Rregullat e preferuara (pëlqyera) të agjërimit (1)

 

  • Ngritja në syfyr për ushqim.

Në arabisht “سُحُور – suhuur” quhet ngrënia e ushqimit  në fund të natës. Është quajtur kështu sepse kjo pjesë e natës quhet سَحَر – sehar. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: تَسحَّروا فإن في السحورِ بركةً – Ngrihuni në syfyr (e hani) sepse në syfyr ka bereqet!” Buhariu dhe Muslimi. Amër ibn Asi radijAllahu anhu tregon se ai salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Dallimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ithtarëve të Librit[1], është syfyri (ngrënia e ushqimit në pjesën e fundit të natës).” Muslimi. Në një hadith tjetër Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka lavdëruar ngrënien e hurmave në syfyr. Ai ka thënë: “Sa syfyr i mirë është hurma për besimtarin.” Ebu Daud. Dhe ka thënë: “Syfyri i gjithi është bereqet (prej Allahut), andaj mos e lini atë, qoftë dhe me një gllënjkë ujë. Allahu dhe engjëjt e Tij dërgojnë salavate[2] për ata që bëjnë syfyr (ngrihen e hanë).” Imam Ahmedi me zinxhirë të fortë.

Ai që ngrihet në syfyr duhet ta bëjë këtë me nijetin që të zbatojë urdhrin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, pra të zbatojë e ndjekë veprën (rrugën) e tij, në mënyrë që ky syfyr t’i shkruhet si adhurim. Dhe po ashtu me nijetin që të forcohet për ta kaluar më lehtë agjërimin. Në këtë mënyrë njeriu arrin dy shpërblime.

Është sunet vonimi i syfyrit deri atëherë kur nuk ekziston frika se ka hyrë koha e agimit. E nëse ke frikë se ka hyrë, atëherë e ndërpret ngrënien e pirjen. Kështu ka vepruar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Enes ibn Malik radijAllahu anhu ka thënë: “Një ditë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe Zejd ibn Thabiti janë ngritur e kanë bërë syfyr. Kur e kanë përfunduar syfyrin, i Dërguari salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “Eja të shkojmë në namaz!” Dhe e ka fal namazin (e sabahut).” Ne e pyetëm Enesin radijAllahu anhu: “Sa ka qenë distanca kohore mes syfyrit (që e kanë ngrënë) dhe hyrjes në namaz?” Ai ka thënë: “Aq sa lexon 50 ajete.” Buhariu dhe Nesaiu. Nga kjo kuptojmë se syfyri duhet të vonohet sa më afër kohës së hyrjes së sabahut. Në një transmetim tregon Aisha radijAllahu anha se Bilali radijAllahu anhu e ka thirrur ezanin e parë[3] dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem u ka thënë sahabëve: “Hani e pini derisa ta dëgjoni ezanin e Ibn umi Mektumit, ngase ai nuk i thirr ezanin derisa të lindë agimi (të hyjë koha e sabahut). Nga kjo kuptojmë se duhet ngrënë e pirë derisa të hyjë koha e sabahut duke e vonuar sa më shumë syfyrin (brenda kohës së tij). Përmes kësaj dispozite të ligjësuar prej Allahut, që ia ka mundësuar të hajë e pijë duke qenë kjo sa më afër ditës kur fillon agjërimin, Ai ka treguar mëshirë për agjëruesin. Po ashtu, kur njeriu e shtyn ushqimin e pijen deri në këtë kohë, shpëton nga gjumi para namazit të sabahut dhe kështu e ka më të lehtë ta falë atë. Nëse do ta hante syfyrin më herët dhe pastaj të flinte, edhe mund t’i ikte namazi i sabahut. Këto janë disa nga urtësitë të cilat i përmendin dijetarët rreth asaj se pse është sunet të shtyhet sa më shumë syfyri.

Lejohet ngrënia e pirja deri sa të dallohet “peri i bardhë nga peri i zi”, edhe nëse njeriu ka ngrënë më herët ushqim dhe e ka bërë nijet të agjërojë, p.sh.: nëse ka ngrënë syfyr një orë (a më pak) para se të dallohet “peri i bardhë nga peri i zi” dhe e ka bërë nijet agjërimin e asaj dite, përsëri i lejohet të hajë e pijë derisa të hyjë koha e sabahut (derisa të dallohet “peri i bardhë prej perit të zi”), kur veçse bindet se ka hyrë koha e sabahut; edhe nëse ka ngrënë më herët apo e ka bërë nijetin nuk ka të keqe të hajë përsëri nëse dëshiron. Allahu kështu na këshillon dhe urdhëron në Kuran: “Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës)…” Bekare 187.

Si gjykohet se ka hyrë koha e sabahut? Kjo bëhet: ose duke e parë agimin me sy (sheh horizontin), ose përmes lajmit nga dikush që është i besueshëm, p.sh. kur filan muezini e thirr ezanin posa të hyjë koha e sabahut, apo kur njoftimi merret me mjete të tjera. Kur të hyjë koha e sabahut (lind agimi), nuk lejohet më ngrënia e pirja dhe veprimi i gjërave që ndalohen gjatë agjërimit.[4]

Nijeti nuk lejohet të veprohet me gjuhë. Kjo është prej risive (bidateve) në fe. Nuk ka bazë në sunetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Nijeti bëhet vetëm me zemër.[5]

[1] Ehlul kiteb, janë të krishterët dhe hebrenjtë.

[2] Salavat në këtë kontekst d.m.th.: lavdërim. Allahu dërgon salavate për një besimtar, d.m.th. e lavdëron atë tek engjëjt. Ndërsa, engjëjt dërgojnë salavate për të, d.m.th. e lusin Allahun që Ai ta lavdërojë atë tek engjëjt.

[3] Është sunet thirrja dy ezanëve: ezani i cili thirret gjatë natës para syfyrit që njerëzit të ngritën e të hanë syfyr, apo për namaz nate (për atë që do), dhe ezani tjetër me hyrjen e kohës së namazit të sabahut. Bilali e ka thirrur ezanin e parë, ndërsa ibn umi Mektumi, i cili ka qenë i verbër, e ka thirrur ezanin e dytë.

[4] Pirja e ujit kur është duke u thirrur ezani (në kohën e vet), siç ka ardhur në hadith, është pasi e ke ngritur gotën. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Hani e pini derisa ta dëgjoni ezanin e ibn Umi Mektumit (i cili ka qenë i verbër). E nëse dikush prej jush e ka ngritur gotën për të pirë ujë dhe e dëgjon ezanin, atëherë le ta pijë atë.” Mirëpo, nëse ka filluar ezani dhe gota është në tavolinë, nuk lejohet ta marrësh atë nga tavolina për të pirë ujë. Porse fjala është nëse veç e ke ngritur gotën afër gojës, atëherë lejohet ta pishë ujin. Njëjtë thuhet dhe për ushqimin. Nëse ke marrë një kafshatë dhe ka nisur ezani, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, kjo është njëjtë sikurse pirja, dhe lejohet ta hash atë, por jo të bësh veprim të ri, kjo nuk bën sepse prishet agjërimi.

[5] Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Veprat janë sipas nijeteve”, nijetit janë qëllimet, që janë në zemër. Andaj, nëse dikush çohet në syfyr për të ngrënë për ta agjëruar të nesërmen, ai veçse e ka bërë nijetin për agjërim. Ky është nijeti, pa pasur nevojë për pohim (me gojë). Kur të hyjë nata e parë e Ramazanit, është obligim të bëhet nijeti me zemër për agjërimin e të gjithë këtij muaji. Pastaj, për çdo natë të Ramazanit nuk është obligim ripërtërija e këtij nijeti, por është gjë veç e preferuar (sipas mendimit më të saktë). Ngritja në syfyr veçse është bërje e nijetit. Mirëpo, është një rast që duhet të ripërtërihet nijeti për agjërimin e Ramazanit, shembull: personi që udhëton i lejohet ta prishë agjërimin, ngase është udhëtar, e kur të kthehet në vendin e tij, në natën e parë e ripërtërinë nijetin se do të vazhdojë të agjërojë pjesën e mbetur të Ramazanit; apo rasti i dikujt që ka agjëruar disa ditë e pastaj është sëmurë dhe e ka prishur, pasi është shëruar, e ripërtërinë nijetin për agjërimin e pjesës së mbetur.

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit-Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit