Rezultati i diturisë është vepra-8

Çështja e shtatë

VEPRA ËSHTË SHKAK I RRËNJOSJES DHE QËNDRUESHMËRISË
SË DITURISË

Përkushtimi ndaj veprave është shkak i rrënjosjes, qëndrueshmërisë dhe fuqisë sëditurisë. Sepse, nëse veprat braktisen, atëherë dituria humbë, sikurse transmetohet nga Aliu (radij Allahu anhu) të ketë thënë: “Dituria thirret me vepër; nëse i përgjigjet vjen, nëse jo, atëherë ajo shkon”.[1] Pra, dituria e shoqëruar me vepër, është shkak i qëndrueshmërisë së saj.

Lidhur me këtë është transmetuar nga Sha’biu të ketë thënë: “Për ta mësuar hadithin përmendësh, kërkonim ndihmë nga të vepruarit me të”[2].

Kurse nga Ebu Derda është transmetuar të ketë thënë: “Nuk mund të bëhesh dijetarë pa qenë nxënës dhe, nuk mund të bëhesh nxënës pa vepruar me atë që e ke mësuar”[3].

Në këtë kuptim transmetohen shumë fjalë nga selefët (Allahu i mëshiroftë). E po ashtu, nëse muslimani shikon në jetën e tyre e sheh qartë përmes veprave dhe biografisë së tyre të këndshme, Allahu i mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur me ta, dhe ne na bashkoftë me robërit e Tij të mirë.

Çështja e tetë

VËNIA E DITURISË NË VEPËR NDIKON MË TEPËR NË DAVET

Vënia e diturisë në veprim ndikon më tepër në davet sesa fjala pa vepër, sepse siç e kemi cekur më lartë, për këtë tregon fjala e Allahut për Shuajbin: “Unë nuk dëshiroj të bëj atë, që jua ndaloj juve” (Hud/88).

Malik ibën Dinari është transmetuar të ketë thënë: “Nëse dijetari nuk vepron, atëherë këshilla e tij do të rrëshqas nga zemrat ashtu siç rrëshqet pika kur bie mbi gur”.[4]

Nga Me’muni është transmetuar të ketë thënë: “Më tepër kemi nevojë që të na këshilloj dikush me vepra sesa me fjalë”.[5]

Sepse ai i cili vepron dhe është i përkushtuar në vepër, vepra dhe përkushtimi i tij janë davet dhe njëkohësisht bëhet shembull i mirë për njerëzit dhe realisht bëhet imam.

Allahu thotë: “dhe bëna shembull për të mirë”. (Furkan/73)

Njeriu nuk mund të jetë shembull për të mirë, përveç nëse tek ai grumbullohen cilësitë e mira, në mënyrë që të jetë shembull në cilësi të mira. Ndërsa, nëse ai zgjerohet në dituri dhe nuk vepron me të, atëherë ai vetë nuk ka dobi prej saj, as të tjerët nuk do të kenë dobi nga dituria e tij.

Po e përmend edhe një rast prekës, kur një herë vizitova një të moshuar në xhaminë në të cilën falej. Ai ishte ibadetgji i madh dhe qëndronte shumë në xhami – aty priste namaz pas namazi. Unë e përshëndeta me selam, bisedova me të dhe i thashë:“Mashallah! Në lagjen tuaj ka një numër të konsiderueshëm nxënësish të dijes”.

Ai tha: “Në lagjen tonë!” – dhe e përsëriste disa herë në shenjë mospajtimi.

“Në lagjen tonë?!” – më pyeti.

I thashë: “Po”.

Ai ma ktheu:“O biri im! Ai që nuk kujdeset për faljen e namazit me xhemat nuk është nxënës i dijes”.

Për këtë – në disa raste – disa njerëz thellohen në studimin e shkencave të ndryshme, por mungojnë në namazin me xhematë, e në veçanti në namazin e sabahut. Dhe, nëse neglizhohet ky farz, i cili është shtylla më e madhe e Islamit pas shehadetit, dhe për të cilin më së pari do të pyetemi në ditën e gjykimit, atëherë ku janë gjurmët e kësaj diturie?! Ndërsa sahabet, siç është transmetuar nga Ibën Umeri, thoshin: “Nëse dikush mungonte në namazin e sabahut dhe të jacisë, ne fillonim të dyshonim në të”.[6]

Kurse në hadith është transmetuar: “Namazi më i rëndë për munafikët është namazi i sabahut dhe jacisë”.[7]

Kurse në kohën tonë – kohën kur njerëzit qëndrojnë deri në orët e vona të natës – është shumë duke u neglizhuar namazi i sabahut. Ndoshta ka raste kur dikush e kalon natën me debat shkencor rreth disa çështjeve apo temave, pastaj fle pa e falur namazin e sabahut. Edhe sikur t’i kishte ikur namazi i sabahut për shkak të leximit të Kuranit, prapë do të ishte haram për të dhe do të bënte mëkat.

Në këtë kohë është duke u ikur njerëzve namazi më i vlefshëm, ngase është transmetuar nga Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) të ketë thënë: “Namazi më i vlefshëm tek Allahu është namazi i sabahut me xhemat në ditën e xhuma”.[8]

Dhe pikërisht namazi i sabahut me xhemat në ditën e xhuma u ikën më së tepërmi në këtë kohë. Për këtë e dinë më së miri imamët e xhamive, sepse dita e xhuma është ditë pushimi (në shumicën e shteteve arabe) në të cilën njerëzit qëndrojnë deri në orët e vona, dhe flenë vonë dhe u ikën ky namaz. Ndërsa më i miri ndër këta njerëz vie në namaz me përtaci dhe i vonuar. Vie i lodhur, i rënduar nga gjumi dhe nuk mund të falet si duhet. Dhe, nëse e ka të ditur se imami i asaj xhamie rëndom e lexon suren Sexhde dhe Insan në ditën e xhuma (siç është sunet të lexohen këto sure në namazin e sabahut në ditën e xhuma), atëherë nuk shkon në xhami deri në fund të rekatit të dytë.

Ku mbeten gjurmët e diturisë, nëse kjo ka të bëjë me farzin për të cilin më së pari do të pyetet njeriu në ditën e gjykimit?! Nëse është neglizhent në këtë ibadet, në ibadetet e tjera do të jetë edhe më neglizhent.

__________________________________________________

[1] Transmeton Asakir, në librin “Dhemmu men lem ja’mel bi ilmihi” f: 38.

[2] Transmeton Ibnu Abdul Berr në librin: “Xhamiu Bejanil Ilmi”: 1/709.

[3] Transmeton Hatibi në librin “El Iktidau” fq: 16-17.

[4] Transmeton Hatibi në librin “El Iktidau” fq: 97.

[5] Xhamiu Bejanil Ilmi (1236).

[6] Transmeton Taberani në “El Mu’xhemul Kebir” (12/271), Ibnu Huzejme (1405), Ibnu Hiban (2099).

[7] Transmeton Buhariu: (657), Muslimi: (651).

[8] “Hiljetul Eulija”: (7/207), ndërsa shejh Albani e konsideron të saktë, shih “silsisetu sahiha” (1566).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit