Shpjegimi i sures El-Uâki'a – pjesa e gjashtë

Shejh Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

www.ibnothaimeen.com

83. Atëherë, përse kur (dikujt) i vjen (shpirti) në grykë

Gryka (fyti) është vendi ku kalon frymëmarrja. Në pjesën e poshtme të qafës janë dy vende: ai nëpër të cilin kalon ushqimi dhe pija, që ndryshe quhet ezofag, dhe tjetri nëpër të cilin kalon frymëmarrja, pra fyti. Fyti përbëhet nga rrathë të butë e të hapur, ndryshe nga ezofagu, i cili është si një zorrë. Kjo është kështu, ngaqë vendi për frymëmarrje patjetër duhet të jetë i hapur, sepse, në të kundërtën, frymëmarrja do të vështirësohej. Mirëpo, Allahu me mëshirën e Tij e bëri fytin si gyp, por të butë e të rrumbullakët, në mënyrë që njeriu ta ketë lehtë ngritjen dhe uljen e kokës. Ndërsa, ezofagu është sikur zorrët e zakonshme, dhe ushqimi e pija, që janë të forta, e hapin atë kur të kalojnë nëpër të. Allahu e përmendi fytin dhe jo ezofagun, ngaqë fyti është vendi ku kalon frymëmarrja, me ndërprerjen e së cilës njeriu vdes. Andaj, kur shpirti të arrijë në grykë, pra, nga pjesa e poshtme e trupit e deri në këtë vend, në atë moment këputen lidhjet me dynjanë dhe njeriu e kupton se është duke shtegtuar drejt ahiretit dhe duke e lënë dynjanë pas.

84. para syve tuaj,

Do të thotë, ju e shihni atë që është duke vdekur dhe vështirësitë e agoninë që e përjeton, dhe s’keni fuqi për t’ia larguar ato, edhe nëse jeni prej më të afërmve dhe më të dashurve të tij. Pra, askush s’mundet ta pengojë daljen e shpirtit kur ai arrin në grykë.

85. – ndërkohë që Ne jemi më afër atij se ju, por ju nuk e vini re-

Domethënë, Allahu është më afër fytit të atij që është në çastet e agonisë sesa familja e tij, mirëpo, qëllimi është më afër tij me engjëjt tanë, dhe për këtë arsye tha: “por ju nuk e vini re”. Nganjëherë, Allahu i Lartësuar ia atribuon ndonjë vepër Vetes së Tij, atëherë kur atë e kryejnë engjëjt, ngaqë ata janë të dërguarit e Tij. Dhe kjo nuk konsiderohet si shtrembërim i fjalëve të ajetit, por është shpjegim sipas asaj që e kërkon konteksti (i ajetit). Ndodh që dikush të thotë se, ana sipërfaqësore e ajetit “ndërkohë që Ne jemi më afër atij se ju” aludon se fjala është për Allahun e Madhërishëm, andaj, përse po ia shtrembëroni kuptimin? Ne i themi se nuk po e shtrembërojmë, por, po e shpjegojmë ashtu siç e kërkon pjesa e dukshme e tij, ngaqë Allahu tha: “ndërkohë që Ne jemi më afër atij se ju, por ju nuk e vini re”. Kjo aludon se ky i afërt është në po të njëjtin vend (me ne), mirëpo ne nuk e shohim atë. Dhe kjo e bën të patjetërsueshëm faktin se fjala është për afërsinë e engjëjve, për shkak të pamundësisë së një gjëje të tillë sa i përket pozitës (madhështisë) së Allahut të Lartësuar. Po ashtu, sepse kjo afërsi është e kufizuar me gjendjen e agonisë, dhe, ata që janë të pranishëm tek i vdekuri kur ai është duke dhënë shpirt, janë engjëjt, siç lexojmë në Kuran: “…(engjëj) të cilët, kur ndonjërit nga ju i vjen vdekja, ia marrin shpirtin, duke mos bërë kurrfarë lëshimi.” (El-En’âm, 61).

E, nëse thuhet: “Përse Allahu ia atribuon Vetes veprën, kur bëhet fjalë për engjëjt?” Themi: S’ka asgjë të çuditshme këtu. Allahu ia atribuon Vetes veprën që e kryejnë engjëjt, ngaqë ata janë të dërguarit e Tij. Pra, vepra e tyre është vepër e Tij. A nuk e ke parë fjalën e Allahut të Bekuar e të Lartësuar: “Mos nxito (o Muhamed) në leximin e Kuranit me gjuhën tënde! Ne e kemi për detyrë t’i mbledhim pjesët e tij e ta lexojmë atë. Dhe, kur ta lexojmë atë, ti përcille leximin e tij!” (El-Kijâme, 16-18). Fjala është për leximin e Xhibrilit (alejhis-selâm) dhe jo për leximin e Allahut, mirëpo, Ai ia atribuoi Vetes veprën e Xibrilit, ngaqë leximi ndodhi me urdhrin e Tij, dhe është Ai, i Cili e dërgoi me të. Atëherë, “ndërkohë që Ne jemi më afër atij se ju, por ju nuk e vini re” do të thotë, engjëjt Tanë janë më afër atij se ju, ngaqë kanë ardhur për t’ia marr shpirtin. Allahu i Lartësuar e ruan njeriun gjatë jetës dhe pas vdekjes së tij. Pra, ka engjëj të cilët, me urdhrin e Allahut, e ruajnë njeriun sa është gjallë. Po ashtu pas vdekjes së tij, ka engjëj që ia marrin shpirtin, e ruajnë atë dhe assesi nuk bëjnë ndonjë lëshim ndaj tij (shpirtit). Pra, ata janë afër atij që është duke vdekur, mirëpo ne nuk i shohim, sepse engjëjt janë një botë e fshehtë që nuk shihet.

86. përse pra, nëse nuk do të gjykoheni (në jetën e përtejme),

87. ju nuk ia ktheni shpirtin atij? Përgjigjjuni kësaj, nëse thoni të vërtetën!

Do të thotë, përse pra, nëse nuk do të ringjalleni dhe nuk do të shpërbleheni për veprat tuaja, ju nuk ia ktheni shpirtin, nëse thoni të vërtetën? Përgjigjja: Një gjë e tillë s’mund të ndodhë. Atëherë, duhet të besoni në ringjallje dhe në shpërblim/ndëshkim, ngaqë ju s’mundeni ta ktheni shpirtin, në mënyrë që të mos ndëshkohet. Andaj, besojini bindshëm ringjalljes.

Më tutje, Allahu i Lartësuar i ndau ata që janë në çastet e agonisë në tri grupe, dhe për grupin e parë tha:

88. Kështu, nëse ai (në agoni) është nga ata që janë të afërt (me Allahun),

89. do të ketë prehje, kënaqësi dhe dhunti të Xhenetit.

O Allah na bëj prej tyre! Ata janë që i kanë kryer obligimet dhe gjërat e pëlqyeshme dhe që janë larguar nga haramet dhe nga gjërat e urryera. Me fjalë tjera, ata që e kanë plotësuar fenë e tyre. Të afërtit (me Allahun) janë ata më të parët e më të shquarit, të cilët janë përmendur në fillim të kësaj sureje. Pra, më të parët drejt punëve të mira. “do të ketë prehje (reuh), kënaqësi (rejhân) dhe dhunti të Xhenetit”. Komentuesit e Kuranit (Allahu i mëshiroftë) patën mospajtime lidhur me fjalën “reuh”. Kështu, disa prej tyre thanë se është fjala për prehje (rehati), sepse besimtari, edhe pse e urren vdekjen, ai gjen prehje tek ajo, ngaqë gjatë marrjes së shpirtit ai përgëzohet me reuh, rejhân, dhe me një Zot që nuk është i hidhëruar me të. Kështu, në atë moment, ai gëzohet, ngazëllehet dhe nuk e urren vdekjen, por e do takimin me Allahun e Madhërishëm. Kjo padyshim që është një rehati nga mërzitë, lodhjet dhe brengat e dynjasë. Po ashtu është thënë se fjala reuh ka kuptimin e rahme (mëshirë), siç thotë Allahu duke treguar për Ja’kûb-in (alejhis-selâm) kur u tha bijve të tij: “O bijtë e mi, shkoni e kërkoni lajme për Jusufin dhe vëllanë e tij dhe mos e humbni shpresën në reuh-in/mëshirën e Allahut.” (Jûsuf, 87).

Ky kuptim i fjalës është më i përgjithshëm se i pari, ngaqë mëshira është më e përgjithshme sesa rehatia (prehja) apo sesa rehatia pas arritjes së qëllimit. Andaj, kur kuptimi i fjalës është më i përgjithshëm, atëherë, shpjegimi i ajetit sipas tij është më parësorë. Pra, “do të ketë reuh” është fjala për mëshirë, dhe, mëshira e përfshinë edhe rehatinë.

“rejhân” kanë thënë se ajo është çdo gjë që e kënaq shpirtin dhe nuk është e veçantë vetëm për aromën e mirë, por, çdo gjë në të cilën ka prehje dhe kënaqësi për shpirtin, qoftë ajo ushqim, pije, rrobë, bashkëshorte, aromë. Pra, kjo fjalë i përfshinë të gjitha këto. Po ashtu është thënë se ajeti flet për aromën e mirë, siç është puna me rejhan-in/ borzilokun e njohur, mirëpo kuptimi i parë është më përfshirës, andaj, ajeti shpjegohet sipas tij.

“dhe dhunti të Xhenetit” do të thotë Xhenet në të cilin kënaqet. Xheneti është shtëpia, të cilën Allahu e ka përgatitur për miqtë e Tij, Allahu na bëftë prej tyre, ku njeriu kënaqet me trup dhe me zemër. Aty nuk do të lodhet, nuk do të moliset, nuk do të sëmuret, nuk do të trishtohet, nuk do të brengoset (merakoset) dhe nuk do të pikëllohet. Përkundrazi, ai do të jetë në kënaqësi të përhershme. Edhe në dynja ka kënaqësi, mirëpo, ajo është e tillë që vazhdimisht prishet. Ashtu siç shprehet një poet:

Një ditë në favor tonin dhe një ditë kundër nesh

Në njërën ditë shqetësohemi, ndërsa në tjetrën gëzohemi

Kështu është kjo botë; nëse në njërën prej ditëve gëzohesh, bëhu gati që të nesërmen të goditesh me ndonjë gjë të keqe. E, nëse sot je në gjendje të keqe, atëherë ndodh që të nesërmen të kënaqesh, apo edhe jo. Ndërsa, sa i përket Xhenetit në jetën e pastajme, ai është një vend i kënaqësisë së zemrës dhe të trupit.

90. E, nëse është nga njerëzit e së djathtës,

Këta janë që i kanë kryer obligimet dhe i kanë lënë haramet, por, kishin mangësi në veprat e pëlqyeshme dhe në largimin nga gjërat e urryera.

91. (ai do të përshëndetet) “Paqe për ty” nga njerëzit e së djathtës.

Do të thotë, shpëtim për ty, që je duke dhënë shpirtin, e që je prej njerëzve të së djathtës. Grupi i parë janë ata të afërtit më Allahun, ndërsa njerëzit e së djathtës, as nuk janë prej atyre që prijnë dhe as ndër të poshtëruarit; janë në mes këtyre dy grupeve, por, megjithatë janë të shpëtuar nga dënimi. Për këtë arsye tha: “Paqe për ty” (shpëtim për ty) nga njerëzit e së djathtës”. Ky është grupi i dytë. Ndërsa, për grupin e tretë, Allahu tha:

92. Por, nëse (ai në agoni) është nga përgënjeshtruesit e humbur,

“nga përgënjeshtruesit” e lajmeve (të fesë), “e humbur” në vepër; pra as nuk kanë besim dhe as përkushtim (kryerje të veprave). Secili jobesimtar hyn në këtë ajet, madje edhe mynafikët.

93. ai do të gostitet me ujë të valuar

Gostia është ajo që i shtrohet mysafirit posa të vijë. Hisja e këtyre njerëzve nga kjo gosti do të jetë uji i valuar me nxehtësi të madhe, Allahu na ruajt.

94. dhe do të përcëllohet në Zjarrin e flakëruar (të Xhehenemit).

Pra, do të digjen në zjarrin e flakëruar dhe do të qëndrojnë përgjithmonë në të. Zjarri i flakëruar (el-xhehîm) është prej emrave të Xhehenemit. Allahu na ruajt prej tij!

95. Pa dyshim, kjo është e Vërteta e sigurt.

Domethënë, kjo që u përmend deri më tani, se njerëzit do të ndahen në tri grupe “është e Vërteta e sigurt”. Pra, ajo është e vërteta e pakundërshtueshme dhe e padyshimtë. Të vërtetën e ka thënë Allahu i Madhërishëm, sepse njerëzit s’kanë mundësi të dalin prej këtyre tri grupeve, që janë: të afërtit me Allahun, njerëzit e të djathtës dhe përgënjeshtruesit e humbur.

96. Andaj lavdëroje emrin e Zotit tënd të Madhërishëm!

Do të thotë, pastroje Allahun e Madhërishëm nga çdo mangësi dhe e metë, apo nga ngjasimi i krijesave. Pra, Allahu, për shkak të cilësive të Tij të përkryera, është i pastër nga çdo e metë dhe, po ashtu, i pastër nga ngjasimi i krijesave. Allahu thotë: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.” (Esh-Shûrâ, 11). “Ne i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çdo gjë që gjendet midis tyre për gjashtë ditë, pa ndierë lodhje aspak.” (Kâf, 38).

Kuptimi i ajetit është lavdëroje Allahun duke përmendur emrin e Tij, andaj patjetër duhet të thuhet tesbihu me gjuhë, pra, subhânAllah, dhe nuk mjafton ta lavdërosh Atë vetëm me zemër.

Fjala Zot (Er-Rabb) është Krijuesi, Poseduesi/Sunduesi, Drejtuesi i gjërave. Ndërsa, i Madhërishmi është poseduesi i madhështisë dhe nderit.

Sikur të mos zbriste në Kuran përveç kësaj sureje, atëherë, ajo do të mjaftonte sa i përket nxitjes në punë të mira dhe thirrjes për lënien e punëve të këqija. Në fillim të saj, Allahu i Lartësuar përmendi Ditën e Kiametit: “Kur të ndodhë Ngjarja (Kiameti)”, pastaj i ndau njerëzit në tri grupe: ata që prijnë, njerëzit e së djathtës dhe njerëzit e së majtës. Më tutje, në fund të saj, Allahu e përmendi gjendjen e njeriut në çastin e agonisë, dhe, të gjithë njerëzit i ndau në tri grupe: të afërt me Allahun, njerëzit e të djathtës dhe mohuesit e humbur. Gjithashtu, në këtë sure Allahu përmendi fillimin e krijimit të njeriut dhe atë në fjalët e Tij: “A e keni parë farën (lëngun) që e hidhni? A jeni ju që e krijoni atë apo jemi Ne krijuesit e saj?”. Ndërmjet gjërave që i përmendi janë edhe risku (furnizimi): ushqimi dhe pija, si dhe gjërat që i bëjnë të përshtatshme ato. Me pak fjalë, kjo është një sure e kompletuar, andaj, është mirë që njeriu të përsiat mbi të kur ta lexojë, ashtu siç duhet përsiat mbi pjesët e tjera të Kuranit. Mirëpo, kjo sure (në veçanti) përfshinë kuptime madhështore. Allahu është Ai që jep suksesin.

Fund

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit