Selman persi

Iben Kajim el Xheuzije

Të zgjedhurit për shpëtim janë përgatitur për vrapim dhe këmbët e ngathëta, janë lidhur me pranga.[1]

Furtuna të shumta kaluan mbi tokë dhe natyra ndryshoi, e mira u duk në horizont dhe kur erërat pushuan, Ebu Talibi ishte mbytur në detin e humbjes, Selmani kishte dalë në bregun e shpëtimit, Uelid ibn Mugireh po i printe popullit të tij në një rrugë pa krye, Suhejbi kishte dalë në krye të karvanit bizantin, Nexhashi nga toka e Abisinisë thoshte: Të përgjigjem Ty, o Allah të përgjigjem, Bilali thërriste: Namazi është më i mirë sesa gjumi, dhe Ebu Xhehli kishte mbetur
në drejtim të kundërt të rrugës!

Meqë para se të vinte në jetë, ishte caktuar që Selmani të ishte nga të parët besimtarë, muza e shpëtimit e udhëhoqi atë larg rrugës së të parëve të tij, që ishin zjarradhurues. Ai debatoi me të atin rreth fesë pagane dhe kur i ati nuk kishte çfarë t’i thoshte, iu përgjigj duke e prangosur, këtë përgjigje japin gjithmonë ithtarët e të pavërtetës, që nga koha që e mësuan një gjë të tillë.

Një përgjigje të tillë i dha edhe Faraoni, Musait: “Nëse ti zgjedh zot tjetër veç meje, sigurisht që do të të fus në mesin e të burgosurve.”[2] Po kështu, iu përgjigjën edhe Mu’tezilitë Imam Ahmedit, kur e vunë para kamxhikut, kështu i thanë edhe bidatçinjtë Shejhul Islamit, kur e futën në burg…, dhe ne në gjurmët e tij po ecim.

Selmani dëgjoi se një karvan po bëhej gati për udhëtim dhe kështu, ai iu vodh të atit, vjedhje për të cilën nuk ka dënim dhe mbasi mori udhëtimin e vendosmërisë, duke shpresuar të arrijë cakun e lumturisë, u zhyt në detin e kërkimit, për të gjetur më pas, perlën e natyrës. Ai u kthye në një shërbëtor të atyre që po i tregonin rrugën dhe kur murgjit po e ndjenin se perandorisë së tyre po i vinte fundi, i dorëzuan atij çelësat, me të cilët do të njihte profetësinë e të Dërguarit të Allahut (salallahu alehji ue selem). Ata i thanë: ‘Koha e tij ka ardhur, ndaj ki kujdes të mos humbasësh!’ Udhëtoi me disa njerëz, të cilët nuk patën mëshirë për të, por e shitën për pak para si skllav te një çifut i Medines dhe kur Selmani pa atë vend të nxehtë me gurë vullkanikë, iu zgjua në shpirt nxehtësia e mallit të takimit. Dhe ndërsa vuante orët e pritjes, erdhi lajmi i gëzuar për ardhjen e përgëzuesit dhe lajmi e gjeti në majë të palmës, gëzimi dhe padurimi për pak desh e hodhën prej saj, po të mos kishte qenë vendosmëria ajo që e mbajti atë, ashtu siç i ndodhi nënës së Musait: “Ajo qe gati ta zbulonte, po të mos e kishim forcuar Ne, zemrën e saj”[3]. Ai zbriti nga palma për të takuar lajmin e gëzuar dhe zemra sa nuk i këndonte: Miku im nga Nexhdi më tregoi mua për shenjat, ndaj erdhi koha që era të fryjë nga ai vend.

Por padroni i tij i bërtiti në fytyrë: Çfarë ke?! Vazhdo punën tënde! Dhe ai tha: ‘Si mund të largohem, kur unë kam punë për të bërë në vendin tuaj. Dhe përsëri zemra filloi të këndojë, ah sikur ta dëgjonin shurdhët:

Jo o miku im, unë juve nuk ju përkas.
Sikur ta dinit cilës familje i përkas, do të bënit kthesë.

Kur Selmani u takua me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem), nga mendja nxori kopjen ku përshkruheshin cilësitë e Profetit (salallahu alejhi ue selem), të cilën ai e kishte marrë nga murgjit dhe e krahasoi me origjinalin që ai shihte para syve të tij…dhe i doli ashtu siç qe shkruar.

O Muhamed! Ti do Ebu Talibin, por Ne duam Selmanin![4] Ebu Talibin kur e pyesnin për emrin thoshte Abdu-menaf dhe kur tregonte për prejardhjen, mburrej me paraardhësit e tij, kur përmendej pasuria, të fliste për devetë…., ndërsa Selmanin kur e pyesnin për emrin, ai thoshte: Robi i Allahut (Abdullah) dhe kur e pyesnin për prejardhjen, thoshte: Biri i Islamit, për pasurinë, thoshte: varfëria, për tavernën e tij, thoshte: xhamia, për pagën, thoshte: durimi, për veshjen, thoshte: devotshmëria dhe modestia, për shtrojën, thoshte: pagjumësia, për krenarinë e tij, thoshte: Selmani është prej nesh,[5] dhe për pikësynimin e tij, thoshte: “duke kërkuar Fytyrën e Tij (të Allahut).”[6] për përfundimin e tij, thoshte: në Xhenet, për udhërrëfyesin e tij, thoshte: Prijësi i krijesave dhe udhëzuesi i prijësve.[7]

—————————————————————–
[1] Ka për qëllim të tregojë se çdokujt do t’i lehtësohet ajo, për të cilën ai është krijuar.

[2] Sure Esh-shuara:29.

[3] Sure El-kasas:10.

[4] Me këto fjalë, autori nënkupton kaderin e Allahut, që Ai udhëzon kë të dojë.

[5] Pjesë nga një hadith, ku transmetohet se Profeti (salallahu alejhi ue selem), ka thënë: “Selmani është prej familjes sonë, prej Ehli-bejtit.” Albani e ka konsideruar si të dobët, shih Daif el-xhamia: 3272.

[6] Sure El-en’am:52.

[7] Kjo temë është marrë nga libri ‘El Feuaid’, i autorit Iben Kajim el Xheuzije. Libri është botuar dhe shitet.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit