Marrë nga:
Mospajtimet në mesin e dijetarëve – Shkaqet e tyre dhe qëndrimi ynë ndaj tyre.
Shejh Muhamed Ibën Salih El Uthejmin
Këtu do ta marrim një shembull tjetër që i përfshin vetë sahabët, dhe jo ata që kanë ardhur pas tyre.
Fatimah Bint Kajsi, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, u nda nga burri i saj për të tretën herë, pra të fundit. Ai dërgoi dikë që t’i jepte asaj grurë si ushqim për periudhën e pritjes. Mirëpo, ajo e nënvlerësoi dhe nuk e pranoi. Pastaj, ata ia paraqitën rastin Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem), i cili e informoi atë se në fakt nuk kishte asnjë të drejtë të ligjshme për tu furnizuar me ushqim apo vendbanim. [1] Ishte kështu, sepse ndarja e saj ishte e fundit dhe e pakthyeshme, dhe për gruan në atë pozitë, nuk ka obligim mbi ish-burrin e saj që ta furnizojë atë me ushqim apo vendbanim, me përjashtim të rastit kur ajo është shtatzënë, siç thotë Allahu:
“Nëse janë shtatzëna, shpenzoni për ato deri sa të lindin.” [Et-Talak (65):6]
Nuk po themi asgjë për dijen dhe cilësitë e shkëlqyera të Umerit, mirëpo ai nuk ishte në dijeni për këtë sunnet, dhe e kishte mendimin se gruaja në këtë rast kishte të drejtë për furnizim në ushqim dhe vendbanim. Ai e refuzoi hadithin e Fatimes duke marrë për bazë faktin që ajo mund të kishte harruar dhe tërhoqi vërejtjen:
“A duhet ta braktisim thënien e Allahut[2], për shkak të thënies së një gruaje, kur nuk e dimë nëse ajo ka mbajtur në mend apo ka harruar?”
Qëllimi në këtë është se prijësi i besimtarëve Umeri nuk ka pasur besim në saktësinë e këtij argumenti të caktuar. Ashtu siç mund t’i ndodhë kjo Umerit ose ndonjë tjetri nga sahabët, njëjtë mund t’i ndodhë të tjerëve pas tyre nga nxënësit e paraardhësve e kështu me radhë deri në kohët e tashme; në fakt, kjo do të vazhdojë të ndodhë deri në Ditën e Gjykimit, që njeriu të mos ketë besim në saktësinë e një argumenti të caktuar.
Ka shumë shembuj nga thëniet e dijetarëve ku vërehet se disa prej tyre e konsiderojnë si të saktë një hadith të caktuar, dhe në bazë të tij japin gjykime. Ndërsa të tjerë e shohin si të dobët, dhe nuk e përdorin, për shkak se nuk besojnë se është transmetuar nga i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem).
Vazhdon inshaAllah…
Kontrolloi: Lulzim Perçuku
[1] Sahihul Muslim [Përkthimi ang.2/769-773]
[2] Ajeti të cilin Umeri e ka pasur për qëllim është: “…Mos i dëboni ato prej shtëpive të tyre, por edhe ato të mos dalin, me përjashtim të rastit kur shkelin martesën haptazi.” [Et-Talak (65):1]