Rregullat e leximit të Kuranit (2)

 

  • Leximi me tertil (ngadalë)

Allahu thotë: “lexoje Kuranin ngadalë dhe qartë” Muzemil 4. Duhet lexuar Kuranin ngadalë, pa nxituar, ngase kjo ndihmon në përsiatje (mendim të thellë) rreth kuptimeve të Kuranit. Po ashtu, në këtë mënyrë njeriu i lexon shkronjat dhe Fjalët e Kuranit në formën e duhur. Enes bin Malik radijAllahu anhu është pyetur se si ka qenë leximi i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe ka thënë: “I ka zgjatur fjalët kur ka lexuar Kuran (nuk është ngutur).” Pastaj Enesi ka lexuar “Bismilehi-rrahmeni-rrahim”, për të treguar se si ka qenë ky lexim, duke i zgjatur fjalët: “Bismileeh, err-rrahmeen, err-rrahiim.”[1] Buhariu dhe të tjerë. Gjithashtu dhe Ummu Seleme radijAllahu anha është pyetur për këtë dhe ka thënë: “E ka shkëputur leximin e Kuranit ajet pas ajeti.” D.m.th. nuk i ka lidhur ajetet, por e ka lexuar një ajet dhe është ndaluar, ka lexuar ajetin tjetër dhe është ndaluar. Dhe tregon: “(E ka lexuar)بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ(dhe është ndaluar, e ka lexuar)الْحَمْدُ للَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ(dhe është ndalur, e ka lexuar)الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ الرَّحِيمِ(dhe është ndalur).” Këtë hadith e transmeton imam Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu. Kjo tregon se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka lexuar Kuranin ngadalë. Ibn Mesudi radijAllahu anhu thotë: “Mos u ngutni në lexim (të Kuranit) në mënyrë të shkapërderdhur ashtu siç shpërndahet rëra[2], dhe mos e lexoni shpejtë ashtu siç i lexoni poezitë e ndryshme, porse ndaluni (meditoni) rreth mrekullive e bukurisë së Kuranit[3] (duhet ta lexoni ngadalë); përmes tij duhet vënë zemrat në lëvizje.[4] E të mos jetë qëllimi kryesor i juaj përfundimi i sures.” Nëse njeriu dëshiron të lexojë sa më shumë Kuran, i lejohet të shpejtojë, por jo në atë mënyrë saqë të ketë defekt në leximin e tij, duke lënë mangët diçka në lexim apo në Fjalët e Kuranit, si: të mos i lexojë disa shkronja, apo të bëjë idgam (t’i shkrijë/bashkojë shkronjat) kur nuk bëhet, ngase duke lënë mangësi në leximin e disa shkronjave mangësohet edhe domethënia e ajetit, e në këtë mënyrë personi e ka ndryshuar Kuranin, prandaj kjo nuk lejohet.

  • Bërja e sexhdes pas ajetit të sexhdes (ku përmendet ajo)

Kjo bëhet në çdo kohë, gjatë ditës e natës. Kur personi është duke lexuar Kuran dhe lexon një ajet ku përmendet sexhdja, është prej rregullave që ta thotë tekbirin (Allahu ekber), pastaj të bie në sexhde e të thotë: “Subhane Rabbijel ale”, e të lutet aq sa të dojë me lutje të ndryshme (lejohet të bëjë lutje në këtë sexhde), e pastaj ngritët pa thënë tekbir, pa bërë teshehud e as selam, thjeshtë ngritët dhe e vazhdon leximin e Kuranit aty ku ka mbetur. Nuk është transmetuar nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem se ka bërë tekbir kur është ngritur prej saj, përveç nëse personi është në namaz. Nëse është në namaz dhe gjatë leximit të Kuranit has në ajetin e sexhdes, atëherë bën tekbir (thotë Allahu ekber)[5] kur bie në sexhde dhe kur ngritët prej saj. Është transmetuar për Ebu Hurejren radijAllahu anhu: “Sa herë që është ulur dhe ngritur gjatë namazit ka marr tekbir (ka thënë Allahu ekber), dhe na ka treguar se kështu ka vepruar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem.” Buhariu dhe Muslimi. Kjo tregon se nëse personi e lexon ajetin e sexhdes dhe do ta bëjë sexhden, atëherë duhet marrë tekbir, e po ashtu dhe kur të ngritët prej saj. Ibn Mesudi radijAllahu anhu tregon: “E kam parë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem të thotë: “Allahu ekber” sa herë që është ulur apo ngritur gjatë namazit.” Trimidhiu, Nesaiu etj. Kështu, kjo përfshin edhe sexhden e namazit, por edhe atë të leximit të Kuranit.

Këto ishin disa rregulla të Kuranit me të cilat duhet të pajisemi dhe t’u kushtojmë kujdes. Kështu duhet kërkuar mirësinë e Kuranit. Nëse e lexojmë në këtë mënyrë, atëherë do ta arrijmë shpërblimin dhe mirësinë e Kuranit.

[1] Qëllimi me zgjatje është leximi sipas rregullave të zgjatimit “مُدُود” të cilat janë përcjellë prej të Dërguarit, salAllahu alejhi ue selem, me shpallje prej Allahut. Pra, i Dërguari salAllahu alejhi ue selem nuk ngutej në leximin e Kuranit e që pastaj t’i linte mangu këto rregulla.

[2] Në një transmetim tjetër thotë: “Ashtu siç shkunden hurmat e thata”, domethënë: që kur bien në  tokë lëshojnë zëra të paartikuluar.

[3] Kuptimeve të larta dhe domethënieve madhështore të tij, si dhe udhëzimeve dhe mësimeve të drejta të tij.

[4] E nuk duhet të jetë leximi i Kuranit sikur leximi i shkrimeve të ndryshme, i poezive etj. Kurani duhet të jetë shkaktar që të të lëvizë zemra, të mos mbesë e ngurtë. Zemra lëviz vetëm me përsiatjen mbi Fjalët e Kuranit.

[5] Nuk i ngrit duart gjatë tekbirit, qoftë brenda apo jashtë namazit, pas leximit të ajetit të sexhdes.

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.? Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit