Rregullat obligative të agjërimit (1)

 

Prej rregullave obligative të cilave duhet t’iu përmbahet agjëruesi janë të gjitha adhurimet të cilat Allahu i ka bërë obligim, qofshin të gjuhës apo të gjymtyrëve. Prej tyre:

  • Namazi obligativ (farz).

Më e rëndësishmja nga të gjitha adhurimet obligative është falja e namazit. Shtylla më e fortë dhe më e konfirmuar e Islamit është namazi, pas dy shehadeteve (që është shtylla e parë). Andaj, agjëruesi e ka për obligim që ta falë namazin e t’i kushtojë kujdes duke plotësuar kushtet, shtyllat dhe obligimet e namazit. Ai duhet ta falë namazin në kohën e përcaktuar të tij. Meshkujt e kanë obligim ta falin në xhami me xhemat. Falja e namazit në këtë mënyrë, siç përmendëm, është prej devotshmërisë për të cilën është bërë obligim agjërimi.[1] Ai që e lë namazin, nuk e falë atë, ai e kundërshton direkt këtë devotshmëri, dhe patjetër si pasojë do ta ketë ndëshkimin prej Allahut. Allahu thotë: “Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta[2]. Ata do të pësojnë dënimin e madh, përveç atyre që pendohen, që besojnë dhe bëjnë punë të mirë. Këta do të hyjnë në Xhenet dhe nuk do t’u bëhet kurrfarë padrejtësie…”[3] Merjem 59-60.

Ka prej agjëruesve që tregohet neglizhent në faljen e namazit me xhemat në xhami. Ai e kryen namazin, mirëpo tregohet mospërfillës në faljen në xhami së bashku me muslimanët. Kurse, Allahu faljen e namazit me xhemat e ka urdhëruar në Kuran. Allahu thotë: “Kur të jesh ti (o Muhamed) në mes të besimtarëve dhe të prish faljen e namazit (në luftë), atëherë njëri grup prej tyre le të falet me ty dhe le t’i mbajnë pranë edhe armët e veta! Pastaj këta, le të rrinë pas jush dhe le të vijë grupi tjetër, i cili nuk është falur dhe, le të falet me ty! Le të jenë syçelë dhe t’i mbajnë armët e veta!” Nisa 102. Në këtë ajet Allahu e urdhëron Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem dhe shokët e tij, që të falen me xhemat edhe në gjendje të luftës dhe frikës. E atëherë kur është mirëqenie, qetësi e siguri, obligueshmëria e namazit me xhemat është më parësore. Ebu Hurejra radijAllahu anhu tregon se ka ardhur një njeri i verbër te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe i ka thënë: “O i Dërguar i Allahut, nuk kam dikë të më përcjell dhe të më dërgoj në xhami (të ma tregoj rrugën).” Dhe ai salAllahu alejhi ue selem ia lehtëson (fillimisht) që të mos dalë për namaz me xhemat në xhami (por të falet në shtëpi). E kur niset për shtëpi ky njeri, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e thërret: “A e dëgjon thirrjen për namaz (ezanin)?” I thotë: “Po.” – “Atëherë përgjigju!” Muslimi. Pra, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk ia ka lehtësuar as të verbrit (që të mos e falë namazin me xhemat së bashku me muslimanët), edhe pse ai nuk kishte dikë t’ia tregojë rrugën për xhami, për ta dërguar aty.

Ai që e braktisë namazin me xhemat, përveç që ka lënë pas dore një obligim prej Allahut për ta kryer (e me këtë bën mëkat), po ashtu e ka privuar veten prej shumë shpërblimeve, të cilat shumëfishohen kur njeriu shkon për t’u falur me xhematin e muslimanëve. Shpërblimi për faljen me xhemat (në xhami) është shumëfish më i madh sesa falja e namazit vetëm (në shtëpi). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Namazi me xhemat (në xhami) është më i vlefshëm sesa namazi atij që falet vetëm, për njëzetë e shtatë shkallë.” Buhariu dhe Muslimi.

Kur muslimanët e humbasin namazin me xhemat, humbasin shumë dobi që kanë të bëjnë me komunitetin e muslimanëve. Kur ata falen së bashku në xhami, arrijnë dobi të mëdha. Nga këto dobi përmendim: Allahu mbjell dashuri mes tyre, shtohet bashkimi (uniteti) i muslimanëve, Ai që nuk di për fe mëson kur takohet me xhematin, ndihmohet nevojtari (qan hallin dhe e ndihmojnë) etj. Andaj kurrsesi nuk duhet të braktiset falja e namazit me xhemat në xhami.

Ai që e lë faljen e namazit me xhemat e ekspozon veten ndaj dënimit të Allahut. Gjithashtu, me këtë u përngjason dhe i imiton munafikët (dyfytyrëshit). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Namazet të cilat më së rëndi u vijnë munafikëve t’i falin (me xhemat në xhami), janë namazi i jacisë dhe i sabahut.” Pse kjo? Sepse kur kanë shkuar për namaz, ka qenë errësirë dhe nuk i ka parë askush duke shkuar, ndërkohë që qëllimi i munafikëve ka qenë që t’i shohin të tjerët se po falen. Ata nuk e kanë falur namazin për Allahun, andaj u ka ardhur rëndë për të shkuar në xhami për të falë namazin me xhemat (atë të jacisë e të sabahut), duke qenë se nuk i shohin të tjerët. Vazhdon: “Sikur ta dinin se çfarë shpërblimi të madh ka në faljen e tyre me xhemat, do të vinin edhe duke u zvarritur. Më ka shkuar në mendje të urdhëroj thirrjen e ikametit për namaz dhe të caktoj dikë (si imam) t’ua falë njerëzve namazin. Pastaj të marr një grup burrash që kanë me vete drunj, e të shkoj te shtëpitë e atyre që nuk prezantojnë me ne në namaz (me xhemat) e t’ua djegë ato me zjarr.” Muslimi. Ky është ndëshkimi që i ka shkuar në mendje t’ua bëjë atyre që nuk faleshin me xhemat. Ibn Mesudi radijAllahu anhu thotë: “Kush dëshiron (gëzohet dhe ndihet i lumtur) që ta takojë Allahun nesër (Ditën e Gjykimit) si musliman, le t’i ruajë pesë namazet (farz) duke i falur aty ku bëhet thirrja për t’i falur (në xhami)! Allahu ia ka treguar Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem rrugët e udhëzimit (që duhet ndjekur). E namazi me xhemat, është prej këtyre rrugëve. Në kohën tonë (kur ka qenë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem gjallë), vetëm ai që ka qenë (i njohur si) munafik nuk ka dal për namaz me xhemat. Kishte raste (nga sahabët) që vinin në xhami duke u mbajtur për dy persona të tjerë të cilët e vendosnin në saf (rresht) e ai falej me xhematin e muslimanëve.” Muslimi. Pra, kështu duhet të jetë muslimani (të falet me xhemat në xhami), nëse do t’i shpëtojë ndëshkimit të Allahut.

Ka prej agjëruesve të cilët i tejkalojnë edhe më shumë kufijtë në mëkat saqë ata flenë dhe e falin namazin pasi t’i dalë koha e tij. E kjo padyshim është prej mëkateve më të mëdha. Kjo është prej formave më të shëmtuara të mosfaljes së namazit. Shumë prej dijetarëve kanë thënë se ai që e vonon namazin derisa t’i dalë koha, nuk e fal në kohën e vet, duke mos pasur arsye sheriatike (për këtë), nuk i pranohet kurrë ai namaz edhe nëse e bën kaza 100 herë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që e bën një vepër që nuk ka bazë në fenë tonë, ajo i refuzohet.” Falja e namazit pas kohës së tij, pa pasur arsye sheriatike, nuk ka bazë në fenë e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, është një çështje me të cilën nuk ka ardhur ai salAllahu alejhi ue selem, andaj kjo gjë i refuzohet vepruesit, edhe nëse e fal 100 herë.

[1] Allahu ka thënë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat (që të bëheni të devotshëm).” Bekare 183. Shih te ndeja e nëntë.

[2] Ky është argument se ai që nuk e fal namazin është pasues i epsheve (dëshirave) të tij.

[3] Allahu nuk u bën padrejtësi robërve të Tij, por i shpërblen për veprat e mira që i kanë bërë.

 

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.? Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit