Ruaje gjuhën- Hoxhë Lulzim Perçuku (Ligjëratë e transkriptuar)

Ruajtja e gjuhës

Hoxhë Lulzim Perçuku

Gjuha është një organ që njeriu e ka obligim ta ruajë, ajo është prej mirësive dhe dhuntive që Allahu ia ka dhënë atij, është prej krijesave të përsosura të Tij. Edhe pse madhësia e gjuhës është e vogël, mirëpo bindja e adhurimi që bëhet ndaj Allahut përmes saj, është shumë i madh. Njëkohësisht krimi që bëhet me gjuhë është shumë i madh, kjo për arsye se nuk ka mundësi të sqarohet besimi apo mosbesimi i dikujt, përveçse përmes gjuhës. Atë i cili e lëshon gjuhën e tij duke qenë neglizhent e nuk e ndalon atë, shejtani do ta dërgojë drejt shkatërrimit. Së pari do ta çojë buzë greminës, pastaj do e hedh edhe në greminë (shkatërrim).

Është cekur në hadith se nuk i hedh në zjarr të xhehenemit njerëzit me fytyrat e tyre, përveçse rezultati i gjuhës së tyre, përveçse ajo çfarë gjuajnë gjuhët e tyre. Kur gjuha e jote flet, ajo gjahton. E çfarë më së shumti i gjuan njerëzit në zjarr të xhehenemit është gjahu i gjuhës së tyre. Njeriu nuk ka mundësi të shpëtojë prej të keqes së gjuhës përveç nëse atë e ndal dhe kufizon me frerët e sheriatit, me Kuran dhe sunnet. Myslimani nuk bën që ta lëshojë gjuhën e vet, përveçse në ato fjalë që i bëjnë dobi në këtë botë dhe në botën tjetër. Njëkohësisht të ndalojë prej çdo fjalë apo thënie nga e cila frikësohet se do i bëjë dëm atij në të dy botët. Kjo gjë i mjafton myslimanit që të ndalet dhe të mos e flasë atë fjalë.

Shumë njerëz gjuhën e tyre e kanë futur në veprim në sharjen dhe ofendimin e njerëzve. Ka prej tyre që atë e përdorin në harame, siç është muzika, këndimi, përgojimi, gënjeshtra, bartja e fjalëve, polemikat dhe debatet e panevojshme, dëshmia për të keqën. Prej tyre ka që gjuhën e tyre e kanë lëshuar në Hidhërimin e Allahut, kështu çdo fjalë që e flasin është kundër Allahut dhe fesë së Tij. Sa shumë njerëz apo idhuj janë adhuruar në vend të Allahut përmes gjuhës! Sa shumë bidate janë shpikur në fenë tonë përmes gjuhës! Sa shumë lidhje farefisnore janë shkëputur përmes gjuhës! Sa marrëdhënie mes njerëzve janë shkatërruar shkaku i gjuhës! Sa shumë zemra janë përçarë për shkak të saj, madje kjo ka rezultuar që të ketë pasoja edhe më të mëdha, deri te derdhja e gjakut dhe vrasja e njerëzve të pafajshëm! Sa njeriu i pafajshëm është dënuar e ndëshkuar shkaku i gjuhës! Sa pasuria është shkatërruar shkaku saj! Sa gruaja myslimane e ndershme është ofenduar dhe akuzuar për nderin e saj përmes gjuhës!

Gjuha jonë është sikur thika me dy tehe. Në Ditën e Gjykimit ose do të jetë në anën tënde ose kundër teje. Allahu thotë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut me frikë të vërtetë dhe thoni vetëm fjalë të drejta (të vërtetën). Nëse ju jeni të këtillë, Allahu do ua përmirësojë veprat tuaja dhe do ua fal mëkatet e juaja. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” Surja Ahzab, 70-71.

Cili është rezultati i atij që i frikësohet Allahut dhe flet fjalë të drejta? Allahu thotë: “Nëse ju jeni të këtillë, Allahu do ua përmirësojë veprat tuaja.” Nëse ju e ruani gjuhën dhe flisni vetëm fjalë të drejta, Allahu do t’jua përmirësojë veprat e juaja.

Gjithashtu Allahu thotë: “Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira.” Ky është urdhër prej Allahut. Pra: “…që të flasin atë që është më e mira” pse? Sepse në momentin që ata fillojnë të flasin fjalë të këqija, të përgojojnë njëri-tjetrin, të bartin fjalë, të gënjejnë, ta thyejnë premtimin, atëherë shejtani fillon përçarjen mes tyre (mes myslimanëve): “Në të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa ndërmjet tyre. Vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut.” Surja Isra, 53. Kjo është e dëshmuar dhe e shohim çdo ditë sot. Përçarja më e madhe që bëhet mes vëllezërve është kur ata fillojnë të përgojojnë dhe të bartin fjalë për njëri-tjetrin.

Vlera e heshtjes (përballë fjalëve të panevojshme)

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka heshtur gjatë, ka folur shumë pak. Mirëpo, nuk ka folur pa qenë e nevojshme. Kur ai ka folur, ka folur me fjalë përmbledhëse; jo me fjalë të shumta e me kuptim të paktë. Përkundrazi, me fjalë të pakta, por që kuptimi i tyre është shumë i gjerë. Ai nuk ka folur për diçka e cila nuk i ka interesuar. Çdo fjalë e tij ka qenë në interes (favor) të fesë së Allahut. Nuk kanë dal fjalë prej tij, veçse për të ka shpresuar shpërblimin e Allahut. I tillë duhet të jetë besimtari: çdo fjalë që e flet, të shpresojë për të shpërblim tek Allahu, e jo të frikësohet se a do ta dënojë Allahu për atë fjalë apo jo.

Patjetër që virtyt dhe cilësi e myslimanit duhet të jetë heshtja. Nëse ai përkujton se për çdo fjalë që e flet Allahu e mbikëqyrë Atë (Ai nuk na lë në asnjë çast pa na mbikëqyrur në çdo gjendje tonë), atëherë ai do jetë i kujdesshëm në fjalët e tij.

Myslimani sa më shumë duhet ta shtojë heshtjen. Për çdo fjalë që del nga goja jote do merresh në llogari për të prej Allahut, ose do shpërblehesh për të ose do ndëshkohesh. Nuk ka një gjendje të tretë, por ose shpërblim ose ndëshkim. Kjo i mjafton atij që të frenojë prej shumë fjalëve të kota, të padobishme.

Çdo fjalë që ai e thotë, shkruhet në Librin e veprave të tij. Allahu thotë: “Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta, dhe për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” Surja Kaf, 17-18. Sa do e vogël që është fjala, do të regjistrohet në Libër nga dy engjëjt. Në Ditën e Gjykimit do shfaqen këto fjalë që i ka thënë dhe do të llogaritet për to. Allahu thotë: “Atë Ditë që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë…” Surja Nur, 24.

Për shkak të rrezikshmërisë së gjuhës, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem gjithnjë e ka këshilluar ummetin e tij që ta ruajnë atë. Ebu Seid el Hudri radijAllahu anhu transmeton se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur biri i Ademit zgjohet në mëngjes, çdo gjymtyrë e trupit të tij është nën pushtetin e gjuhës së tij. I thonë asaj: “Frikësoju Allahut për ne, sepse jemi prej teje, nëse ti je e drejtë (flet drejtë), edhe ne veprojmë drejtë. Nëse ti devijon (flet fjalë që shkaktojnë Hidhërimin e Allahut), edhe ne devijojmë.” Çdo gjymtyrë e jote varet prej gjuhës tënde. Nëse ajo është e drejtë, edhe ato do veprojnë drejtë.  Ndaj, dijetarët thonë se është obligim për çdo mysliman që ta ruajë gjuhën e tij, prej çdo të foluri përveç fjalëve prej të cilave ka dobi. Ndërsa nëse fjalët që do t’i thuash janë në ekuilibër, nuk e di se a do kesh dobi apo jo nëse i thua, atëherë e ke obligim të ndalesh, të mos i thuash. Pra, myslimani e ka obligim ta ruajë gjuhën e tij.

Prej çështjeve të tjera që tregojnë dhe që argumentojnë se heshtja ka vlerë shumë të madhe në Islam dhe tek Allahu i Madhëruar, është se të folurit është katër lloje:

  1. Të folurit që e keqja e tij është e qartë për çdokënd,
  2. Të folurit që dobia e tij është e qartë për çdokënd,
  3. Të folurit në të cilin ka dobi dhe dëm,
  4. Të folurit në të cilin nuk ka dobi dhe as dëm.

Për  sa i përket të folurit që është i dëmshëm për njerëzit (dhe për atë që e flet), myslimani e ka obligim ta frenojë veten nga ai; nëse flet me të folur të tillë, do ketë ndëshkim prej Allahut.

I foluri në të cilin ka dobi dhe dëm, nuk përmban dobi për ty. Dobia dhe dëmi është i barabartë, nuk ka anim nga dobia. Ndaj, dhe sa i përket këtij të foluri myslimani duhet të mos e flasë, por duhet të heshtë.

Të folurit në të cilin nuk ka dobi dhe as dëm, është të folurit e tepërt, fjalët e tepërta.  Andaj muslimani nuk angazhohet me të duke e humbur kohën e tij. Ai e di se ky i folur veçse do ta shkatërrojë, do t’ia humbasë kohën, do ta ndalojë që ta përmendë Allahun dhe të bëjë adhurime përmes gjuhës së tij.

Të folurin në të cilin ka në të vetëm dobi, myslimani ka për obligim që në kohën dhe rastin e duhur ta përdorë atë.

Shpëtimi nga rreziku i gjuhës

Nëna e besimtarëve Ummu Habibe radijAllahu anha ka thënë se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo fjalë që e thotë biri i Ademit (njeriu) është kundër tij, përveç urdhërimit për të mirë ndalimit nga e keqja dhe dhikrit (përmendjes së Allahut).”

Çdo fjalë që del prej gojës tënde dhe e cila nuk hynë në këto tri gjëra, atëherë do jetë kundër teje në Ditën e Gjykimit.

Pra rreziku i gjuhës qenka shumë i madh. Si është shpëtimi nga ky rrezik? Nuk ka tjetër shpëtim përveçse heshtjes. Andaj Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka lavdëruar heshtjen dhe i ka nxitur myslimanët në heshtje dhe të mos flasin shumë, ngase nëse njeriu flet shumë, do të shkatërrohet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: Kush heshtë, ka shpëtuar tek Allahu.” Imam Ahmedi.

Gjithashtu Ukbe ibn Amri radijAllahu anhu e ka pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem se çfarë të veprojmë që të shpëtojmë kur të dalim para Allahut, ai tha: Mbaje gjuhën tënde! Le të të mjaftojë shtëpia jote…”d.m.th. mos u intereso shumë se çfarë bëjnë të tjerët, por le të të mjaftojë shtëpia jote, veprat e tua dhe të familjes tënde, dhe thotë “…dhe qaj për mëkatet e tua ndaj Allahut.” Këtu është shpëtimi. Transmeton imam Ahmedi dhe Tirmidhiu.

Muadh ibn Xhebeli radijAllahu anhu transmeton se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Do jesh i shpëtuar vazhdimisht përderisa heshtë. Nëse flet, ajo fjalë do shkruhet pro teje ose kundër teje në Ditën e Gjykimit. Prandaj nëse heshtë, ke shpëtuar.” Taberaniu.

Ebu Hurejra radijAllahu anhu ka transmetuar se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, të thotë vetëm fjalë të mira ose të heshtë.” Nuk ka gjendje të tretë: ose fol fjalë të mira nëse ti pretendon se beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, ose hesht.

Myslimani flet nëse e di qartazi se kjo është në dobi të tij. Por në momentin që dyshon se a do ketë dobi apo jo prej fjalëve të tij, atëherë ai heshtë. Imam Shafiu thotë: “Kush do që të flasë, le të mendojë para se të flasë. E nëse sheh se ka dobi prej asaj fjale, atëherë le të flasë. E nëse dyshon se a ka dobi apo jo prej asaj fjale, atëherë të mos flasë derisa të vërejë se ka dobi.”

Gjuha çon në dënim

Prej gjërave që tregojnë rrezikun e gjuhës është se ai i cili nuk e ruan atë prej mëkateve dhe të këqijave, ajo do jetë shkak se të gjitha gjymtyrët e tij do të shkojnë drejt shkatërrimit, dhe ai vet si pronar i tyre do të hedhet me fytyrë në zjarrin e xhehenemit.

Muadhi radijAllahu anhu i ka thënë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “O i Dërguar, më trego për një vepër që nëse e veproj do të hyj në xhenet dhe do të largohem nga xhennemi!” Ai i thotë: “Ke pyetur për një vepër me peshë të madhe. Mirëpo ajo është e lehtë për atë të cilit Allahu ia ka lehtësuar.” Ai salAllahu alejhi ue selem ka vazhduar t’i përmendë veprat të cilat e fusin njeriun në xhenet dhe e largojnë nga xhennemi. Vazhdon: “Adhurimi i Allahut të Vetëm dhe mos bërja shok Atij në adhurim (mos bërja shirk), falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit, vizita e Qabesë (haxhi). A do të tregoj ty dyert që nëse futesh në to, do veprosh vetëm vepra të mira? Agjërimi është mburojë nga zjarri i xhehenemit, lëmosha e dhënë për hir të Allahut i shuan mëkatet ashtu siç uji e shuan zjarrin dhe namazi në thellësinë e natës (pjesën e tretë të natës).” Pastaj ai lexoi Fjalën e Allahut që Ai i ka lavdëruar ata të cilët zgjohen të falen natën: “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne.” Surja Sexhde, ajeti 16. Pra ata japin sadaka për hir të Allahut.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem vazhdon: “A do që të tregoj ty se cila është koka e gjithë çështjes?” Qëllimi me “koka e gjithë çështjes” është koka e Islamit, shtylla që e mban këtë Islam dhe pjesa më e lartë e tij. Vazhdon të tregojë: “Koka e gjithë çështjes tende është Islami…” Nëse hynë në Islam atëherë ke shpëtuar. “…kurse shtylla qe e mban ngritur këtë Islam është namazi…” Nëse ti e largon shtyllën, do rrëzohet i gjithë Islami yt. Nëse ia heqim shtyllat kësaj shtëpie, atëherë ajo do shkatërrohet. Po kështu, nëse ti e lë namazin, do të shkatërrohet islami yt. “…ndërsa pjesa me e larte e fesë tënde (e çështjes tënde) eshte xhihadi, lufta ne rrugen e Allahut. A do të tregoj ty se si mund t’i kesh nën sundimin tënd të gjitha këto vepra te mira (t’i veprosh)?” Ai tha: “Po.” Ai salAllahu alejhi ue selem e kapi gjuhën e tij dhe tha: “Ruaje gjuhën tënde.” Pra, të mos e flasë atë që nuk lejohet. Nëse e mban gjuhën, të gjitha këto dyer të hajrit, të cilat i ceku Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, do jenë nën sundimin tënd, duke pasur mundësi t’i veprosh ato.

Muadhi u çuditë dhe tha: “A do llogaritkemi tek Allahu për atë që flasim?” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem tha: “Mjerë për ty! A ka ndonjë gjë që i hedh zvarrë njerëzit në zjarr me fytyrat e tyre përveçse gjahu i gjuhëve të tyre (rezultati që ka dal prej gjuhëve të tyre)?!” Një fjalë e vetme të cilën ti e flet, ose do të ngritë në xhennet ose do të ulë në xhehenem.

Ebu Hurejra radijAllahu anhu transmeton se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtetë, njeriu mund ta thotë një fjalë të cilës nuk i kushton rëndësi (vëmendje). Mirëpo ajo është fjalë e mirë, ndaj për këtë Allahu e ngrit në shkallë të larta në xhenet. Dhe njeriu mund ta thotë një fjalë e cila e hidhëron Allahun dhe nuk i kushton vëmendje asaj, dhe ajo fjalë bëhet shkak që ai të hidhet në zjarr të xhehenemit.” Buhariu.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, prej gjërave për të cilat është frikësuar se do t’i devijojnë myslimanët dhe do t’i çojë ata drejt shkatërrimit, është gjuha dhe organet intime të tyre.

Ebu Hurejra transmeton: “Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është pyetur: “Cila vepër më së shumti i fut njerëzit në xhennet?” Ai tha: “Devotshmëria dhe sjellja e mirë me të tjerët.” Është pyetur: “Cila vepër më së shumti i fut njerëzit në xhehenem?” Ai tha: “Goja dhe organi i tyre intim.”

Sufjan bin Abdilahu radijAllahu anhu e ka pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem: “O i Dërguar i Allahut! Ma trego një çështje për të cilën të kapem fort!” Ai i tha: “Thuaj: “Zoti im është Allahu” dhe qëndro i fortë deri në fund në fenë e Tij.” E pyeti: “Cila është vepra për të cilën më së shumti duhet të frikësohem për veten time?” Ai salAllahu alejhi ue selem e kapi gjuhën e tij dhe tha: “Kësaj frikësoju më së shumti!” Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh.

Gjuha dhe zemra

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, qëndrimin në rrugën e drejtë të zemrës tënde, e ka lidhur me gjuhën tënde. Nëse ajo është në rrugën e drejtë, edhe zemra jote do jetë në rrugën e drejtë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk drejtohet besimi i njeriut derisa gjuha e tij të jetë e drejtë. Dhe gjuha jote nuk do drejtohet derisa të drejtohet zemra jote.” Imam Ahmedi. Këto qëndrojnë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Nuk ka mundësi që besimi yt të jetë i drejtë, ashtu siç e kërkon Allahu, derisa gjuha jote të jetë e drejtë dhe e kundërta, nuk ka mundësi që gjuha jote të jetë e drejtë derisa gjuha jote të jetë në rrugën e drejtë.

Ibn Umeri transmeton se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos flisni shumë, përveç nëse e përmendni Allahun. Nëse e shton të folurit (pa qenë përmendje e Tij), kjo do ta ngurtësojë zemrën tënde. Njeriu që është më së largu prej Mëshirës së Allahut është ai i cili zemrën e ka të ngurtë.” Tirmidhiu. Pra, i foluri i shumtë që nuk është përmendje e Allahut, ka për rezultat largimin nga Mëshira e Allahut për shkak të zemrës së ngurtë.

Ebu Hurejrsa radijAllahu anhu transmeton se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kënd e ruan Allahu prej të keqes së asaj që gjendet mes dy nofullave (gjuhës) dhe mes dy këmbëve (organit intim), do hyjë në xhenet.” Tirmidhiu.

Buhariu transmeton se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai i cili më garanton mua atë që është mes dy nofullave dhe mes dy këmbëve (se nuk do bëjë haram me to), ia garantoj xhenetin.”

Shpëtimi i vetëm është kur myslimani e ruan gjuhën e tij, kur nuk i ofendon apo i fyen të tjerët, kur nuk i bën dëm vetvetes dhe të tjerëve. Ibn Amri radijAllahu anhu e ka pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem se çfarë të veprojmë që të shpëtojmë, dhe ai salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mbaje gjuhën tënde! Le të mjaftoj shtëpia jote dhe qaj për mëkatet e tua!”

Ebu Musa el Eshari radijAllahu anhu e ka pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem: “O i Dërguar i Allahut! Cili mysliman është më i mirë dhe më me vlerë tek Allahu?” Ai salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Është ai prej gjuhës dhe dorës së të cilit janë të qetë myslimanët.”

Disa ethere rreth ruajtjes së gjuhës

Gjithashtu janë të shumta fjalët e sahabëve që kanë ardhur në lidhje me këtë gjë. Frika e tyre prej rrezkut të gjuhës ka qenë shumë e madhe.

Maliku transmeton nga Aisha radijAllahu anha e cila e ka dërguar një person te disa anëtarë të familjes së saj, që qëndronin pas jasicë në muhabete- dihet se sunnet është rënia në gjumë pas namazit të Jacisë- që t’u thotë: “Pse nuk i leni rahat ata që shkruajnë (regjistruesit, d.m.th. engjëjt). Lini rahat (flini pas Jacisë) dhe mos i mundoni!”

Maliku transmeton prej Zejd ibn Eslem dhe ky prej babait të tij, se Umeri radijAllahu anhu ka hyrë tek Ebu Bekri radijAllahu anhu. Ebu Bekri e ka kapur gjuhën e tij. Në disa transmetime qëndron se ai e ka djegur gjuhën e tij me gacë. Umeri i ka thënë: “Ndalu, Allahu të faltë, çfarë je duke bërë?” Ai i tha: “Kjo është bërë shkak që të më çojë drejt shkatërrimeve të shumta.”

Umeri radijAllahu anhu thoshte: “Atij që i shtohen fjalët, i shtohen edhe lëshimet e tij në fe. Atij që i shtohen lëshimet në fe, i shtohen edhe mëkatet. E atij që i bëhen shumë mëkate, zjarri i xhehenemit është ndëshkimi për të.”

Ibn Abasi radijAllahu anhu e kapte gjuhën e tij dhe thoshte: “Mjerë për ty, thuaj fjalë të mira dhe kështu do fitosh. Hesht, mos fol fjalë të këqija, kështu do shpëtosh.” E nëse nuk vepron kështu, dije se do dëshpërohesh një ditë (do pendohesh).”

Abdullah ibn Mesudi radijAllahu anhu thoshte: “Nuk ka gjë që e meriton të burgoset më shumë sesa gjuha”

Sahabët e tjerë kanë thënë: “Shembulli i gjuhës është sikur shembulli i egërsirës, nëse nuk e lidh atë, ajo do të sulmojë ty, ashtu dhe gjuha jote, nëse nuk e lidh atë do të sulmojë ty, do bëhet armiku yt.”

Ebu Derda radijAllahu anhu thoshte: “Kushtoji më shumë rëndësi gjuhës sesa veshëve, sepse vërtetë janë bërë dy vesh dhe një gjuhë, që të dëgjosh më shumë e të flasësh më pak.”

Dikush prej sahabëve thoshte: “Heshtja është adhurim (ibadet) pa u lodhur. Çdo çast që ti heshtë, (me këtë) e adhuron Allahun. Heshtja është zbukurim pa vendosur stoli. Ajo është autoritet që e fiton pa pasur nevojë të kesh pushtet. Mjafton heshtja për të mos pasur nevojë për arsyetime pastaj. Me të i mbulon mëkatet dhe të metat e tua.”

Disa prej selefit thoshin: “Përmbaju heshtjes, sepse nëse ti hesht ajo të jep dashuri të pastër ndaj Allahut dhe do të jep siguri prej së keqes në Ditën e Gjykimit. Ajo do ta veshë ty rrobën e modestisë. Ajo të mjafton prej arsyetimeve të shumta.”

Disa të tjerë thoshin: “Lidhe gjuhën tënde përveç nëse flet për një të vërtetë (për fenë) që t’ua sqarosh të tjerëve, ose nëse flet për një të kotë me qëllim që ta shkatërrosh (kundërshtosh) atë, ose nëse flet për një urtësi që ta shpërndash tek të tjerët, ose nëse e falënderon Allahun për një mirësi që ta ka dhënë.”

Imam Shafiu i thoshte nxënësit të tij Rabi: “O Rabi, mos fol për atë që nuk të hyn në punë, sepse nëse e nxjerrë një fjalë, ajo do të sundojë ty (do jetë pro apo kundër teje në Ditën e Gjykimit).”

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit