Si mund të bëhet njeriu besimtar i fortë?

Fetuaja nr. (3942):

Pyetje: Si mund të bëhet njeriu besimtar i fortë, të jetë zbatues i urdhrave të Allahut dhe të ketë frikë prej ndëshkimit të Tij?

Përgjigje: Kjo arrihet përmes leximit të Librit të Allahut, studimit të tij dhe përsiatjes mbi kuptimet e dispozitat që ai i përmban dhe (përmes) studimit të sunetit profetik dhe njohjes së detajeve të sheriatit nga ai. Pastaj, të vepruarit sipas asaj që kërkon e tëra kjo (që u përmend) dhe mos heqjes dorë prej saj, si në besim, po ashtu edhe në vepër e fjalë. Gjithashtu duke e ditur se je nën Mbikëqyrjen e Allahut, duke e ndjerë Madhështinë e Tij në zemër, duke e përkujtuar Ditën e Fundit dhe gjërat që do të ndodhin në të si: dhënien e llogarisë, shpërblimin, ndëshkimin, vështirësitë dhe tmerret. Po ashtu nëpërmjet shoqërimit me njerëzit e mirë që i njeh dhe shmangies nga ithtarët e sherrit dhe çrregullimeve.

Suksesi është nga Allahu. Salati dhe selami janë për të dërguarin tonë, Muhamedin, për familjen dhe mbarë shokët e tij.

Komisioni i përhershëm për kërkime dhe fetua në përbërje të:
AbdulAziz bin Baz, AbduRrezak Afifij, Abdullah bin Gudejjan, Abdullah bin Ku’ud.
Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit