Shpjegimi i sures El-Uâki'a – pjesa e tretë

Shejh Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

www.ibnothaimeen.com

27. E njerëzit e së djathtës. Kush janë ata të së djathtës?

Ky është niveli i dytë, nën të parin. Fjalia pyetëse: “Kush janë ata të së djathtës?” është për të shprehur mahnitje dhe glorifikim. Do të thotë: Ç’farë njerëz janë ata se?!

28. Ata do të qëndrojnë në mes të lotusve pa gjemba

Lotusi është një pemë e njohur. Hija e tij është e freskët dhe tonike. Mirëpo, lotusi i Xhenetit ndryshon nga ai i kësaj bote; emri është i përbashkët, ndërsa kuptimi është i ndryshëm. Ashtu siç thotë Allahu: “Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es-Sexhde, 17). Andaj, sikur gjërat e Xhenetit të ishin të ngjashme me ato të kësaj bote, ne do t’i dinim ato.

29. dhe bananeve të mbushura me fruta,

Do të thotë trupat e tyre janë përplot me fruta.

30. nën hije të gjera,

Do të thotë nën hije pa fund, sepse në Xhenet s’ka Diell, përkundrazi, i tëri është hije. Disa nga selefët e kanë përshkruar këtë hije duke thënë se është sikur drita afër lindjes së Diellit; Toka është e mbushur me dritë, mirëpo Dielli nuk duket askund. Pra, ajo është një hije e gjerë (zgjatur) në hapësirë dhe kohë.

31. pranë një uji rrjedhës,

Domethënë, pranë një uji që rrjedh vazhdimisht, ashtu siç thotë i Lartësuari: “Në ta do të ketë dy burime që rrjedhin.” Përveç ujit do të ketë edhe lumenj tjerë prej mjalti, qumështi dhe vere. Pra, janë katër lloje lumenjsh. Është përcjellë se këta lumenj nuk rrjedhin nëpër shtretër. Ibën Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) në Nunijen e tij shkruan:

Lumenjtë e tij (Xhenetit) shtretër nuk kanë

I përlëvduar qoftë Ai që nga vërshimi i mbanë

Nëse dikush thotë: “A është e mundur kjo?!” Ne i përgjigjemi: Mos flit për këtë, përkundrazi, besoji, sepse lajmeve mbi të fshehtën (gajbin) s’ka mundësi t’u shtrohet kjo pyetje. A nuk tregoi Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se Allahu i Lartësuar zbret në qiellin e kësaj bote, kur të mbetet pjesa e tretë e fundit e natës? (Buhariu dhe Muslimi). Përgjigjja: Gjithsesi, dhe është obligim të besojmë në këtë e të mos themi: “Si?” apo: “Përse?”, ngaqë çështjet e gajbit janë të pohuara në Kuran dhe Sunet, andaj, mos pyet kësisoj, sepse perceptimi i tyre është i pamundshëm. Përkundrazi thuaj: “I kam besuar Allahut dhe të Dërguarit të Tij”, pastaj përqendrohu në këtë.

32. dhe mes frutave të llojllojshme (të shumta),

Fjala el-fâkihe (frut në gjuhën arabe) është çdo ushqim apo pije përmes të cilit njeriu dëfrehet. Sepse ka prej ushqimeve dhe pijeve që nganjëherë janë të domosdoshme në mesin e njerëzve, me të cilat nuk dëfrehesh, por ato janë të domosdoshme për të mbetur gjallë. Ndërsa, në disa raste tjera, ushqimi dhe pija shërbejnë për t’u dëfryer njeriu me to.

“të llojllojshme (të shumta)”. Do të thotë, këto fruta i gjen në çdo kohë. Ndërsa frutat e dynjasë kanë stinë të caktuara dhe pastaj përfundojnë. Për këtë arsye tha:

33. të cilat kurrë nuk sosen, as nuk janë të ndaluara;

Do të thotë janë të pranishme në çdo kohë, dhe: “as nuk janë të ndaluara”; domethënë askush nuk i ndalon. Përkundrazi Allahu i Lartësuar thotë: “Frutat e të cilit do t’i kap lehtë.” (El-Hâkka, 23). Aq sa nëse njeriu e lakmon frutën që e ka sipër, dega i lëshohet derisa t’i vije përpara, pa kurrfarë mundi nga ana e tij. Frutat e kësaj bote janë të tilla që sosen me kalimin e kohës, dhe të ndaluara; nuk mund të hysh në kopshtin e dikujt pa lejen e tij. Ndërsa në ahiret, jo.

34. dhe në shtroje të ngritura (ku i presin hyrijet),

Pasi që hyritë symëdha janë me njeriun nëpër shtroja (shtretër), Allahu tha:

35. të cilat Ne i kemi krijuar në një formë të veçantë,

Do të thotë, i kemi krijuar në një formë të habitshme, të jashtëzakonshme dhe mahnitëse (unike). Pastaj e sqaroi këtë formë krijimi dhe tha:

36. dhe i kemi bërë ato virgjëresha,

Do të thotë, këto bashkëshorte mbesin të virgjëra, sado që bashkëshorti i tyre ka kontakt me to. Allahu thotë: “Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë asaj “Bëhu!” – dhe ajo bëhet.” (Jâ Sîn, 82). Kur gruas së kësaj bote bashkëshorti i saj ia merr virgjërinë, ajo më nuk i kthehet, ndërsa në ahiret, po.

37. të dashura për bashkëshortët e tyre, të një moshe,

Kjo tregon për dëfrimin e përsosur; pra, kur gruaja ndërmerr gjëra që e bëjnë të dashur dhe e afrojnë tek burri, dhe kur e josh atë me veten e saj. Po ashtu, kur bën çdo gjë që e obligon dashurinë e tij për të. “të një moshe” domethënë, nuk ndryshojnë në moshë.

38. për njerëzit e së djathtës.

Pra, kjo kënaqësi shpirtërore dhe trupore që u përmend është për njerëzit e së djathtës.

39. Janë shumë nga të lashtët

40. e shumë edhe nga të mëvonshmit.

Këta janë njerëzit e së djathtës, të cilët janë në nivelin e dytë. Në vendin e parë janë ata më të parët e më të shquarit, për të cilët Allahu i Lartësuar tha: “Shumica e tyre janë prej të lashtëve, ndërsa një pakicë prej brezave të mëvonshëm.” Domethënë, shumica e tyre janë prej të lashtëve të këtij ummeti, ndërsa një pakicë prej brezave të mëvonshëm të tij. Kjo sepse brezi më i mirë i këtij ummeti është ai i pari, brezi i Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), pastaj i dyti, pastaj i treti, pastaj, mirësia fillon të bjerë. Ndërsa, për njerëzit e së djathtës, Allahu tha: “Janë shumë nga të lashtët e shumë edhe nga të mëvonshmit.” Do të thotë: një grup prej këtyre dhe një grup prej këtyre.

Më tutje, Allahu përmendi grupin e tretë dhe tha:

41. Po njerëzit e së majtës. Kush janë ata të së majtës?

Ata janë jobesimtarët dhe mynafikët.

42. Ata do të jenë në afshin përcëllues të zjarrit dhe ujit të valuar

Ky grup do të jetë në një nxehtësi të madhe, Allahu na ruajt. Në shumë ajete, Allahu ka sqaruar se si do të jetë ajo. Ai thotë: “Ata që s’besojnë në shenjat Tona, Ne padyshim, do t’i djegim në zjarr. Sapo t’u digjet lëkura, Ne do t’ua ndërrojmë atë me lëkurë tjetër, për të përjetuar dënimin. Me të vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (En-Nisâ’, 56). Po ashtu, Allahu ka treguar se: “… mbi kokat e tyre do të hidhet ujë i valuar, me të cilin do t’u shkrihen ç’kanë në barqe dhe lëkura. Për ata ka kamxhikë prej hekuri.” (El-Haxhxh, 19-21).

“dhe ujit të valuar”, pra ata, Allahu na ruajt, janë të rrethuar me nxehtësi nga të gjitha anët.

43. dhe nën hijen e një tymi të zi,

Pra, nën hijen e një tymi absolut, të cilën Allahu e përshkroi:

44. e cila nuk do të jetë as e freskët e as e këndshme.

Pra, nuk është e freskët e t’i mbrojë nga nxehtësia, siç është e zakonshme për hijen, dhe as e këndshme, me pamje të mirë, nën të cilën kënaqen dhe pushojnë. Kjo ngase ai është një tym me pamje të urryer dhe i nxehtë. Nga Allahu kërkojmë shpëtim! Më tej, Allahu e sqaroi gjendjen e tyre të përparshme (në këtë botë) dhe tha:

45. Ata, para kësaj, jetonin në luks

Domethënë, sa ishin në dynja, Allahu u dha bollëk në trupa dhe ua mundësoi kënaqësitë trupore, përmes të cilave arritën në shkallën e luksit (zhytjes në dëfrime/teprimit), mirëpo, kjo nuk u solli asnjë dobi, Allahu na ruajt, dhe nuk i shpëtoi nga zjarri.

46. dhe në vazhdimësi bënin mëkatin e madh,

Mëkati i madh është shirku. Allahu thotë: “Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.” (Lukmân, 13). Ata, përveç kësaj, e mohonin edhe ringjalljen:

47. duke thënë: “Vallë, pasi të vdesim e të bëhemi pluhur e eshtra, vërtet do të ringjallemi?!

48. Vallë, edhe të parët tanë të lashtë?!”

Pra, ata mohonin fuqishëm një gjë të tillë dhe thoshin: “A do të ringjallemi pasi eshtrat tanë të jenë kalbur dhe bërë pluhur? A do të ringjallen edhe baballarët tanë të lashtë?” Për këtë arsye, ata duke sjellë dëshmi për pamundësinë e kësaj thoshin: “Ringjallni të parët tanë, nëse thoni të vërtetën!” (El-Xhâthije, 25). Kjo është një dëshmi e kotë (e paqëndrueshme), sepse atyre nuk u thuhet se ju do të ringjalleni sot, por në Ditën e Kiametit. Andaj, si sfidoni duke thënë na i sillni etërit tanë të lashtë? Dita e Fundit nuk është sikur dita e sotshme, që të thoni këto fjalë duke sfiduar me to. Ne themi se kjo do të ndodhë në Ditën e Kiametit. Allahu i Madhërishëm tha:

49. Thuaju (o Muhamed): “Me siguri, edhe të parët, edhe të mbramët,

50. do të tubohen në një ditë të caktuar.

Të gjithë: të parët dhe të mbramët do të ringjallen në një fushë të vetme; të gjithë e dëgjojnë thirrësin dhe të gjithë e shohin njëri-tjetrin. Nuk ka male dhe as drunj; Toka nuk e ka më formën e rrumbullakët, përkundrazi do të zgjatet e do të bëhet e sheshtë; njeriu e sheh më të largëtin ashtu siç e sheh më të afërtin. Mirëpo tani, pasi që Toka është e rrumbullakët, s’mund ta shohësh atë që e ke larg, ngaqë ai është më ulët se ti. Por, në Ditën e Kiametit, Toka rrafshohet dhe bëhet si lëkurë e zgjatur. Kështu, të gjitha krijesat do të ringjallen në këtë fushë.

“në një ditë të caktuar” do të thotë të caktuar (të ditur vetëm) tek Allahu i Madhërishëm, për shkak të ajetit: “Ata të pyesin ty (Muhamed) rreth Orës (së Kiametit). Thuaju: “Atë e di vetëm Zoti im.” (El-A’râf, 187).

51. Dhe atëherë ju, o të humbur, mohues,

“Dhe atëherë ju” do të thotë pas ringjalljes. “o të humbur, mohues”, të humbur në vepër, kështu që nuk veprojnë dhe mohues të lajmeve (të Kuranit), andaj dhe nuk besojnë, Allahu na ruajt!

52. me siguri që do të hani nga pema e zekumit,

Do të thotë, nga pema e llojit zekum. Është quajtur zekum ngaqë kur njeriu e kafshon atë e sjellë nëpër gojë, sepse shumë vështirë përpihet.

53. me të cilën do të mbushni barkun.

Ata do t’i mbushin barqet me këtë pemë, edhe pse ajo është e hidhët, me erë të keqe dhe me pamje të shëmtuar. Mirëpo, për shkak të urisë së madhe, ata detyrohen ta hanë atë. Ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: “…ku do të pinë ujë të qelbur të cilin do ta gjerbin e nuk do të mund ta gëlltisin. Vdekja do t’u vijë atyre nga të gjitha anët, por nuk do të vdesin.” (Ibrâhîm, 16-17). Pra, ata hanë nga kjo pemë dhe i mbushin barqet me të; kanë nevojë tepër të madhe për ushqim, derisa edhe i mbushin barqet me gjëra që i urrejnë. Kjo për t’ua shtuar edhe më shumë dënimin, Allahu na shpëtoftë! Pasi t’i kenë mbushur barqet me këtë ushqim, shtohet nevoja e tyre për ujë. Andaj, si do të pinë? Allahu i Lartësuar thotë:

54. Pastaj do të pini ujë të valuar,

Pinë ujë të valuar, pasi që kërkojnë ndihmë për një kohë të gjatë. Allahu e përshkroi këtë ujë dhe tha: “…do t’u jepet një ujë si xehja e shkrirë, që do t’ua përcëllojë fytyrat. Sa pije e tmerrshme është ajo e sa strehim i keq është ai (zjarri)!” (El-Kehf, 29). Dhe tha: “…do t’u jepet ujë i valuar, që ua copëton zorrët.” (Muhammed, 15). Vëllai im, ndalu për një çast këtu dhe mendo: kur ata e afrojnë ujin tek fytyra, ai ua përcëllon ato, ndërsa kur e fusin brenda barqeve, ua copëton zorrët. Dhe, megjithëkëtë, ata e pijnë furishëm atë:

55. madje do të pini ashtu siç pi deveja e etshme”.

Deveve të etshme nuk u shuhet etja me pak ujë. Pra, ata do të mbushin barqet me pemën e zekumit, pastaj do të pinë ujë të valuar, ashtu siç pi deveja e etshme. E lus Allahun të më mbrojë mua dhe ju nga zjarri!

56. Kështu do të jetë gostia e tyre në Ditën e Llogarisë!

Pra, kështu do të priten ata (në atë ditë). Ndryshe nga besimtarët, gostia e të cilëve do të jenë xhenetet e Firdeusit: “Me të vërtetë, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë për banesa kopshtet e Firdeusit.” (El-Kehf, 107).

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit