Rregullat e leximit të Kuranit (1)

Prej rregullave të leximit të Kuranit përmendim:

  • Sinqeriteti për Allahun (el ikhlas)

Leximi i Kuranit është prej adhurimeve të mëdha dhe ai që e lexon atë ka vlerë të madhe tek Allahu. Andaj, ai që lexon Kuran, duhet ta bëjë këtë sinqerisht për Allahun. Allahu thotë: “lutjuni Allahut me adhurim të sinqertë për Të” Gafir 14. Dhe: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë”. Bejjineh 5. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Lexojeni Kuranin dhe me këtë synoni (kërkoni) Fytyrën e Allahut, para se të vijë koha kur do të vijnë disa njerëz të cilët do ta lexojnë atë aq (drejtë) mirë siç është shigjeta e drejtë,[1] mirëpo me këtë kërkojnë shpërblimin e kësaj bote (jo të ahiretit).” Ebu Daudi dhe imam Ahmedi. “…me këtë synoni…”: shpërblimin e Allahut – xhenetin, dhe aty të shohim Allahun, e siç e dimë, prej besimit të ehli sunetit është se kushdo që hyn në xhenet do ta shohë Allahun.

  • Prezenca e zemrës

Prezenca e zemrës duke përsiatur e medituar rreth domethënieve të Kuranit. Kur e lexon Kuranin në këtë mënyrë, zemra do të përulet. Kur e lexon atë, duhet çuar nëpër mendje se Allahu është duke të të folur përmes këtij Kurani, ngase ai është Fjalë e Allahut me të cilin Ai ka folur.

  • Të qenit i pastër

Në këtë mënyrë e madhëron Fjalën e Allahut. Nuk është mirë që të lexojë Kuran ai që është xhunub[2], derisa të marrë gusl, e nëse nuk ka ujë, apo ka ujë porse nuk mund të marrë gusl për shkak të sëmundjeje apo arsye tjetër (të pranuar sheriatikisht), atëherë merr tejemum dhe pastaj lexon Kuran. Xhunubit i lejohet të bëjë dhikër, gjithashtu të lutet përmes lutjeve që janë përmendur në Kuran (në formë lutjeje), porse jo me nijetin e leximit të Kuranit, si: lutja “رَبَّنَا لَا تُزِغۡ قُلُوبَنَا بَعۡدَ إِذۡ هَدَیۡتَنَا وَهَبۡ لَنَا مِن لَّدُنكَ رَحۡمَةًۚ إِنَّكَ أَنتَ ٱلۡوَهَّابُ – “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!” Ali Imran 8.

  • Mosleximi i Kuranit në vende të papastërta, mosleximi në prezencën e disa personave që nuk e dëgjojnë me vëmendje, apo dhe më keq në prezencën e atyre që tallen me të.

Nëse njeriu e lexon Kuranin në vende të papastra, apo para dikujt që nuk e dëgjon me vëmendje, në këtë mënyrë e nënçmon atë. Nuk lejohet leximi i Kuranit në nevojtore, apo në vende të ngjashme të përgatitura për kryerjen e nevojave fiziologjike (nevojës së madhe e të vogël).

  • Kërkimi i mbrojtjes tek Allahu prej shejtanit para leximit të Kuranit.

Allahu thotë: “Kur dëshiron të lexosh Kuranin, kërko mbrojtjen e Allahut kundër djallit të mallkuar…” Nahl 98. Kjo në mënyrë që shejtani të të mos pengojë prej leximit fillimisht, apo prej leximit në formën më të mirë (të plotë)[3]. Ky është qëllimi pse Allahu e ka ligjësuar kërkimin e mbrojtjes tek Ai prej shejtanit të mallkuar para leximit të Kuranit. Nëse njeriu e nis leximin prej gjysmës së sures, nuk e ka obligim të thotë besmelen (Bismilehirr Rrahmenirr Rrahim), e nëse nis nga fillimi i sures duhet ta thotë, ngase besmele është ajet i veçantë në fillim të çdo sureje, përveç sures Teube. Kur fillon leximin e sures Teube, nuk thuhet besmelja. Sahabët kur e kanë grumbulluar mushafin, e kanë pasur problem të dallojnë se a është surja Teube sure e veçantë apo është pjesë e sures Enfal (që është para sures Teube), andaj e kanë lënë pa besmele. Ky mendim që e kanë nxjerrë si përfundim, është në përputhje të plotë me realitetin, pa dyshim, sepse sikur të kishte kjo sure besmele atëherë do të mbetej e ruajtur, ngaqë Allahu e ka ruajtur Kuranin, ai është i ruajtur me ruajtjen e Allahut, siç ka thënë: “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” Hixhr 9.

  • Recitimi me zë të bukur

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu nuk ka dëgjuar diçka më të bukur sesa që e ka dëgjuar të Dërguarin i cili me zë të bukur dhe të lartë e reciton Kuranin”. Buhariu dhe Muslimi. Kjo tregon se edhe ne, si umet i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, është mirë që ta ngrehim zërin lartë dhe ta lexojmë Kuranin duke e zbukuruar zërin. Xhubejri radijAllahu anhu tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem duke lexuar suren Tur në namazin e akshamit dhe nuk kam dëgjuar askënd ta ketë zërin më të bukur sesa ai.” Buhariu, Muslimi etj. Mirëpo, nëse në prani të lexuesit të Kuranit është dikush duke u falur, apo tjetri duke fjetur, atëherë nuk duhet të ngritët zëri e të pengohen ata, duke u shpërqendruar nga namazi ai që është duke u falur, apo t’i ndërpritet gjumi atij që është duke pushuar. Një ditë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka parë disa njerëz duke u falur, secili prej tyre e ka ngritur zërin duke lexuar Kuran, dhe ka thënë: Vërtetë, ai që falet bën bisedë (të afërt) me Zotin e Tij[4], andaj secili nga ju le të ketë kujdes se me çfarë[5] po i drejtohet Atij. Mos e ngritni zërin duke e penguar njëri-tjetrin gjatë leximit të Kuranit.” Imam Ahmedi.

[1] Qëllimi me këtë është se e lexojnë atë duke mos lënë mangët asgjë në nxjerrjen e shkronjave prej vendeve të tyre (i nxjerrin siç duhet), i lexojnë Fjalët e tij në mënyrën më të mirë, e po ashtu e lexojnë me të gjitha rregullat e texhwidit.

[2] Qoftë nëse e lexon prej mus’hafit apo përmendësh.

[3] Duke e lexuar me meditim në domethëniet e tij dhe duke respektuar rregullat e leximit.

[4] Domethënë ta recitojë Kuranin me zë të ulët. Qëllimi me “مُنَاجَاة” – bisedën e afërt (me zë të ulët) është që njeriu ta falë namazin me përulje dhe zemër të nënshtruar. Vazhdimisht ta çojë në mendje se ai ka dal para Zotit të vet, si: gjatë leximit të Kuranit, në ruku, në sexhde, etj.

[5] Domethënë ta ulë zërin e tij.

 

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.? Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit