Shpjegim i ajetit: “O besimtarë! Kujdesuni për veten tuaj” Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë.” (El-Maide, 105)

Shejh AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/8959

Pyetje drejtuar shejhut lidhur me shpjegimin e ajetit: “O besimtarë! Kujdesuni për veten tuaj. Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë.” (El-Maide, 105). A do të thotë kjo të mos urdhërojmë për të mirë dhe të mos e pengojmë atë që është e mbrapshtë?

Përgjigje: Ajeti fisnik aludon në atë se njeriu e ka për detyrë të kujdeset dhe t’i kushtojë vëmendje vetes së tij, si dhe të përpiqet në përmirësimin e saj. Pas kësaj, ai që është i humbur nuk mundet t’i bëjë dëm atij, nëse është në rrugë të drejtë. Pra, njeriu është përgjegjës për veten e tij dhe nuk i bën dëm lajthitja e të tjerëve. Allahu i Lartësuar thotë: “…dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit.” (El-En’am, 164). Ndërsa në një hadith të vërtetë qëndron: “Mëkatari bën mëkat vetëm kundër vetes së tij.” Andaj, besimtari e ka për detyrë të nxitojë drejt përmirësimit të vetes dhe qëndrueshmërisë së saj në bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe, ai që është i humbur, assesi nuk i bën dëm atij, nëse është në rrugë të drejtë. Ndërkaq, kush e braktisë urdhërimin për të mirë dhe pengimin e të keqes, nuk është i udhëzuar (në rrugë të drejtë). Pra, ai është i mangët nga udhëzimi dhe imani. Kështu, kuptimi i ajetit është se besimtarit nuk i bën dëm ai që është i humbur, nëse (besimtari) i kryen detyrat që i ka përsipër. Dhe në mesin e këtyre detyrave renditet urdhërimi për të mirë dhe ndalimi i të keqes. Tregohet se Ebu Bekri (radijAllahu anhu) u mbajti fjalim njerëzve dhe u tha: “Vërtet, disa njerëz e lexojnë këtë ajet, mirëpo nuk e vendosin aty ku duhet. E kam dëgjuar Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Kur njerëzit e shohin të keqen dhe nuk e ndryshojnë, së shpejti pritet që Allahu t’i përfshijë të gjithë me dënimin e Tij.” Qëllimi i tij (radijAllahu anhu) ishte se ai i cili nuk urdhëron për të mirë dhe nuk ndalon nga e keqja, nuk është i udhëzuar, por është i mangët nga udhëzimi dhe imani; ka iman të dobët. Pra, kuptimi i pasazhit: “nëse jeni në rrugë të drejtë” është nëse i kryeni detyrat që i keni përsipër dhe nëse i braktisni haramet, atëherë, pas kësaj, ai që është i humbur s’mundet t’ju dëmtojë. Pra, s’të bën dëm asgjë as devijimi i babait tënd, as devijimi i vëllait tënd, as devijimi i banorëve të vendit ku jeton dhe as devijimi i tërë njerëzimit. Kështu, nëse e kryen obligimin që e ke përsipër dhe përpiqesh në të, atëherë ai që është i lajthitur nuk mundet të të dëmtojë. Zoti yt thotë: “…dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit.” Mirëpo, nëse tregohesh i shkujdesur në detyrat që i ke përsipër, devijimi i tyre të bën dëm. Pra, nëse ti nuk thërret tek Allahu, nuk urdhëron për të mirë, nuk e pengon të keqen dhe nuk i kryen obligimet, dëmi i të devijuarve arrin tek fëmijët e tu, apo tek bashkëshortja jote, apo tek komshinjtë e tu, ngaqë je i mangët nga udhëzimi. Je i tillë derisa të kryesh detyrat që i ke përsipër, si në raport me Allahun, ashtu edhe me robërit e Tij. Prej të drejtave të Allahut me të cilat je i ngarkuar janë: kryerja e obligimeve, braktisja e harameve, urdhërimi për të mirë, pengimi i të keqes, dhënia e këshillës për Të dhe robërit e Tij, si dhe thirrja për tek Ai, aq sa ke mundësi. Ndërsa në mesin e të drejtave të krijesave që i ke përsipër janë: të këshillosh gruan dhe fëmijët e tu, t’i orientosh ata drejt mirësisë dhe t’i edukosh me edukatë islame. Po ashtu t’i nderosh dhe t’u bësh mirë komshinjve, të mos i lëndosh ata, ta nderosh mysafirin, etj. Andaj, ai i cili nuk i kryen të drejtat që i ka përsipër, nuk quhet i udhëzuar, por (quhet) i mangët nga udhëzimi dhe imani, derisa t’i kryejë ato.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit