Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

Shpjegimi i sures El-Uâki'a – pjesa e pestë

Shejh Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

www.ibnothaimeen.com

75. Betohem në çastin e perëndimit të yjeve,

76. – e ky është betim i madh, veç sikur ta dinit –

Këtu Allahu i Lartësuar po betohet në çastin e perëndimit të yjeve. Betimi është përforcimi i ndonjë gjëje duke përmendur diçka të madhëruar nëpërmjet shprehjeve/mënyrave të veçanta, të cilat janë (shkronjat): vav, ba dhe ta. Ka mospajtime të dijetarëve (Allahu i mëshiroftë) lidhur me fjalën e Allahut: “në çastin e perëndimit të yjeve”. Disa prej tyre thanë se ato janë çastet e zbritjes së Kuranit, ngaqë ai ka zbritur pjesë-pjesë (munexh-xhem). Ndërsa, të tjerët thanë se ato janë çastet kur yjet lindin dhe perëndojnë, ngaqë çastet e perëndimit të tyre tregojnë për afrimin e ditës, ndërkaq, ato të lindjes japin shenjë për hyrjen e natës. Ndërrimi i natës dhe ditës është ndër shenjat madhështore të Allahut, të cilën s’ka fuqi ta bëjë askush përveç Tij. Pra, (sipas këtij mendimi) Allahu është betuar në shenjat që tregojnë për ardhjen dhe largimin e natës. Po ashtu është thënë se, qëllimi me çastin e perëndimit të yjeve janë lëvizjet (pozitat) e tyre. Në kohën e injorancës para-islamike ato madhëroheshin deri në atë masë sa thoshin: “Shiu zbret për shkak të pozitës së yllit”. Sido që të jetë, Allahu i Lartësuar u betua në çastin e perëndimit të yjeve për një çështje tejet madhore, siç lexojmë në fjalët e Tij: “e ky është betim i madh, veç sikur ta dinit –

77. se ky është vërtet një Kuran fisnik,

Mirëpo, Allahu sqaroi madhështinë e këtij betimi para se të sqaronte atë në të cilën u betua, dhe tha: “e ky është betim i madh, veç sikur ta dinit”. Kështu, Allahu ndërhyri me fjalinë “veç sikur ta dinit” për të dhënë shenjë se duhet të jemi të zgjuar e ta kuptojmë këtë betim dhe madhështinë e tij. “se ky është vërtet një Kuran fisnik” domethënë, libri që i është zbritur Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është “një Kuran fisnik”. Me fjalën fisnikëri (el-kerem) kihet për qëllim bukuria, shkëlqimi dhe hijeshia, siç lexojmë në fjalët e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur e dërgoi Mu’adhin (radijAllahu anhu) në Jemen dhe e urdhëroi t’ua sqaronte banorëve të tij se e kanë për detyrë të nxjerrin zekatin e pasurisë së tyre: “Dhe ki kujdes të mos marrësh nga ta pasuritë fisnike (të çmuara).” (Buhariu dhe Muslimi). Është fjala për delet e pashme e të hijshme. Kurani është fisnik në shpërblimin e tij: një shkronjë shpërblehet me një të mirë, ndërsa e mira shpërblehet dhjetëfish. Po ashtu, ai është fisnik në ndikimin që e lë në zemra dhe në përmirësimin e tyre: leximi i tij i zbutë zemrat dhe e obligon frikën ndaj Allahut të Lartësuar. Gjithashtu, ai është fisnik në ndikimin që e lë tek njerëzit gjatë thirrjes së tyre tek feja e Allahut, siç thotë Ai: “Mos i dëgjo mohuesit, por luftoji ata me forcë nëpërmjet këtij (Kurani).” (El-Furkân, 52). Me pak fjalë, Kurani është fisnik me plotë kuptimin e fjalës.

78. në Librin e ruajtur.

Dijetarët patën mospajtime lidhur me Librin e ruajtur, për shkak të fjalës tjetër të Allahut: “Përkundrazi, ai është një Kuran i lavdishëm, në Pllakën e Ruajtur mirë (Leuhi Mahfûdh).” (El-Burûxh, 21-22). Kështu, disa prej tyre thanë se, me të kihen për qëllim fletushkat që janë në duart e engjëjve, siç thotë i Lartësuari: “Pra, kush të dojë, le të marrë këshillë! Ai ndodhet në Faqe të nderuara, të lartësuara, të pastra, në duart e shkruesve (engjëj) të ndershëm dhe të drejtë.” (‘Abese, 12-16). Ibën Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) këtë mendim e sheh si më të peshuar me argumente, siç lexojmë në librin e tij: “Et-Tibjân fî aksâmil-Kurân”. Edhe pse shumica e komentuesve të Kuranit kanë mendimin se fjala është për Pllakën e Ruajtur mirë (Leuhi Mahfûdh).

79. Atë (Kuranin) e prekin vetëm të pastrit,

Është fjala për engjëjt, të cilët Allahu i pastroi nga shirku dhe mëkatet. Për këtë arsye, engjëjt nuk bëjnë mëkate, përkundrazi, ata i zbatojnë urdhrat e Allahut, ashtu siç Ai kërkon. Disa komentues të Kuranit dhanë një mendim të çuditshëm kur u shprehën se, fjala: “Atë (Kuranin) e prekin vetëm të pastrit” aludon se Kurani duhet të preket vetëm nga ai që është i pastër (me abdes). Mirëpo, ky është mendim i dobët, për të cilin nuk aludon ajeti. (shih vendimin lidhur me prekjen e mus’hafit pa pasur abdes, në fetvatë dhe shkrimet e shejhut, Allahu e mëshiroftë, 11/212). Sepse, sikur të ishte për qëllim një gjë e tillë, atëherë Allahu do të thoshte: “vetëm ata që pastrohen”, mirëpo, Ai tha: “vetëm të pastrit” domethënë, që Allahu i Madhërishëm i ka pastruar. Pra, ai është një mendim i dobët, dhe, sikur të mos gjendej brenda disa tefsireve që i posedojnë njerëzit, nuk do ta përmendnim, ngaqë është i pavlerë. Pra, mendimi i saktë është se ajeti flet për engjëjt. Nëse themi se qëllimi me “librin e ruajtur” janë faqet në duart e engjëjve, atëherë kjo shihet mjaftë qartë në ajetin: “Atë (Kuranin) e prekin vetëm të pastrit”. E, nëse thuhet se fjala është për Pllakën e Ruajtur mirë (Leuhi Mahfûdh), atëherë, (themi se) ndodh që të pastrit (engjëjt) ta prekin atë me lejen e Allahut, apo të mos e prekin atë.

80. Ai është i zbritur nga Zotit i botëve.

Pra, ky Kuran është i zbritur nga Zoti i botëve; ka zbritur nga Allahu i Madhërishëm, ngaqë është e folmja e Tij, dhe e folmja e Tij është e zbritur e jo e krijuar. Nga ky ajet përfitojmë se Kurani nuk është i krijuar, sepse ka zbritur nga Allahu. Pra, Kurani është fjala e Allahut, dhe të folurit e Tij është prej cilësive të Tij, ndërkohë që cilësitë e Tij nuk janë të krijuara. Fjala e Allahut: “Ai është i zbritur nga Zotit i botëve” jep shenjë se ne e kemi për detyrë të punojmë sipas Kuranit, ngaqë Ai i Cili e ka zbritur atë është Zoti i respektuar, Krijuesi dhe Furnizuesi, urdhrave dhe ndalesave të së Cilit duhet t’u bindemi. Fjala “botëve” (‘alemîn) përfshinë çdokënd përveç Allahut. Janë quajtur ‘alemîn ngaqë ata janë ‘alem (shenjë) për Krijuesin e tyre. Nëse njeriu ndalet dhe mendon rreth këtij krijimi madhështorë, atëherë ai do t’i tregojë për madhështinë, pushtetin (fuqinë) dhe mëshirën e Allahut të Lartësuar, si dhe për cilësitë tjera të Tij.

81. Vallë, një Fjalë të tillë ju e mohoni

Do të thotë, pas tërë këtij qartësimi për madhështinë e Kuranit fisnik, ju bëni lëshime para jobesimtarëve dhe heshtni e nuk e sqaroni atë dhe nuk veproni me të. Kjo është një pyetje qortuese, ngaqë ai që beson se Kurani është “i zbritur nga Zotit i botëve”, se ai është “një Kuran fisnik”, se “atë e prekin vetëm të pastrit”, e ka për detyrë të flasë e të deklarohet haptazi dhe të mos bëjë lëshime. Allahu thotë në një ajet tjetër: “Ata dëshirojnë që ti (Muhamed) të bësh lëshime, kështu që dhe ata të bëjnë lëshime.” (El-Kalem, 9), mirëpo kjo s’kishte mundësi të ndodhte. Andaj, besimtari e ka për detyrë të shfaqë fenë e tij dhe të krenohet me të, ndryshe nga gjendja e shumicës së njerëzve sot, fatkeqësisht. Sheh sesi ndonjëri prej tyre kur të ngrihet për të falur namazin, i vije turp nga një gjë e tillë, madje, ndoshta edhe e vonon namazin derisa t’i përfundojë koha, për t’iu përshtatur atyre që nuk falen. Ky është një gabim trashanik. Përkundrazi, njeriu e ka për detyrë të jetë i hapur dhe të mos bëjë lëshime/lajka në fenë e Allahut të Madhërishëm.

82. dhe në vend të falënderimit (të Allahut) për riskun që Ai ju jep juve, përkundrazi ju e mohoni Atë

Do të thotë, furnizimin që ua jep Allahu ju e shndërroni në mohim të Tij, siç thotë i Lartësuari: “Ata e dinë dhuntinë e Allahut, por pastaj e mohojnë…” (En-Nahl, 83). Këtu bën pjesë edhe rasti kur njeriu, begatinë e Allahut ia atribuon shkakut, duke e harruar shkaktarin (Allahun). Siç thotë ndonjëri prej tyre: “Shiu ka rënë për shkak të këtij ylli.” Pra, ai, rënien e shiut ia adreson yllit dhe jo Krijuesit, të Madhërishmit. Kjo vepër bën pjesë në llojet e shirkut, siç tregohet haptazi në hadithin e Zejd bin Halid El-Xhuhenij (radijAllahu anhu) se Profeti (sal-lAll-Allahu alejhi ue sel-lem­) ua fali namazin e sabahut në Hudjebije, pas një nate me shi, dhe u tha: “A e dini se çfarë tha Zoti juaj?” Të pranishmit thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë” Ai tha: “Zoti juaj ka thënë: “Disa prej robërve të Mi u zgjuan si besimtarë në Mua e disa si mohues.” Shejhu: domethënë u ndanë në dy grupe: besimtarë dhe jobesimtarë. “Kështu, ai që tha se shiu ra me mirësinë dhe mëshirën e Allahut, ai është besimtar në mua dhe mohues i yllit. Ndërsa, ai që tha se shiu ra për shkak të këtij apo atij ylli, (ai) është jobesimtar në Mua dhe besimtar në yll.” (Buhariu dhe Muslimi).

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva