Shkaqet e pranimit te lutjeve

Shkaqet e pranimit te lutjeve:

1. Udhëtimi (i gjatë). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Janë tri lutje të cilave Allahu u përgjigjet dhe në këtë nuk ka dyshim: lutja e atij të cilit i është bërë padrejtësi, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindit për fëmijën e tij.” Hasen. Në një transmetim tjetër të këtij hadithi qëndron: “…dhe lutja e prindit kundër fëmijës së tij.” Tirmidhiu. Udhëtimi i gjatë është shkak që shpirti i udhëtarit të thyhet ngase qëndron një kohë të gjatë larg familjes, atdheut, të afërmëve, po ashtu ballafaqohet me vështirësi të shumta gjatë udhëtimit etj. Kjo e shtyn shpirti i tij të thyhet. Sa më shumë që shpirti i njeriut është i thyer (përulur) para Allahut, kjo është prej shkaqeve që aq më shumë lutja e tij të marrë përgjigje.

2. Modestia dhe përulja para Allahut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ka njerëz të atillë që janë të pluhërosur me flokë të prishura, të cilëve nuk u kushtohet vëmendje, saqë nëse do të trokisnin në dyert e njerëzve do t’i largonin. Porse, po të luteshin duke u betuar në emrin e Allahut, Ai do t’ua pranonte lutjen.” Muslimi. Ibn Abbasi radijAllahu anhu kur është pyetur për namazin e shiut që e ka bërë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur ka dal ta falë namazin e kërkimit të shiut, ka dal me rroba të vjetëra, i përulur, i nënshtruar, duke e lutur Allahun me përgjerim.”

3. Ngritja e duarve kah qielli. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtetë Allahu është i turpshëm dhe bujar. Atij i vije turp që kur njeriu i ngritë duart lart kah Ai (me lutje), e Ai t’ia kthejë bosh (pa përgjigje).” Ebu Daudi.

4. Këmbëngulja në përmendjen e Rubbubijes, të thotë: Ja Rabb, Rabbene, duke e përsëritur. Ata rahimehullah ka thënë: “Sa herë që njeriu e lut Allahun duke përmendur tri herë: Ja Rab, ja Rab, ja Rab (o Zot), Allahu do t’i përgjigjet lutjes së tij.” Shumica e lutjeve në Kuran hapen me këtë emër të Allahut.

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Fikhu i dhikreve dhe lutjeve.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit