Shkëputja e lidhjeve farefisnore është prej shkaqeve të ngurtësisë së zemrës

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

“Fetaua Nurun a’la ed-derb”

Pyetje: A është shkëputja e lidhjeve farefisnore prej shkaqeve të ngurtësisë së zemrave?

Përgjigje: Po, të gjitha mëkatet janë prej shkaqeve të ngurtësisë së zemrave; shkujdesja ndaj përmendjes së Allahut dhe ndaj leximit të Kuranit janë prej shkaqeve të ngurtësisë së zemrave, dhe, gjithashtu, shkëputja e lidhjeve farefisnore është prej shkaqeve të ngurtësisë së zemrave. Kështu është edhe sjellja e keqe me prindërit apo me njërin prej tyre. Pra, të gjitha mëkatet janë prej shkaqeve të ngurtësisë së zemrave, andaj besimtari duhet të ketë kujdes nga to, të largohet prej tyre dhe të pendohet tek Allahu për çfarë ka bërë prej tyre. Besimtari dhe besimtarja e kanë për detyrë të pendohen tek Allahu nga mëkatet e bëra, sepse ato janë një e keqe e madhe si në këtë botë ashtu edhe në tjetrën; janë shkak për ngurtësinë e zemrave; janë shkak për zemërimin e Allahut në të dyja jetët; janë shkak për përfundimin e keq të njeriut dhe për ndëshkimin e tij në varr dhe në ditën e Kiametit.

Prandaj, duhet të kihet kujdes nga të gjitha mëkatet – Allahu na ruajt prej tyre – si: përgojimi, bartja e fjalëve, sjellja e keqe me prindërit apo me njërin prej tyre, shkëputja e lidhjeve farefisnore, ngrënia e kamatës dhe ushqimit haram, fitimi i pasurisë në mënyrë të palejueshme, me tradhti, vjedhje apo rrëmbim, zina-ja, pirja e alkoolit, etj. Të gjitha këto janë prej mëkateve më të shëmtuara, andaj besimtari dhe besimtarja duhet të ruhen nga to dhe të pendohen tek Allahu për mëkatet e kaluara, me vërtetësi, me shpresë për shpërblimin e Allahut dhe me keqardhje të plotë për mëkatet e bëra në të kaluarën. Ata duhet të heqin dorë nga to dhe të vendosin me vërtetësi të plotë që mos t’u kthehen kurrë më, gjithmonë duke qenë të sinqertë ndaj Allahut, duke e madhëruar Atë, duke shpresuar për shpërblimin e Tij dhe duke u frikuar nga ndëshkimi i Tij. Kështu pra e ka për detyrë çdo mysliman dhe myslimane. E lusim Allahun t’i udhëzojë dhe t’ju jep sukses të gjithëve!

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit