Rezultati i diturisë është vepra-2

Dituria dhe vepra janë qëllimi i krijimit

Është mjaftë e qartë se dituria kërkon veprim, sepse të dyja janë qëllimi i krijimit.Allahu i krijoi krijesat që ta njohin Atë, e gjithashtu i krijoi që ta adhurojnë.

Për çështjen e parë tregon fjala e Allahut: “Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij”. (Talak/12) Pra thotë: “I krijoi … që ta dini…”, gjë që tregon se dituria është qëllimi i krijimit.

Kurse për çështjen e dytë, tregon fjala e Allahut: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë” (Dharijat/56)

Pra, edhe dituria edhe vepra janë qëllimi i krijimit. Ibadeti nuk mund të kryhet veçse me dituri të dobishme e cila të afron tek Allahu, andaj ai i cili ka mësuar dhe ka vepruar, e ka realizuar qëllimin e krijimit. Lidhur me këtë, dijetarët thonë: “Teuhidi, për realizimin e të cilit jemi krijuar, ka dy aspekte: Aspektin e diturisë dhe atë të veprës, pra teuhidi i njohjes së Allahut (sh.p. teuhidi rububije) dhe teuhidi i ibadetit (sh.p. teuhidi uluhije). Pra këto dy gjëra janë të domosdoshme në mënyrë që të realizohet nënshtrimi i plotë ndaj Allahut, dhe që robi i Allahut të jetë rob i vërtetë dhe i nënshtruar sinqerisht.

Ai i cili ka dituri pa vepër, Allahu është i hidhëruar në të, dhe me të vërtetë ai meriton hidhërimin e Tij, sepse nuk e ka realizuar qëllimin e diturisë. Kurse ai që bën vepra dhe përpiqet të bëjë ibadet pa dituri, është i devijuar dhe i humbur nga rruga e Allahut.

Për këtë na është ligjësuar sheriatikisht që në suren fatiha ta lexojmë këtë dua madhështore, e cila është duaja më e rëndësishme “Udhëzona në rrugën e drejtë. Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!” (El Fatiha/6-7) Atyre të cilëve u është dhënë mirësi, janë ata që kanë dituri dhe veprojnë me të, kurse ata që kanë marrë zemërimin e Allahut, janë ata që kanë dije por nuk veprojnë me të, ndërsa të humburit janë ata që veprojnë pa dituri.

Sufjan ibën Ujejne (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Secili nga dijetarët tanë që është prishur, u ka ngjasuar hebrenjve, kurse secili që është prishur nga ibadetgjinjët tanë u ka ngjasuar të krishterëve”. Sepse hebrenjtë kanë dituri po nuk veprojnë me të, sikurse thotë Allahu: “Shembulli i atyre, që iu besua Teurati, por pastaj nuk e zbatuan atë, i shëmbëllen gomarit…” (El Xhum’a/5) Pra, këta e kanë kuptuar Tevratin dhe e kanë mësuar, por nuk kanë vepruar me të. Kurse kush është prishur nga ibadetgjinjtë tanë, u ka ngjasuar të krishterëve, sepse ata kanë shpikur ibadete të cilat nuk i ka ligjësuar Allahu dhe nuk i ka lejuar për robërit e Tij.

Vijon…

Autor: Dr. Abdurrezak el Bedr

Përktheu: Jeton Bozhlani

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit