Sillu me gruan mirë ashtu siç do që ajo të sillet mirë me ty

Thotë Allahu: “Mjerë për ata që hanë në peshë (dhe matje), që, kur masin për veten, e marrin masën të plotë, ndërsa, kur u masin të tjerëve me litër ose me kandar, ua pakësojnë.” Mutafifin 1-3.

Dijetarët thonë se kjo nuk vlen vetëm për tregjet. Por është edhe për raportet e përditshme mes njerëzve, sidomos mes burrit dhe gruas. Shpeshherë ka raste prej burrave të cilët kërkojnë që gruaja të jetë ashtu siç do ai, pa mangësuar asgjë, kurse vetë nuk i plotëson shumë prej të drejtave të gruas. Allahu thotë për ta: “Mjerë për ata”. Ashtu siç do që bashkëshortja jote të sillet ndaj teje ashtu edhe ti duhet të sillesh ndaj saj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush dëshiron të hyjë në xhenet dhe të largohet prej zjarrit të xhehenemit, le të sillet (d.m.th mirë) me të tjerët ashtu siç dëshiron të sillen ata me të!” Kjo së pari përfshin bashkëshortët.

Nëse do të hysh në xhenet e të shpëtosh prej zjarrit të xhehenemit atëherë së pari sillu mirë me gruan tënde (me të ke të bësh më së shumti) ashtu siç dëshiron që ajo të sillet me ty, ajo është njeriu më i afërt për ty. E jo të kërkosh shumë prej saj, e vetë të japësh pak, ngase kështu je prej atyre, siç thonë në popull që “hanë në kandar” (nuk masin drejtë).

Po ashtu, beqari i cili e kërkon një femër të mirë në fe për grua, e ndërsa vetë nuk është i mirë, kjo është padrejtësi. I tilli nuk është i drejtë në kërkesën e tij. Secili duhet të mundohet të marrë dikë për martesë që është i barabartë dhe i njëjtë me të, ose së pari le të përmirësohet e pastaj Allahu e shpërblen me një grua të mirë. Dijetarët thonë: Nëse dëshiron të të përmirësohen raportet me të tjerët, përmirësoje raportin tënd me Allahun.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Transkriptim nga derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit