Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Shpjegimi i sures El-Uâki'a – pjesa e parë

Shejh Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

www.ibnothaimeen.com

Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

1. Kur të ndodhë Ngjarja (Kiameti),

Allahu e ka hequr përgjigjen e fjalisë kushtore në këto ajete, në mënyrë që në përcaktimin e saj, mendja të përfytyrojë çdo gjë. Do të thotë: kur të ndodhë Ngjarja (Kiameti), me të vijnë edhe tmerret e mëdha, njerëzit ndahen në grupe, dhe ndodhë ajo për të cilën kanë lajmëruar Allahu e i Dërguari i Tij. Fjala e Allahut: Kur të ndodhë Ngjarja” është e njëjtë me fjalën tjetër të Tij: “E Vërteta e pashmangshme. Ç’është e Vërteta e pashmangshme?” (El-Hâkka, 1-2). Pra, fjala është për Ditën e Kiametit.

2. ardhjen e saj askush nuk do ta mohojë.

Do të thotë: ardhja e saj nuk është gënjeshtër, por e vërtetë dhe patjetër do të ndodhë.

Besimi në Ditën e Fundit është njëra ndër gjashtë shtyllat e Imanit, të cilat i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ia tregoi Xhibrilit (alejhis-selam) kur e pyeti se “ç’është Imani?” Profeti iu përgjigj: “Të besosh Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit, dhe kaderin (caktimin e Allahut), të mirin dhe të keqin.” (Përcjellë nga Muslimi). Janë të shpeshta rastet ku Allahu bashkon midis besimit në Të dhe në Ditën e Fundit, ngaqë besimi në Ditën e Fundit e nxitë njeriun të kryejë punë të mira dhe, njëkohësisht, të largohet nga punët e këqija. Kjo ngaqë ai beson se është një ditë e fundit ku njeriu bamirës do të shpërblehet për mirësinë e tij, ndërsa keqbërësi do të ndëshkohet për shkeljet e tij.

3. Disa do t’i ulë e disa do t’i lartësojë.

Pra, ajo ditë, disa do t’i ulë e disa do t’i lartësojë. Do të thotë: atëbotë, disa njerëz do të përulen, e disa të tjerë do të lartësohen. Mirëpo, kush është ai që do të lartësohet? Allahu i Madhërishëm thotë: “Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija.” (El-Muxhâdile, 11). Pra, janë pikërisht poseduesit e dijes dhe të imanit, ata që u takon lartësimi në dynja dhe në ahiret. Ndërsa, të tjerët pos tyre, do të jenë të përulur, varësisht sa kanë qenë larg besimit dhe dijes. Po ashtu, do të përulen injorantët dhe mëkatarët. Sa e sa njerëz që kanë autoritet në këtë botë e që janë të madhëruar tek njerëzit, në Ditën e Kiametit do të jenë prej robërve më të nënçmuar të Allahut. Të fortët dhe mendjemëdhenjtë do të ringjallen si buburrecë të vegjël, të cilët njerëzit do t’i shkelin me këmbët e tyre. (Përcjellë nga Tirmidhiu). Edhe pse në këtë botë ata kapardiseshin dhe mbaheshin me të madh para robërve të Allahut, mirëpo, në Ditën e Kiametit do të jenë të përulur, të mjerë, meqë Allahu i Madhërishëm i ka poshtëruar.

4. Kur Toka të dridhet fuqishëm,

E ke parasysh sesi lëviz uji brenda enës kur ti e dridh atë. Në Ditën e Kiametit, Toka do të dridhet me urdhrin e Allahut të Lartësuar. Ky varg është i njëjtë me fjalët e Allahut: “Kur të dridhet Toka me tronditjen e saj (të fundit)” (Ez-Zelzele, 1) dhe: “O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe!” (El-Haxhxh, 1).

5. malet të thërrmohen copë-copë,

Domethënë, ato hallakaten, prishen dhe bëhen si pirgje rëre të lëvizshme. Dhe për këtë arsye tha:

6. e të shndërrohen në pluhur të shpërndarë,

Sikur pluhurin që e shohim kur rrezet e Diellit bien brenda ndonjë dhome të errët; nëpërmjet tyre e sheh këtë pluhur si të shpërndarë e të shkapërderdhur. Pra, këto male të forta e të ngurta, shkëmbi i ndonjërës prej të cilave është më i madh se disa male tjera, apo ndodh që vetë mali të jetë një shkëmb i vetëm, në Ditën e Kiametit do të shndërrohen në pluhur të shpërndarë me urdhrin e Allahut Fuqiplotë. Kështu, Toka do të mbetet pa male, pa drunj, pa lugina dhe pa rërë. Ashtu siç thotë Allahu i Madhërishëm: “Kur të të pyesin ty (o Muhamed) për malet, thuaj: “Ato do t’i bëjë hi e pluhur Zoti im. Ndërsa tokën do të lërë si fushë të shkretë; nuk do të shohësh në të as lugina, as brigje.” (Tâ Hâ, 105-107).

7. ju (o njerëz) do të ndaheni në tri grupe:

Pra, atë ditë, njerëzit do të ndahen në tri grupe e jo më tepër: ata që prijnë (më të parët), njerëzit e së djathtës dhe njerëzit e së majtës.

8. njerëzit e të djathtës. Kush janë ata të së djathtës?

9. njerëzit e së majtës. Kush janë ata të së majtës?

10. dhe ata më të parët e më të shquarit. Ata (do të jenë) më të parët e më të shquarit.

Këtu, këto grupe njerëzish, Allahu i ka përmendur si të parenditur në vlerë. Ai së pari i përmendi njerëzit e të djathtës, së dyti njerëzit e të majtës, dhe së treti ata më të parët (ata që prijnë). Mirëpo, kur tregoi për ta në mënyrë të shtjelluar, i renditi në bazë të vlerës që e kanë. Kështu, së pari i përmendi ata që prijnë, së dyti njerëzit e të djathtës, dhe së treti njerëzit e të majtës. Ky lloj shtjellimi i renditur ndryshon nga renditja e pashtjelluar, dhe njëkohësisht është prej mënyrave elokuente të të shprehurit.

8. njerëzit e të djathtës. Kush janë ata të së djathtës?

Allahu i Lartësuar po tregon se njëri prej këtyre grupeve do të jenë njerëz të së djathtës. Pastaj tha: “Kush janë ata të së djathtës?”. Me lejen e Allahut, do të vijojë përmendja e tyre në mënyrë të hollësishme.

9. njerëzit e së majtës. Kush janë ata të së majtës?

Domethënë: ata janë njerëz fatkeq (të pafat). Gjithashtu edhe përmendja e tyre në mënyrë të hollësishme do të vijojë më poshtë.

10. dhe ata më të parët e më të shquarit. Ata (do të jenë) më të parët e më të shquarit.

Ky është grupi më i mirë. Ndër analizat më të sakta që i janë bërë kësaj fjalie është se pjesa: “dhe ata më të parët e më të shquarit” është kryefjalë, ndërsa pjesa tjetër: “Ata (do të jenë) më të parët e më të shquarit” është kallëzues. Me fjalë tjera, ata që kanë prirë me punë të mira (në dynja) do të jenë më të parët që do të shpërblehen në ahiret.

11. Ata janë të afërtit,

Domethënë: të afërtit tek Allahu i Madhërishëm. Pra, ata do të jenë në xhenetet më të larta. Xhenetet më të larta janë ato më të afërtat me të Gjithëmëshirshmin, sepse sipër Firdeusit, që është grada më e lartë e xhenetit, është Arshi (Froni) i Allahut. “Ata janë të afërtit”. Allahu ua përmendi pozitën para vendbanimit, sepse siç thuhet në një shembull: “(Zgjidhe) fqinjin para shtëpisë.” Dhe siç lexojmë në Kuran për gruan e faraonit: “O Zoti im! Ndërtoma një banesë tek Ti…”. Pra, ajo së pari e përmendi fqinjësinë, e pastaj tha: “…në Xhenet” (Et-Tahrîm, 11).

Ndërsa këtu, Allahu po thotë: “Ata janë të afërtit” para se t’ua përmend shpërblimin, sepse afërsia e tyre me Allahun e Madhërishëm është më e lartë se çdo gjë tjetër. Allahu na bëftë prej tyre!

12. në kopshtet e kënaqësisë.

Domethënë do të jenë në këto vende madhështore, ku ekzistojnë gjëra që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe zemra nuk i ka përfytyruar. Allahu ia ka atribuuar kënaqësinë xheneteve, sepse banori i tyre përjeton kënaqësi me trupin dhe me zemrën e tij. Ashtu siç thotë Allahu në suren El-Insân: “Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura. Por Allahu do t’i ruajë ata nga tmerret e asaj Dite e do t’u japë shkëlqim dhe gëzim.” (El-Insân, 10-11). Domethënë shkëlqim në fytyrë dhe gëzim në zemër. Kështu, ata i përjetojnë dy kënaqësi: atë të trupit dhe të zemrës. Në Kuran lexojmë: “Ata do të stolisen aty me byzylykë të artë dhe inxhi e rrobat e tyre do të jenë prej mëndafshi.” (El-Haxhxh, 23 dhe Fâtir, 33). Dhe: “Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni.” (Fussilet, 31). Këto, po ashtu, janë kënaqësi në trup; si dhe kënaqësi tjera që do të përjetohen në Xhenet, që i ka përmendur Allahu i Madhërishëm. Sikur të mos kishte kënaqësi tjetër në Xhenet, përveç asaj se njeriu që hyn në të do jetë i përjetshëm e nuk do të vdesë kurrë; do të jetë i shëndoshë përherë dhe nuk do të sëmurët kurrë; do të jetë i ri përherë dhe nuk do të plaket kurrë, do të mjaftonte. Mirëpo, dihet se mbi tërë këtë (shpërblim) është shikimi në Fytyrën e Allahut të Madhërishëm, ashtu siç thotë Ai: “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblimin më të mirë (Xhenetin), madje edhe më tepër!” (Jûnus, 26). Do të thotë më tepër se shpërblimi më i mirë. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e interpretoi “shtesën” me “shikimin në Fytyrën e Allahut”. (Përcjellë nga Muslimi). O Allah! Na bëjë prej atyre që shikojnë në Ty në kopshtet e kënaqësisë!

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni artikujt e rinj me email duke u abonuar

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva
Kategori