Shërimi i ngurtësisë së zemrave

Komisioni i përhershëm për kërkime dhe fetua

Fetuaja nr. (11308)

Pyetje:

Ndonjëherë ndjej ngurtësi në zemrën time dhe, gjithashtu, ndjej sëmundje siç është: shirku i fshehtë[1] apo xhelozia ndaj disa njerëzve. Cili është ilaçi, duke qenë se unë shpeshherë e them lutjen e Profetit – alejhis-salatu ues-selam: “O Allahu!, kërkoj mbrojtjen Tënde që të mos shoqëroj Ty diç me dijen time dhe kërkoj falje prej Teje për atë që nuk e di”.

Dhe, gjithashtu, shpesh lutem për ata ndaj të cilëve ndjej xhelozi, duke shpresuar që në këtë mënyrë ta shlyejë fajin tim kundrejt tyre. A ka ndonjë ilaç tjetër, i cili do të më shëronte nga kjo sëmundje e rrezikshme?

Përgjigje:

Duhet të shpeshtosh përmendjen e Allahut të Lartësuar, leximin e Kuranit Fisnik dhe të veprosh sa më shumë që mundesh prej adhurimeve të vullnetshme.

Gjithashtu, shoqërohu me njerëz fetar e të mirë, kryej veprat sinqerisht vetëm për Allahun, dhe largohu me adhurimet tua nga vendet e rijasë[2]. E, nëse goditesh (nga rijaja), atëherë largoje duke pas për qëllim me veprën tënde (vetëm) Kënaqësinë e Allahut dhe Ahiretin.

Ndërsa, largimi i xhelozisë bëhet duke u bindur se të gjitha begatitë janë dhuratë e Allahut. Dhe se Allahu është Ai, i Cili i ndau ato mes njerëzve. Allahu thotë: “Jemi Ne ata që ua ndajmë njerëzve mjetet e jetesës në këtë botë, duke i ngritur në shkallë disa mbi disa të tjerë, me qëllim që disa t’u shërbejnë të tjerëve. Mëshira e Zotit tënd është me e mirë nga ajo që grumbullojnë ata” (Ez-Zuhruf 32).

Gjithashtu, (ajo largohet) duke e dashur për vëllanë e tij atë që e do për vetveten, ashtu siç thotë Profeti – alejhis-salatu ues-selam: “Askush prej jush nuk beson, derisa të dojë për vëllanë e tij atë që e do për vetvete”.

Dhe, gjithashtu, në vend se të merret me xhelozi apo zili, ta angazhojë veten me gjëra që i kthehen me dobi, prej fjalëve dhe veprave të mira.

Salatet dhe selamet qofshin për të Dërguarin tonë, Muhamedin, për familjen dhe mbarë shokët e tij!

Anëtar: Abdullah bin Gudejan

Zëvendës kryesues: AbduRrezak Afifi

Kryesues: AbdulAziz bin Baz

Përktheu: Petrit Perçuku

______________________________________

[1] Kryerja e veprave sa për sy e faqe (sh.p).

[2] Syfaqësisë (sh.p). Suksesi është nga Allahu.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit