Ramazani dhe devotshmëria

● Agjërimi ia mundëson njeriut t’i arrijë devotshmërinë ndaj Allahut.

● Allahu ia ka bërë njeriut obligim agjërimin për një arsye madhore, që është arritja e devotshmërisë. Agjërimi është një lidhje e fortë përmes së cilës njeriu arrin ta realizojë devotshmërinë (frikën ndaj Allahut).

● Përmes agjërimit, njeriu e ulë nefsin e tij, e lufton epshin e tij, e pastron zemrën e tij. E realizon durimin, përuljen dhe qetësinë e shpirtit dhe trupit, ngase ai e di se qëndron nën mbikëqyrjen e Allahut në të gjitha veprimet që bën.

● Agjërimi të ndihmon të arrish devotshmërinë atëherë kur i realizon këto dy pika:
– Ta kryesh agjërimin me sinqeritet (jo me syefaqësi, për lavdërim etj.), me besim e bindje se Allahu e ka bërë atë obligim dhe me shpresë në shpërblimin e Allahut.
– Ta ruash agjërimin nga gjërat që e asgjësojnë atë, ose të tjera që e mangësojnë atë (mëkatet, fjalët e kota e të ndyra, lëndimi i të tjerëve, gënjeshtra, sharja, përgojimi, ofendimi etj.)

● Agjërimi është mburojë prej mëkateve atëherë kur njeriu i kushton rëndësi atij duke e përsosur atë prej gjërave që e mangësojnë atë. Nëse agjërimi nuk është nburojë për ty nga mëkatet, atëherë s’do jetë mburojë për ty prej zjarrit në Ditën e Gjykimit.

● Umeri radijAllahu anhu thotë: “Nuk është agjërimi veç frenim nga ngrënia e pirja, por është dhe frenim nga gënjeshtra, fjalët e padobishme, gjërat e kota, lojërat etj.”

● Muaxhahidi rahimehullah thotë: “Janë dy tipare të këqija prej të cilave kush shpëton, e ka shpëtuar agjërimin e tij: përgojimi dhe gënjeshtra.”

● Prej besimtarit kërkohet përveç frenimi nga ngrënia, pirja e marrëdhëniet intime në agjërimin e tij, po ashtu kërkohet të frenojë prej mëkateve. Kështu, të agjërojnë sytë e tij duke mos shikuar haram, të agjërojë veshi i tij duke mos dëgjuar haram, të agjërojë gjuha e tij duke mos folur fjalë të ndaluara, të agjërojnë duart e tij duke mos prekur atë që i ndalohet, të agjërojë këmba e tij duke mos shkelur aty ku është e ndaluar.

● Muaji i Ramazanit është shans i madh dhe një kohë e çmuar në të cilën njeriu e stërvit shpirtin e tij duke e ndalur nga e keqja dhe duke e detyruar të punojë sipas udhëzimit të vërtetë, edukatës dhe moralit të lartë.

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit