Shkaku i tretë: Hadithi ishte i njohur për dijetarin, mirëpo atij nuk i është kujtuar

Marrë nga:

Mospajtimet në mesin e dijetarëve – Shkaqet e tyre dhe qëndrimi ynë ndaj tyre.

Shejh Muhamed Ibën Salih El Uthejmin

Sa Madhështor është Ai (Allahu), i Cili nuk harron! Sa e sa njerëz e vërejnë se një hadith u ka ikur nga mendja, madje edhe ndonjë ajet nga Kurani?

I dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) u priu sahabëve në namaz një ditë dhe i iki një ajet Kurani, nga harresa. Ubej Ibën Kabi ishte me të, dhe kur pejgamberi (salAllahu alejhi ue selem) e përfundoi namazin tha (pasi që e kishte njoftuar Ubeji):

“Pse nuk ma kujtove gjatë namazit?”[1]

Vini re se kjo ngjarje përfshiu atë të cilit i është dërguar shpallja!

Si shtesë, Zoti i tij i tha:

“Ne do të të bëjmë ty (Muhamed) të lexosh (Shpalljet Tona), kështu që nuk ke për të harruar, përveç asaj që do Allahu. Vërtet, Ai e di të dukshmen dhe çka është e fshehtë.” [El-A’la (87):6-7]

Shembull për këtë kategori është ngjarja në të cilin përfshihen Umer Ibën Hatabi dhe Amar Ibën Jasiri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre. I dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) i dërgoi ata për të kryer një porosi. Gjatë rrugës, një mëngjes, të dy u zgjuan gjunub. Amari e solli gjykimin e tij se efekti pastrues nga toka ishte njëjtë me të ujit. Kështu, ai u rrotullua në tokë, njëjtë siç bën kafsha, në mënyrë që të prekej nga toka në tërë trupin, ashtu siç do ta bënte me ujë gjithë trupin, e pastaj u fal. Ndërsa Umeri nuk u fal.

Më vonë, ata shkuan te i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) i cili i informoi për mënyrën e saktë. Ai i tha Amarit:

“Do të kishte qenë e mjaftueshme ta kishe bërë këtë me duart tua: Pejgamberi goditi tokën me duart e tij një herë, e fërkoi dorën e tij të majtë mbi të djathtën, pastaj i fërkoi shuplakat dhe fytyrën.” [2]

Amari e rrëfente këtë ngjarje para dhe gjatë hilafetit të Umerit. Një ditë Umeri e thirri e i tha:

“Çfarë është ky hadith që je duke e përhapur vazhdimisht?”

Amari i tha:

“A nuk të kujtohet kur u dërguam nga Pejgamberi në një porosi dhe të dy u bëmë gjunub. Ti nuk u fale, ndërsa unë u rrotullova nëpër tokë (e pastaj u fala) dhe Pejgamberi na tha: “Do të ishte e mjaftueshme të bënit kështu e kështu…”

Por, Umerit nuk iu kujtua dhe ia tërhoqi vërejtjen:

“Ki Frikë Allahun o Amar!”

Amari i tha:

“Nëse ti dëshiron, meqë Allahu ma ka bërë detyrë bindjen ndaj teje, do të ndaloj së treguari për këtë ngjarje.”

Umeri iu përgjigj:

“Ty të lëmë në atë që e ke zgjedhur”, pra që t’ua tregosh njerëzve.

Pra, Umeri kishte harruar se Pejgamberi e kishte lejuar tejemumin për atë që është në gjendje të gjunubit, njëjtë siç lejohet për atë që është në papastërti të vogël (pa abdes).

Abdullah Ibën Mesudi u pajtua me Umerin në këtë çështje. Një mospajtim në këtë çështje shpërtheu midis tij dhe Ebu Musës. Gjatë këtij mospajtimi Ebu Musa ia përmendi Umerit thënien e Amarit, për të cilën Ibën Mesudi tha:

“A nuk e shihje se Umeri nuk ishte i bindur me thënien e Amarit.”

Ebu Musa kësaj iu përgjigj:

“Lëre anash thënien e Amarit, si i përgjigjesh këtij ajeti? (Kishte për qëllim: …e nuk gjeni ujë, atëherë gjeni dhe të pastër dhe fshini fytyrat e duart me të [El-Maide (5):6]”.

Pas kësaj Ibën Mesudi heshti.

Nuk ka dyshim që mendimi i saktë është se ai që është në gjendje gjunubi bën tejemum, njëjtë siç bën tejemum ai i cili është në papastërti të vogël (pa abdes).

Poenta e gjithë kësaj është se njeriu mund të harrojë, dhe mund të bëhet i pavëmendshëm ndaj gjykimit të saktë, dhe kështu mund të japë gjykim të gabuar, për të cilin arsyetohet. Mirëpo, ai që është në dijeni për argumentin, nuk arsyetohet.

Vazhdon inshaAllah…

Kontrolloi: Lulzim Perçuku


[1] Musnedi i Imam Ahmedit dhe Ebu Davudit [përkthimi ang. 1/231/ nr.907]

[2] Sahihul Buhari [përkthimi ang. 1/208/nr.343] dhe Sahih Muslim [përkthimi ang.1/202/nr.716].

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit