Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Shpjegim i ajetit: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për ata që e kanë shumë frikë Atë” (El-Bekare, 45)

Shejh AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/9087

Pyetje drejtuar shejhut lidhur me shpjegimin e ajetit: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për ata që e kanë shumë frikë Atë.” (El-Bekare, 45).

Përgjigje: Këtu Zoti i Madhërishëm po urdhëron që të kërkohet ndihmë me durim dhe me namaz, qoftë në çështjet e kësaj jete apo në ato të fesë. Tregohet se kur Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e rëndonte ndonjë gjë, menjëherë shpejtonte dhe lidhej në namaz. Namazi renditet ndër gjërat më kryesore që i lehtësojnë çështjet dhe që i zgjidhin problemet. Andaj, kur njeriun e preokupon ndonjë gjë, qoftë borxh, apo padrejtësi, apo gjëra të tjera të kësaj natyre, ai duhet të lidhet në namaz, ta lus Allahun dhe të kërkojë ndihmë prej Tij, në mënyrë që t’i lahet borxhi, apo që Ai ta shpëtojë nga zullumqari, apo që ta ndihmojë në përmendjen dhe falënderimin e Tij. Po ashtu, ai duhet të përballojë vështirësitë që hasen gjatë kërkimit të riskut, apo gjatë bindjes ndaj Allahut, apo gjatë braktisjes së harameve. Pra, ai duron, nuk i bindet epshit të tij dhe e kërkon ndihmën e Allahut në tërë këtë. Njëkohësisht ai i kryen detyrat që i ka përsipër, si: faljen e namazit me xhemat, mirësjelljen ndaj prindërve, mbajtjen e lidhjeve farefisnore, larjen e borxhit dhe gjëra tjera pos këtyre, të cilat Allahu i ka urdhëruar. Ai duron dhe nuk lejon që të kaplohet nga monotonia, përtacia apo nga plogështia. Përkundrazi, ai tregohet i durueshëm si në kryerjen e obligimeve, ashtu edhe në lënien e harameve dhe kërkon nga Allahu që ta ndihmojë në këtë. Kështu, ai e falë namazin ashtu siç Allahu kërkoi, si farzet po ashtu edhe nafilet, dhe përmes tij lyp ndihmë për qëndrueshmëri në bindje ndaj Allahut dhe në zbatimin e të drejtave të Tij. Sa ndihmëtar i mirë që është namazi; njeriu falet, e përmend Allahun, i lutet Atij, kërkon ndihmë nga Ai gjatë qëndrimit në sexhde, mes dy sexhdeve, si dhe në fund të namazit (farz) i ngrit duart dhe e lut Zotin e Tij, kërkon mbrojtjen e Tij, lyp nga Ai që ta ndihmojë në larjen e borxhit, apo që ta shpëtojë nga zullumqari, apo që t’ia mundësojë shkuarjen në haxh, apo që ta ndihmojë në mirësjelljen ndaj prindërve, si dhe gjëra të tjera të kësaj natyre. Kështu, ai e lut Allahun me përulje dhe përgjërim. Namazi i ndihmon në arritjen e të gjitha këtyre objektivave, ngaqë është një adhurim tejet madhështor. Kështu, kur njeriu të falet, të kërkojë nga Zoti e t’i përgjërohet Atij që ta ndihmojë në realizimin e synimeve që i ka përpara, atëherë kjo është gjë e mirë, e bukur dhe e dobishme. Fjala e Allahut: “Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për ata që e kanë shumë frikë Atëdomethënë e rëndë; pra, namazi është i rëndë për dembelët dhe për ata që e kanë besimin e dobët. Mirëpo, në anën tjetër, për ata që e kanë shumë frikë Allahun, për besimtarët e vërtetë, namazi është i lehtë, për shkak se e dinë vlerën dhe shpërblimin e madh që ai e ka. Kështu, ata nxitojnë drejt namazit me energji, forcë e dëshirë të flaktë, sepse e dinë pozitën dhe rëndësinë e tij. Pra, atyre namazi nuk u duket gjë e rëndë, por dembelëve dhe atyre që kanë besim të dobët, të cilët nuk kanë dije rreth rëndësisë dhe madhështisë së tij. Nga Allahu kërkojmë ndihmë!

Përktheu: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva