Rrezikshmëria e pjesëmarrjes së femrës në vendin ku punon burri

Shejh AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/8194

Çdo lavdërim dhe falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve. Salati dhe selami qofshin për të Dërguarin e Tij besnik, për familjen dhe mbarë shokët e tij.

Më tej:

S’ka dyshim se propaganda që po zhvillohet për ta bërë femrën pjesëmarrëse në vendin ku punojnë burrat, gjë që shpie në përzierje mes dy gjinive, pavarësisht se (kjo propagandë) a bëhet në mënyrë direkte apo indirekte, nën pretekstin se këtë gjë e kërkon koha dhe qytetërimi në të cilin jetojmë, është një çështje tejet e rrezikshme, me pasoja të rënda, me rezultate të hidhura dhe me përfundime fatale, pavarësisht faktit se një gjë e tillë bie ndesh me tekstet fetare, të cilat e urdhërojnë femrën të qëndrojë në shtëpinë e saj dhe të merret me punët që i takojnë në të etj.

Kush dëshiron të shohë për së afërti atë çfarë bëri përzierja mes dy gjinive prej të këqijave të cilat nuk numërohen, le t’u hedhë një sy shoqërive të cilat kanë rënë në këtë bela të madhe, qoftë me dëshirën e tyre apo pa të; le të shikojë me paanshmëri dhe objektivitet ndaj të vërtetës dhe do të gjejë pakënaqësi e ankesa, qoftë në nivelin individual apo atë shoqëror; do të gjejë pendim të thellë për daljen e pakontrolluar të femrës nga shtëpia dhe për shpërbërjen që u ka ndodhur familjeve. Këtë do e hasë mjaftë qartë në gjuhët e shumicës së studiuesve, bile në të gjitha mjetet informative, dhe kjo për asgjë tjetër veç faktit se në një gjë të tillë ka shkatërrim të shoqërisë dhe rrënim të strukturës së saj.

Janë të shumta dëshmitë e vërteta, të qarta e të prera, të cilat aludojnë për ndalimin e veçimit të personit së bashku me një femër të huaj e shikimit në të, dhe ndalojnë rrugët të cilat shpijnë në harame dhe, po ashtu, e ndalojnë përzierjen mes dy gjinive, ngaqë kjo çon drejt përfundimeve të pa lakmueshme.

Nxjerrja e femrës nga shtëpia, që konsiderohet të jetë mbretëria dhe motivi i saj vital në këtë jetë, është nxjerrje e saj nga diçka që e kërkon natyra e saj, në të cilën Allahu e krijoi.

Pra, thirrja për futjen e femrës nëpër vendet ku punojnë burrat është një gjë e rrezikshme për shoqërinë islame. Dhe prej gjurmëve më të rrezikshme të saj është përzierja mes tyre, që konsiderohet të jetë ndër shkaqet më të mëdha të kurvërisë, e cila e shkatërron shoqërinë dhe i rrënon vlerat e moralet e saj. Dihet se Allahu i Lartësuar e formësoi femrën në një konstrukt i cili ndryshon tërësisht nga ai i burrave; përmes tij ia bëri të mundshme t’i kryejë punët brenda shtëpisë si dhe punët të cilat kryhen zakonisht nga femrat.

E kjo do të thotë se punësimi i femrës në vendin që është i veçantë për burra konsiderohet si nxjerrje e saj nga konstrukti dhe natyrshmëria e saj. Pa dyshim se në këtë vepër ka padrejtësi të madhe ndaj femrës dhe shkatërrim e thyerje të gjendjes shpirtërore dhe personalitetit të saj. Pastaj i tërë ky dëm kalon tek fëmijët e brezit të ardhshëm, qofshin ata djem apo vajza, ngaqë s’do të kenë edukatë, butësi dhe ndjenja dhembshurie. Kjo ngaqë personi i cili e kryen këtë rol, është nëna e cila në këtë rast është ndarë dhe izoluar tërësisht nga mbretëria e saj (shtëpia), vendi i vetëm ku ajo gjen rehati, stabilitet dhe qetësi. Realiteti i shoqërive që janë futur e janë kurthuar në këtë është dëshmia më e vërtetë për atë që po themi.

Feja islame ka bërë që secili nga bashkëshortët të ketë obligime me të cilat veçohen. Secili prej tyre duhet ta kryejë rolin e vet, në mënyrë që përmes kësaj të plotësohet ndërtimi i shoqërisë brenda dhe jashtë shtëpisë.

Kështu, burri ka për detyrë të punojë dhe të shpenzojë për shtëpinë, ndërsa gruaja ka për detyrë edukimin e fëmijëve, sjelljen e butë, dhembshurinë, ngrohtësinë e përkujdesjen ndaj tyre dhe gjidhënien. Po ashtu, ajo mund të punojë ato punë që i shkojnë për shtati natyrës së saj, si ato që kanë të bëjnë me mësimin e fëmijëve të vegjël, udhëheqjen e ndonjë shkolle për femra, mjekimin dhe kujdesin ndaj pacienteve femra, apo gjëra të tjera të kësaj natyre, të cilat janë të veçanta për femra. Lënia e obligimeve shtëpiake (familjare) nga ana e gruas është humbje e shtëpisë me të gjithë anëtarët e saj. Nga një gjë e tillë rezulton shpërbërja e familjes si nga ana konkrete, ashtu edhe nga ajo shpirtërore. Dhe, kur kjo të ndodhë, atëherë shoqëria do të bëhet një shoqëri sipërfaqësore, një formë dhe imazh që brenda saj s’ka kurrfarë realiteti apo kuptimi.

Allahu i Madhërishëm thotë: Meshkujt janë mbrojtësit dhe mbajtësit e grave, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe ngaqë ata shpenzojnë nga mjetet e tyre të jetesës për t’i mbajtur .” (En-Nisa’, 34). Pra, është ligj i Allahut ndër krijesat e Tij që përgjegjësia (autoriteti) t’i takojë burrit, për shkak të disa cilësive (shquarjeve) që i ka mbi gruan, ashtu siç edhe aludon ajeti i lartcekur.

Urdhri i Allahut të patëmeta drejtuar femrës që ajo të qëndrojë brenda shtëpisë dhe ndalimi i Tij që ajo të mos i shfaqë bukuritë e saj nënkupton ndalimin e përzierjes mes dy gjinive, domethënë, grumbullimin (takimin) në ndonjë vend mes burrave dhe grave të huaja për ta me pretekstin e punës, shitblerjes, piknikut apo udhëtimit, etj. Sepse pjesëmarrja e gruas në këto vende e shpie atë drejt kryerjes së veprave të ndaluara dhe në këtë ka kundërshtim të urdhrit të Allahut dhe hedhje poshtë të të drejtave të Tij, të cilat kërkohen fetarisht nga myslimania.

Kurani dhe Suneti aludojnë për ndalimin e përzierjes mes dy gjinive si dhe për të gjitha rrugët që shpijnë drejt një gjëje të tillë. Allahu i Madhërishëm thotë: “Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes (periudhën para-islame)! Falni namazin, jepni zeqatin dhe bindjuni Allahut e të Dërguarit të Tij! O Familje e Profetit! Me të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë (gjynahet) dhe t’ju pastrojë plotësisht. Mbani në mendje ato që lexohen në shtëpitë tuaja prej Shpalljes së Allahut dhe Urtësisë (profetike)! Me të vërtetë, Allahu është Bamirës i pakufishëm dhe di çdo gjë.” (El-Ahzab, 33-34). Pra, Allahu i urdhëroi nënat e besimtarëve – meqenëse të gjitha myslimanet dhe besimtaret hyjnë në këtë urdhër – të qëndronin në shtëpi, ngaqë në këtë ka ruajtje të tyre dhe largim nga çdo rrugë që shpie drejt të këqijave. Kjo sepse dalja nga shtëpia pa ndonjë nevojë ndodh të shpjerë drejt zbulimit të stolive dhe drejt sherreve tjera. Më tej, Allahu i urdhëron të bëjnë punë të mira, që i ndalojnë nga shthurja dhe nga çdo e keqe, dhe atë përmes kryerjes së namazit, dhënies së zekatit dhe bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Pastaj i orienton drejt asaj që u bënë dobi në të dyja botët: që të jenë në lidhje të vazhdueshme me Kuranin dhe me Sunetin e pastër profetik, ngaqë përmes tyre largohet zgjyra e zemrave, nëpërmjet tyre ato pastrohen nga fëlliqësitë e pisllëqet dhe udhëzohen drejt të vërtetës dhe të drejtës.

Allahu i Lartësuar, po ashtu, tha: “O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (xhilbab-in) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (El-Ahzab, 59).

Pra, Allahu e urdhëroi Profetin (alejhis-salatu ues-selam), i cili kumton nga Ai, t’u thoshte grave dhe vajzave të tij, si dhe grave të besimtarëve në përgjithësi, që të lëshonin mbulesën e tyre (xhilbab-in) përreth trupit, dhe kjo nënkupton mbulimin e trupave të tyre me xhilbab, kur ato dëshirojnë të dalin jashtë shtëpisë për ndonjë nevojë, në mënyrë që të mos ngacmohen nga ata që kanë zemra të sëmura. E nëse çështja është siç u përmend, atëherë çfarë mendon për pjesëmarrjen e femrës në vendin ku punojnë burrat, për përzierjen e saj me ta, për shfaqjen e nevojave të saj tek ta me pretekstin e punësisë, për sakrifikimin e një pjese të madhe të feminitetit të saj që të barazohet me ta dhe për humbjen e turpit të saj, në mënyrë që përmes kësaj të arrihet harmonia mes dy gjinive të kundërta, si nga ana kuptimore, ashtu edhe nga ajo vizuale?

Allahu i Lartësuar thotë: Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më e pastër për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata. Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës).” (En-Nur. 30-31).

Këtu, Allahu po e urdhëron Profetin e Tij (alejhis-salatu ues-selam) t’u tregojë besimtarëve dhe besimtareve që të jenë të përkushtuar në uljen e shikimit nga gjërat e ndaluara dhe të ruajnë organet e tyre nga kurvëria. Pastaj Allahu sqaroi se kjo është më e pastër për ta. Dihet se ruajtja e organit nga kurvëria bëhet nëpërmjet shmangies së rrugëve që çojnë drejt saj. Dhe pa dyshim se lëshimi i shikimit dhe përzierja e grave me burra apo anasjelltas në vendet ku punohet apo në vende tjera, është prej shkaqeve më të mëdha për rënie në kurvëri. Është e pamundshme për besimtarin të realizojë këto dy gjëra që kërkohen prej tij (ulja e shikimit/ruajtja e organit), duke qenë se ai punon me ndonjë femër të huaj, qoftë ajo shoqe apo kolege e tij e punës. Pra, pa dyshim se pjesëmarrja e tij së bashku me të në atë vend apo pjesëmarrja e saj së bashku me të në atë vend, është prej gjërave që e pamundësojnë uljen e shikimit apo ruajtjen e organit (nderit) apo arritjen e pastërtisë së shpirtit dhe dëlirësinë e tij.

Po ashtu, Allahu i urdhëroi edhe besimtaret ta ulin shikimin, t’i ruajnë organet e turpshme dhe të mos shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme, si dhe t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e kokës. Kjo nënkupton mbulimin e kokës dhe të fytyrës, sepse fjala el-xhejb përfshin të dyja këto vende. Andaj, si ka mundësi të ulet shikimi, të ruhen vendet e turpshme dhe të mos shfaqen stolitë, kur femra punon e përzihet së bashku me burra? Mjafton përzierja mes tyre për të rënë në të gjitha këto gjëra të rrezikshme. Si ka mundësi që femra myslimane të ulë shikimin e saj, kur ajo ecën krahas me burrë të huaj, nën pretekstin se është pjesëmarrëse apo e një rangu me të në kryerjen e punëve?

Feja islame i ka ndalur të gjitha mënyrat apo rrugët që çojnë drejt gjërave të ndaluara. Po ashtu, ua ka ndaluar femrave të flasin me përkëdheli ndaj burrave, për arsye se një gjë e tillë shpie drejt dëshirimit të tyre (nga ana e burrave). Siç thotë i Lartësuari: “O gratë e të Dërguarit! Ju nuk jeni si gratë e tjera. Nëse i frikësoheni Allahut, mos flisni me përkëdheli, që të mos ju dëshirojë ai që ka zemër të sëmurë, por flisni drejt dhe në mënyrë të ndershme!” (El-Ahzab, 32). Domethënë, ai që ka zemër të sëmurë nga epshi (zemër epshore). Andaj, si ka mundësi të ketë ruajtje nga e gjithë kjo, kur ato përzihen me burra?

Dihet fare mirë se kur femra të punojë bashkë me burra, atëherë patjetër se ajo do t’u flasë atyre dhe anasjelltas, dhe patjetër se ajo do t’ua zbusë fjalët e, po ashtu, edhe ata. Ndërkaq, prapa gjithë kësaj qëndron (në pusi) shejtani, i cili i hijeshon në sytë e tyre dhe i thërret drejt veprës së ligë, derisa të bien pre e tij. Allahu është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm në urdhërimin e femrës për të bartur mbulesë. Dhe kjo për asgjë tjetër veçse për faktin se në mesin e njerëzve ka të mirë e të këqij, të pastër e të fëlliqtë (të pamoralshëm). Kështu, me lejen e Allahut, mbulesa e pengon sprovimin dhe i mbërthen shkaqet e tij. Me të arrihet pastërtia e zemrave si nga burrat, ashtu edhe nga femrat, dhe largimi nga gjërat e dyshimta e shkaktare të akuzave. Allahu i Madhërishëm thotë: “Kur të kërkoni prej tyre diçka, kërkojeni prapa perdes! Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të atyre.” (El-Ahzab, 53).

Mbulesa më e mirë për femrën, pas mbulesës së fytyrës, është shtëpia e saj. Islami ia ndaloi asaj përzierjen me burra të huaj, në mënyrë që të mos ekspozohet ndaj sprovimit, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte. Po ashtu, e urdhëroi të rrijë në shtëpi dhe të mos dal prej saj, veçse për ndonjë nevojë të lejueshme dhe atë duke qenë e cilësuar me edukatë fetare. Allahu e quajti qëndrimin e femrës në shtëpi karar (qëndrueshmëri, gjendje e qetë, qetësi, prehje). Ky është një ndër kuptimet më të mrekullueshëm e më të lartë. Pra, në të ka qetësi të shpirtit të saj dhe rehati e prehje të zemrës. Ndërsa, dalja e saj nga kjo gjendje, i shkakton rrëmujë në shpirt, shqetësim dhe ngushti të zemrës, si dhe ekspozim ndaj gjërave, përfundimi i të cilave është i papëlqyeshëm. Islami ndaloi nga veçimi bashkë me një me femër të huaj, pavarësisht rrethanës, përveç rastit kur është në praninë e mahremit dhe, po ashtu, e ndaloi femrën të marrë udhëtim pa shoqërimin e tij (mahremit). Tërë kjo, për shkak të mbylljes së rrugëve, dyerve e shkaqeve të prishjes, të mëkatit e të sherrit, dhe për ruajtjen e dy gjinive nga kurthet e shejtanit. Për këtë arsye, është saktësuar nga i Dërguari i Allahut të ketë thënë: “Nuk kam lënë pas sprovë më të rëndë për burrat sesa gratë.” Dhe: “Ruajuni nga dynjaja dhe nga gratë, sepse sprova e parë te bijtë e Izraelit ishte për shkak të grave.”

Ndër thirrësit drejt përzierjes mes dy gjinive ka të atillë që argumentojnë me anën sipërfaqësore të disa teksteve fetare, aludimin e të cilave e perceptojnë vetëm ata që Allahu ua ka ndriçuar zemrat, të cilët e kanë mësuar e kuptuar mirë fenë, të cilët i bëjnë bashkë tërë dëshmitë fetare dhe në botëkuptimin e tij ato (dëshmi) janë si një bashkësi e cila nuk pjesëtohet. Ata (thirrësit drejt përzierjes) argumentojnë me rastin kur disa gra dolën së bashku me të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në njërën nga betejat e tij. Përgjigjja në këtë është se ato dolën së bashku me mahremët e tyre dhe atë për arsye të dobive të shumta, të cilat nuk rezultojnë në prishjen e moralit, për shkak të imanit e devotshmërisë që e patën, si dhe mbikëqyrjes së mahremëve dhe përkujdesjes së tyre ndaj mbulimit të trupit pas zbritjes së ajetit të hixhabit; ndryshe nga gjendja e shumicës së grave sot. Është e ditur se dalja e gruas nga shtëpia e saj me qëllim të punësisë ndryshon krejtësisht nga gjendja për shkak të cilës ato gra dolën së bashku me të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në betejë. Kështu, krahasimi mes dy gjendjeve është analogji e kotë. Po ashtu, çfarë ishte kuptimi i selefëve rreth kësaj? Pa dyshim, ata i kuptonin tekstet fetare më mirë se çdokush tjetër dhe ishin që më së shumti e zbatonin librin e Allahut dhe sunetin e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Atëherë, çfarë u përcoll nga ta gjatë gjithë kësaj kohe? A u zgjeruan në këtë, siç pretendojnë thirrësit drejt përzierjes, e kështu të përcjellin prej tyre atë që aludon në lejueshmërinë e pjesëmarrjes së gruas së bashku me burrin në çdo sferë të jetës duke u bërë konkurrencë atyre e duke u përzier me ta dhe anasjelltas? Apo ata (selefët) kuptuan se ato ishin raste specifike, të cilat nuk bën të krahasohen me raste tjera?

Nëse i rishikojmë depërtimet ushtarake të myslimanëve dhe betejat e tyre përgjatë historisë, nuk do e gjejmë këtë dukuri. Ndërsa, ajo çfarë po propagandohet sot, që gruaja të futet në ushtri, të bartë armën dhe të luftojë njëjtë sikurse burri, s’është gjë tjetër veçse metodë për prishjen dhe rrënimin e moralit të ushtarëve nën emrin e zbavitjes për ta. Sepse, në momentin kur natyra e burrit të takohet me atë të femrës, mes tyre në veçim do të ndodhë ajo çfarë ndodh mes çdo burri e gruaje, si: animi (joshja), prehja dhe qetësia në bisedë e në të folur. Pastaj, gjërat e tërheqin njëra-tjetrën. Ndërkaq, mbyllja e rrugëve të sprovimit është gjë më e mençur, më e vendosur dhe më e largët nga pendimi në të ardhmen.

Kështu, Islami është tejet i përkushtuar në sjelljen e dobive dhe në largimin e dëmeve, si dhe në mbylljen e dyerve që çojnë tek to. Përzierja e gruas me burrin në vendin e punës ka ndikim të madh në degradimin e umetit dhe në prishjen e anëtarëve të tij, siç e sqaruam më lart. Sepse historikisht dihet se prej shkaqeve kryesore të degradimit dhe dështimit të civilizimeve të lashta, si ai romak e grek, ishte dalja e gruas nga vendi që është caktuar për të (shtëpia) në vendet e burrave dhe konkurrimi i tyre. Kjo bëri që të prishej morali i burrave dhe pastaj të braktisnin atë që e çon popullin e tyre drejt përparimit, si në rrafshin material, ashtu edhe në atë shpirtëror. Angazhimi i gruas me punë jashtë shtëpisë shkakton papunësinë e burrave dhe dështimin e umetit. Po ashtu, shkakton shpërbërjen e familjes dhe rrënon strukturën e saj. Gjithashtu, kjo bëhet shkak për prishjen e moralit të fëmijëve dhe për kundërshtimin e autoritetit të burrit mbi gruan, për të cilin tregoi Allahu në librin e Tij.

Islami është i përkushtuar të largojë gruan nga çdo gjë që bie ndesh me natyrën e saj. Kështu, e ndaloi atë nga marrja e udhëheqjes së përgjithshme, si kryesinë e shtetit, gjykatën apo çfarëdo lloj përgjegjësie të përgjithshme, për shkak të fjalës së Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “S’ka për të shpëtuar populli që udhëhiqet nga femra.” (Buhariu në Sahih). Andaj, hapja e derës për gruan që të futet në vendin ku burri zhvillon veprimtarinë e tij, bie ndesh me dëshirën e Islamit për të që ajo të jetë e lumtur dhe e qetë. Feja islame ndalon rekrutimin e gruas në ndonjë vend tjetër, përveç vendit bazik të saj (shtëpisë). Është vërtetuar nga përvoja të ndryshme, e veçanërisht në shoqëritë ku ka përzierje, se burri dhe gruaja nuk janë të barabartë si nga qenia, ashtu edhe nga natyra, pavarësisht dallimit të çiltër e të qartë mes dy gjinive, i cili përmendet në Kuran dhe në Sunet. Ndërsa ata të cilët thërrasin për barazi midis “gjinisë së dobët” dhe burrave, nuk i dinë apo bëhen kinse nuk i dinë dallimet bazike mes tyre.

Më lart përmendëm – aq sa mjafton dhe e bindë kërkuesin e së vërtetës – disa nga dëshmitë fetare dhe realitetin evident, të cilët aludojnë për ndalimin e përzierjes mes dy gjinive dhe pjesëmarrjes së gruas në vendin ku punojnë burrat. Mirëpo, duke marr parasysh se disa njerëz ndodh që përfitojnë nga fjalët e njerëzve të perëndimit e të lindjes më shumë sesa që përfitojnë nga fjalët e Allahut dhe të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), e pashë të arsyeshme t’u sjellim atyre disa thënie të këtyre njerëzve, ku ata i pranojnë dëmet dhe të këqijat e shkaktuara nga përzierja mes dy gjinive. Këtë e bëmë duke shpresuar që ata të binden me fjalët e tyre dhe të dinë se mesazhi me të cilin erdhi feja e tyre madhështore, në mesin e të cilit edhe ndalimi i përzierjes mes dy gjinive, është pikërisht dinjiteti, ruajtja dhe mbrojtja e grave nga shkaqet që i dëmtojnë dhe ua cenojnë nderin.

Shkrimtarja (publicistia) angleze Lady Cook thotë: “Përzierja mes dy gjinive është një gjë që e preferojnë meshkujt. Për këtë shkak, gruaja është joshur drejt asaj që e kundërshton natyrën e saj (daljen nga shtëpia). Dhe, në bazë të numrit të përzierjeve, është edhe numri i fëmijëve kopilë, dhe pikërisht këtu fillon belaja e madhe për gruan”, deri sa tha: “Mësojini femrat që të rrinë larg meshkujve dhe lajmërojini për përfundimin e kurthit të fshehur që u është kurdisur në pusi.”

Ndërkaq gjermani (filozofi) Schopenhauer thotë: “Thuaj: “Përzierja është defekti kryesor në rregullimin e gjendjeve tona. Është pikërisht ajo që e bëri gruan të jetë pjesëmarrëse e burrit në krenarinë dhe epërsinë e tij sublime dhe që ia lehtësoi asaj tejkalimin e kufijve në arritjen e aspiratave (lakmive) të ulëta të saj, derisa me fuqinë e pushtetit dhe me opinionet e saj të ulëta e prishi qytetërimin modern.”

(Poeti dhe politikani) Lord Byron shënon: “Sikur të reflektoje, o ti lexues, rreth gjendjes së gruas në periudhën e lashtë greke, do ta gjeje atë në një gjendje të shtirë (artificiale), që bie ndesh me natyrën e saj. Dhe, së bashku me mua, do të shihje domosdoshmërinë e angazhimit të gruas me punët e shtëpisë dhe domosdoshmërinë e fshehjes së saj nga përzierja me të tjerët, mirëpo duke i dhënë për të ngrënë e për t’u veshur ashtu siç duhet.”

Autori dhe reformatori skocez Samuel Smiles thotë: “Ligji i cili gjykon për angazhimin e gruas nëpër fabrika e vende industriale, pavarësisht se sa të mira i ka sjellë vendit, prapëseprapë, përfundimi i tij ka qenë shkatërrimtar për jetën familjare, ngaqë ai e sulmoi strukturën e shtëpisë, i rrënoi shtyllat e familjes dhe i shkëputi lidhjet shoqërore. Kjo sepse ai (ligj) e rrëmben bashkëshorten nga bashkëshorti i saj dhe fëmijët nga të afërmit e tyre. Kështu, në mënyrë të posaçme, ai u bë një ligj që nuk pati ndonjë rezultat, përveç rrënimit të moralit të gruas, duke qenë se posti real i saj është kryerja e obligimeve shtëpiake, si: rregullimi i shtëpisë, edukimi i fëmijëve dhe të qenët mesatare në mjetet e jetesës, së bashku me kryerjen e nevojave të shtëpisë. Mirëpo, puna jashtë shtëpisë ia rrëmbeu asaj të gjitha këto detyra. Shtëpitë mbetën të zbrazëta ndërsa fëmijët u privuan nga edukimi dhe u lanë nëpër qoshet e shkujdesjes; u shua dashuria bashkëshortore dhe gruaja nuk mbeti më bashkëshorte e këndshme dhe shoqe e pandashme dhe e dashur për burrin, por u bë kolege e tij në punë e mundim; ajo nuk ua vuri veshin ndikimeve që zakonisht e zhdukin thjeshtësinë mentale dhe morale, mbi të cilat vërtitet ruajtja e vlerave.”

Specialistja për çështjet e gruas, amerikania dr. Adeline, thotë: “Vërtet që shkaku për krizat familjare në Amerikë dhe sekreti i krimeve të shumta në shoqëri qëndron tek fakti se bashkëshortja e ka lënë shtëpinë e saj për të rritur të hyrat e familjes. Kështu, hyrjet u shtuan, mirëpo njëkohësisht u ul edhe niveli i moralit.” Pastaj tha: “Përvoja ka vërtetuar se kthimi i gruas në shtëpi është rruga e vetme për shpëtimin e brezave të rinj nga degjenerimi nëpër të cilin janë duke ecur.”

Njëri nga anëtarët e kongresit amerikan tha: “Gruaja e ndihmon përnjëmend shtetin atëherë kur qëndron në shtëpi, që konsiderohet të jetë baza e familjes.”

Ndërsa një kongresist tjetër kishte thënë: “Kur Zoti ia dha gruas mundësinë për të lindur fëmijë, nuk kërkoi prej saj që t’i linte ata për të punuar jashtë shtëpisë, por bëri që funksioni i saj të jetë qëndrimi në shtëpi për t’u kujdesur për ta.”

Schopenhauer, po ashtu, thotë: “Jepjani gruas lirinë e saj të plotë, të pakufizueshme dhe të pakontrolluar, pastaj ejani e më takoni pas një viti për të parë rezultatin. Mirëpo, mos harroni se ju, së bashku me mua, do të vajtoni për vlerën, dëlirësinë dhe edukatën. E, kur të vdes, thoni: “E kishte gabim”, apo: “Ia ka qëlluar të vërtetës”. Të gjitha këto thënie i përmendi Dr. Mustafa Husnij Es-Sibai’j (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij: “El-Mer’etu bejnel-fikhi uel-kanuni”/“Gruaja midis fikhut dhe ligjit”.

Sikur t’i përmendnim të gjitha citatet e njerëzve të paanshëm (korrekt) perëndimorë rreth dëmeve të përzierjes mes gjinive dhe pjesëmarrjes së gruas në vendin ku punojnë meshkujt, do të zgjatej ky shkrim, mirëpo përmendja e referencës, qoftë edhe e shkurtë, mjafton nga prurja e shprehjeve të gjata.

Përmbledhtas: qëndrimi i gruas në shtëpi dhe kryerja e detyrave të cilat i ka përsipër, siç është rregullimi i shtëpisë, por vetëm pas kryerjes së obligimeve fetare, kjo është gjëja që i përshtatet natyrës dhe qenies së saj. Dhe në këtë ka përmirësim të saj, të shoqërisë dhe të brezit që vjen. Nëse ajo ka kohë të lirë, atëherë mund të angazhohet në sferat ku punojnë femrat, si: mësimi i femrave, pastaj mjekimi dhe përkujdesja ndaj tyre, siç e sqaruam më lart. Kështu, ato angazhohen dhe bashkëpunojnë me meshkujt në punët shoqërisë dhe në shkaqet e përparimit të saj, mirëpo secili në fushën e vet të veprimit. Mos të harrojmë të përmendim edhe rolin e nënave të besimtarëve (radijAllahu anhunne) dhe atyre femrave që ecën shtegut të tyre në mësimin, orientimin dhe udhëzimin e ummetit, si dhe kumtimin nga Allahu e nga i Dërguari i Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Andaj, Allahu i shpërbleftë për këtë me të mira dhe i shtoftë shembujt e tyre në mesin e myslimaneve sot në bartjen e mbulesës ashtu si duhet, në ruajtjen nga mëkatet dhe në largimin nga përzierja me meshkuj në vendet ku ata punojnë.

E lusim Allahun të na bëjë t’i kuptojmë detyrat që i kemi dhe ta na ndihmojë t’i kryejmë ato sipas mënyrës që e kënaq Atë. E lusim Allahun të na ruaj nga rrugët e sprovimit, nga faktorët çrregullues dhe nga intrigat e shejtanit! Vërtet, Ai është Bujar dhe Fisnik.

Salati dhe selami qofshin për të Dërguarin e Tij besnik, për familjen dhe mbarë shokët e tij.

 

Përktheu: Petrit Perçuku

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit