Ramazani dhe përmirësimi i vetës

● Nesfi i njeriut është i prirë për të këqija. Kjo është sprovë nga Allahu.

● Veprat e mira fshijnë veprat e këqija. Andaj nëse ne meditojmë rreth agjërimit, kuptojmë se ai na mundëson të arrijmë realizimin e përmirësimit të shpirtit.

● Njeriu, përmes agjërimit arrin ta edukojë shpirtin e tij drejt moraleve më të mira. Kur dikush e shan apo e ofendon atë, ai nuk ia kthen me të njëjtën mënyrë, por thotë ‘unë jam agjërueshëm’.

● Profeti salAllahu alejhi ue selem na qorton ashpër që hisja jonë e agjërimit mos të jetë vetëm uria dhe etja. Po ashtu, hisja jonë në namazin e natës mos të jetë vetëm lodhja e pagjumësia. Çdo agjërim nuk sjell rezultate, përveç atij që kryhet në mënyrën e plotë siç është ligjësuar në Kuran e sunet, duke e ruajtur atë denjësisht. Agjërim nuk është vetëm frenimi nga ngrënia e pirja, por është dhe frenimi nga mëkatet, fjalët e ndyra e të padobishme, përgojimi, gënjeshtra, bartja e fjalëve, duke i ruajtur gjymtyrët, gjuhën dhe zemrën. Në këtë mënyrë arrihet dëlirja e shpirtit drejt virtyteve të mira. Andaj, mos u bëj neglizhent.

● Ramazani është një pjesë e jetës sonë, e për të do na marrë në pyetje Allahu në Ditën e Gjykimit. Ai është pjesë shumë e vlefshme e jetës sonë që nuk ka çmim. Në të është Nata a Kadrit që ka pozitën më të lartë tek Allahu (është më e vlefshme sesa 1000 muaj). Andaj shtoje istigfarin e veprat e mira.

● Nuk ka njeri pa gabime. Mirëpo, kur ndodh t’i bësh mëkat Allahut, menjëherë kujtoje Atë, kërko falje prej Tij dhe mos vazhdo më në të. Shpërblim për të tillët do jetë falja dhe xheneti.

● Prej rezultateve të agjërimit tek njeriu është se kur ai është agjërueshëm e privon vetën e tij prej ngrënies e pirjes duke e bërë këtë veç për Allahun, me shpresë në shpërblimin dhe kënaqësinë e Tij. E kjo patjetër se kjo do e bëjë bamirës ndaj të tjerëve duke menduar për nevojtarët e të sprovuarit me varfëri, uri e fatkeqësi. Ky muaj na nxit të japim. E sadakaja më e mirë është dhënia e ujit. Por, rrugët për të dhuruar nga pasuria e jote janë të shumta.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit