetë i shëndoshë. E, nëse prishet, edhe trupi tërësisht do të prishet. Ajo (copë mishi) është zemra.”

Pra, ashtu siç është detyrë përmirësimi i anës së jashtme, gjithashtu është detyrë edhe përmirësimi i anës së brendshme dhe secili prej këtyre dy përmirësimeve ndihmon në përmirësimin e tjetrit. Kjo më sjellë ndërmend atë që disa dijetarë e quanin: lëvizje e vazhdueshme.

Allahu i Lartësuar është Ai që krijoi njeriun, e përsosi formën e tij dhe i shpalli Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) të na lajmërojë për këtë realitet (se): kur zemra është e shëndoshë edhe trupi është i tillë dhe kur trupi është i shëndoshë edhe zemra është e tillë. Atëherë, ekziston harmoni midis trupit dhe zemrës nga aspekti i prishjes dhe përmirësimit. E, nëse çështja është kështu, gjë që padyshim është, atëherë, Islami është përkujdesur skajshmërisht për përmirësimin e anës së jashtme, meqë ky përmirësim shpie drejt përmirësimit të anës së brendshme. Të gjitha këto fjalë i përfshinë një hadith i vetëm, duke ia bashkangjitur edhe hadithet profetike të lartcekura; hadithi i Ebu Tha’lebe El-Hushenij i cili ka thënë: “Kur njerëzit (sahabët) ndaleshin në ndonjë vend për të qëndruar, shpërndaheshin nëpër gryka e lugina. Atëherë, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u tha: “Vërtet se kjo shpërndarje e juaja nëpër gryka e lugina është nga shejtani.” Pas këtyre fjalëve sa herë që ndaleshin në ndonjë vend, bashkoheshin me njëri-tjetrin saqë mund të thuhej se sikur t’u hidhej sipër ndonjë rrobë, do t’i mbulonte të gjithë.”

Pra, bashkimi i trupave ndikon në bashkimin e zemrave. Për këtë realitet fetar, disa apologetë apo filozofë kohëve të fundit u shprehën se është filozofi fetare, ndërkohë që ai është një realitet fetar: lidhja midis së brendshmes dhe të jashtmes. Kjo lidhje ka shembuj tepër të shumtë, mirëpo mjafton zgjerimi që e bëmë gjatë kësaj fjalie ndërhyrëse, në mënyrë që t’i kthehemi asaj për të cilën ishim duke folur.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit