Rreth abajës, xhilbabit dhe himarit

Fetuaja nr.21352

Komisioni i përhershëm për hulumtime akademike dhe fetua:

Bekër Ebu Zejd

Salih el Feuzan

Abdullah Ibën Gudejjan

AbdulAziz Ibën Abdullah Alu Shejh

Pyetja:

Kohëve të fundit është popullarizuar një lloj i abaja-së (një veshje e jashtme e gjerë), e cila e tregon formën e trupit dhe është e ngushtë. Përbëhet nga dy shtresa të holla prej materiali të tylit, dhe i ka mëngët e gjera, me qëndisje / zbukurim dhe dizajn, dhe veshja e saj bëhet nga krahët. Cili është vendimi sheriatik (ligji Islamik) për këtë lloj të abaja-së? Ju lutemi të na këshilloni. Allahu ju shpërbleftë. Ne do të donim që eminenca juaj (Allahu ju ruajt) ta adresoni ministrinë e tregtisë që të mos shpërndajë më abaja të tilla.

Përgjigja:

Abaja për gratë, siç përshkruhet në sheriat, është xhilbabi, i cili i përmbush qëllimet e sheriatit. Ai të mbulon tërësisht dhe parandalon fitne. Respektivisht, abaja e femrave duhet t’i përmbushë këto kushte:

  1. Së pari duhet të jetë nga material i trashë që nuk është i tejdukshëm, dhe nuk duhet të ngjitet për trupi,

  2. Së dyti, duhet ta mbulojë gjithë trupin, dhe të jetë e gjerë mjaftueshëm për të mos treguar formë,

  3. Së treti, duhet të jetë e hapur vetëm përpara, dhe hapjet e mëngëve duhet të jenë të ngushta,

  4. Së katërti, nuk duhet të ketë ndonjë zbukurim që e tërheq vëmendjen e njeriut, dhe duhet të jetë pa dizajn, zbukurim, shkrim apo simbole.

  5. Së pesti, nuk duhet t’i përngjajë veshjes së kufarëve (jobesimtarëve), gra apo burra.

  6. Së gjashti, duhet të lëshohet poshtë prej majës së kokës

Bazuar në ato që i thamë më lart, abaja që e keni përmendur në pyetje nuk është abaja e cila është e përshkruar në sheriat për gratë. Kështu që, nuk është e lejuar ta vishni atë, sepse nuk i plotëson kushtet e nevojshme. E as nuk është e lejueshme që të vishet asnjë lloj abaje e cila nuk i plotëson kushtet e nevojshme, ose që të importohen ato, të prodhohen, shiten ose të shpërndahen në mesin e myslimanëve, sepse kjo është bashkëpunim në mëkat dhe shkelje. Allahu (i Lartësuar qoftë) thotë:

“Ndihmojeni njëri tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër”. [Maide 5:2]

Komisioni i ka këshilluar gratë besimtare që ta kenë frikë Allahun (i Lartësuar qoftë Ai) dhe t’i mbulojnë gjithë trupat e tyre me xhilbab dhe himar (himari mbulon deri tek krahët) nga jo-mahremët (ata që nuk janë bashkëshortë, dhe anëtarët me të cilët lejohet martesa), në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), dhe kështu t’i parandalojnë shkaktarët e fitneve.

Allahu na dhëntë sukses. Selavatet dhe selamet qofshin mbi të dërguarin Muhammed, familjen dhe shokët e tij.

Përkthyer nga: www.alifta.com

Kontrolloi: Lulzim Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit