Ramazani dhe dhikri (përmendja e Allahut)

– Dhikri është ndër adhurimet më të mira dhe më të vlefshme tek Allahu.

-Allahu, në Kuran i urdhëron besimtarët që sa më shpesh ta përmendin Atë, kur janë në këmbë, ulur, shtrirë, natën e ditën, kur janë në udhëtim në det apo tokë, kur janë vendas, në pasuri e varfëri, në shëndet e sëmundje, fshehtas e haptaz, në çdo gjendje.

– Ibn Rexhebi rahimehullah thotë: “Janë të shumta tekstet nga Kurani e suneti që tregojnë se dhikri është më i vlefshëm sesa dhënia e sadakasë e shumtë që njeriu e jep nga pasuria e tij. Madje është më i mirë sesa të gjitha veprat e tjera të mira.”

– Agjëruesi i cili e ka shpërblimin më të madh është ai që më së shumti e përmend Allahun gjatë agjërimit të Tij. I tilli arrin shkallë të lartë në xhennet dhe shpërblim të madh.

– Ky muaj fisnik është muaji i dhikrit, në të cilin besimtari duhet ta shtojë sa më shumë atë.

– Agjërimi është ligjësuar për ta ngritur lartë përmendjen e Allahut e lavdërimin e Tij.

– Allahu çon salavate për ata të cilët e përmendin shpesh Atë. Qëllimi me dërgimin e salavateve është: Allahu i përmend dhe i lavdëron këta përmendës para engjëjve.

– Po ashtu dhe engjëjt çojnë salavate për përmendësit e Allahut. Qëllimi me salavatet e tyre është: lutja që e bëjnë tek Allahu që Ai t’i nxjerrë ata nga errësirat e devijimit në dritën e udhëzimit.

– Përshendetja ndaj përmendësve të Allahut kur ta takojnë Allahun në Ditën e Gjykimit është “Selam (Paqe)!” Ai ka përgatitur për ta shpërblim të madh.

– Përmendësit dhe përmendeset e Allahut janë ata të cilët u prijnë të tjerëve në vepra të mira dhe të cilëve do u takojë hise e madhe dhe shkallë e lartë në xhennet.

– Ata që llogariten si përmendës të shpeshtë të Allahut janë ata (siç sqaron Ibn Abbasi radijAllahu anhu) të cilët e përmendin Atë
-pas namazeve,
-mëngjes e mbrëmje,
-kur shtrihen për të fjetur,
-pasi zgjohen nga gjumi,
-kur dalin nga shtëpitë e tyre,
-kur hynë në shtëpi.

-Gjithashtu dijetari Es Sadij sqaron se përmendesi i Allahut konsiderohet ai që e përmend Atë:
-pas pesë kohëve të namazit,
-në mbrëmje e mëngjes,
-në sëmundje, fatkeqësi, lumturi, gëzim, duke qenë i vazhdueshëm në dhikër në çdo kohë dhe gjendje.

– Dijetari Sadij gjithashtu thotë se kur njeriu e përmend Allahun vazhdimisht, gjen prehje shpirtërore; dhikri që e bën e shtyen ta dojë më shumë Allahun e ta njohë më shumë Atë; dhikri që e bën është ndihmues në kryrjen e veprave të mira dhe në ndaljen e gjuhës prej fjalëve të këqija.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit